Kronika satirike/ Gjekmarkaj: Nga puthja e Melonit për Babon te intrigat për ndryshimet në Qeveri. Ndërkohe Bujari i Lushnjes dhe Ismet Beqiri me një pjatë me këmbë bretkocash…

Gudulisja dhe përqafimi i Melonit sikur ja zbuti Babos mërzinë e qederin e shkaktuar nga dhimbja për Berluskonin. Udha e takimet bënë të veten. Ai mejtoi se i duhej një dush për të lënë përzhitjen pas. Ashtu rrëmbimthi u fut në kabinë. Sapo desh të ndizte rubinetin u ndal.

U kujtua, nuk duhej lagur koka për ca javë. Në njërën faqe e kishte puthur ajo e uruar, tek tjetra e kishte fërkuar. Aroma e jaseminit ndihej ende në ato qime të kreshpëruara. U la me kokën jashtë i bindur që i duhej një dremitje e thellë. Por mazallah se e zinte. Gjumi vërtitej si laraska që nuk bie në leqe.

Një qen i hazdisur lehu për dreq. Të lehurat i ka zët. E ndoqi viranin me gurë deri në Linzë ashtu nëpër natë derisa mbërrine zaptiet e Çuçit të rënduar nga shëndeti gati të shtinin mbi balon. Qetësia e pat. Mazhoranca zien, shumë duan të bëhen ministra dhe asnjë nuk do të ike. Ata bëjnë sikur kanë fituar Babo nuk gëzohet se jua di oreksin. Gjithsesi diçka ka në mendje.

Dita parlamentare filloi me reflektim mbi puthjen e Melonit dhe sharmin e Babos si bandill. Majko kërkonte namuz. Shyqyr u mbyll shpejt si debat se mund të përfundonte me përgjakje retorike.

Bora Bilali ishte e gëzuar dhe po i rrëfente Gertës kënaqesinë me të cilin e ka pritur emërimin e Ditmarit si këshilltar dhe ndihmës për punët kancelarike. Gerta i tha trajtoje mirë, jepi koinfidencë se edhe Babo e afroi me gjashtë karrike në ditëlindjen e Partisë. Po po e kam merak vetë po ishallah nuk mërzitet Shalsi se ja kisha premtuar atij si i jashtëm. Nuk mërzitet jo se është i zënë me orkestrën e Kuvendit këso kohe.

Toni ka pasur një javë të dendur me përsiatje dhe tërheqje shpirtërore. Si Moisiu në malin Sinai doli në kodrën më të lartë të Pezës dhe kudo i shfaqeshin pllaka guri që skaliteshin nga rrezet e diellit “oni minister, Toni minister” shkruhej krejt si në “Besëlidhjen e vjetër”. Me ato vegime u poq me Taon dhe me emocion rënkoi “Zoti foli”. Flet ai flet po nuk foli Babo skemi gjë në terezi se në këto anë Zoti ka emër. Ai në qiell më ka folur edhe mua nja 5-6 herë po ja….!

Frida kishte bërë një punë mbresëlënëse me modelin e flokëve dhe tek sodisnim këtë risi u dëgjua një potere.

Xhemali ishte informuar se Fadili paskësh shfaqur mëri për autorin e “kronikës” i cili kishte marifetosur një skenë me pak paçe e pilaf. Zëri i tij i fuqishëm ushëtinte! Si mundet të shfaqet mërzi për paçen kur ajo në Shqipërinë e mesme ka status institucional, pyeste e thërriste plot maraz?

Në vitet e errëta të pushtim otoman ajo zbuti shume stomaqe e zemra, vuajtjet në shpresë ktheu.

Raporti me të është si ai i anglezëve me çajin. Zierja e truve është procedure, hudhra është detaj e lezet ufutha mase. E ngasje. Aroma e saj kërkon nuhatje. Luga e parë puthje. Ajo bie butë në bark, ti përkëdhel elyen zorrët pastaj pilafi mbush hapësirat bosh dhe integrimi gastronomik ndodh natyrshëm. Kjo pleudari emocionoi shumë Nasipin, Arben Pëllumbin dhe vendosen që dreken në shenje solidariteti ta hanin ke fresku me paçe.

Ndërkohë Bujari i Lushnjes nostalgjiku i së shkuarës me Ismet Beqirin po mbanin me optimizëm disa kolegë të cilët kishin rënë moralisht në bursën e hyrje-daljeve nga qeveria. Ata dje ishin takuar në Ardenicë, një pjate këmbë bretkocash dhe ca gllënka e kishin nxehur atmosferën. Ismeti i kishte thënë he t’ja marrim asaj që të pëlqen shumë “sa mosha e kësaj toke”. Ti merrja unë ja kthej?! Jo mo jo tha ai. Nuk do mbesim pas Dukagjinit, kam bërë një për Elisën. Aaaa ma gjete zemrën, pa he? Bujari kroi dhe qeroi pak zënë e filloi “ Elisa bijë e Partisë! Në veri të Shqiperise! Te Rozafa si Helena! Me vështrimin mbi bedena! Fort po bie njajo lodër! Po bëhen zgjedhjet në Shkodër! Oh sa Babon lumturove! Po dhe Shkodrën e lartove! Ia merr këngës pleqerishte! Shkodër locja socialiste.

Ismeti tek bente eeeee me iso u emocionua shumë. Tezja bëri sikur nuk e dëgjoi epin e ri socialist dhe shkoi vrap në bar për të kapur byrekun e fundit. Çyrbja i alltisë habiti të madh e të vogël me një shamizë te cepi i xhaketes me ngjyra të interpretueshme mes lejlasë e rozës.

Jorida ishte bërë e heshtur si nata ndonëse ishte veshur si dita në këtë pikëprerje prezantohej si muzg melankolik prej nga ku ëndërrohej e ardhmja e PD-së. Një lule e nisur nga Tao për Klotildën kishte përfunduar në zyrën e saj. Kjo simbolikë po rivalizon puthjen që mori Babua nga qerratesha italiane.

Salianji ai xhanan djalë që njohim pa asnjë hile kqyri Agalliun e gëzuar. Sa më lehtësove, i tha, kisha merak shyqyr që u bashkove me Bashën se i shpëtove furisë së dajakut. Kryezëvendes Lideri Muli erdhi e iku shpejt nuk gjet partneritet ndaj ju duk e tepërt ta vriste kohën me gjepura. Bana e informonte siç duhej e kur duhej. Xhele Mziu nuk la përshtypje as i gëzuar e as i mërzitur pret ngjarje po një thagme e nxorri “ Enveri e mori partinë me 200 petrita ndërsa Luli ynë po e merr me tete veta”. Margeriti i thoshte vetes “i ditur është ai njeri që nuk e konverton kulturën në profesion”. Tigrushi ia dëgjoi hukamen e tha, mendokemi njesoj. Mos paraqitja e Ulsiut, Niko nikoqiriut dhe Bledi Çuçit u lexua si kumt për ata dhe për tre të tjerë poshtë në sallë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts