Kronika satirike/ Gjekmarkaj rrëfen prapaskenat në Kuvend: Nga qortimi i Xhafës për Braçen, te Tezja e Niko që gajaseshin. Gaz Bardhi pati ditën e shpërthimit vullkanik…

kronika satirike gjekmarkaj rrefen prapaskenat ne kuvend nga qortimi i xhafes per bracen te tezja e niko qe gajaseshin gaz bardhi pati diten e shperthimit vullkanik
kronika satirike gjekmarkaj rrefen prapaskenat ne kuvend nga qortimi i xhafes per bracen te tezja e niko qe gajaseshin gaz bardhi pati diten e shperthimit vullkanik

Kronikë e mërzisë së madhe!

Nga Agron Gjekmarkaj
Hutimi ra si mjegull e dendur kudo në sallë sot. Gjërat e njohura ngjanin si të panjohura. Të rejat si të vjetra. Njerëzit me njëri-tjetrin si shkanduj shiheshin. Dash Sula si Orakulli i Delfit i drejtohej qiellit, në ka Zot atje sipër shkunde një herë rixha të kam hakërrehej dhe i paduruar që Zoti të fliste ia tereziste vetë. Saimir Korreshi në emër të fakir fukarasë mallkonte me kuç e me maç të paudhët teksa zap bëri mikrofonin.

Isuf Çela rënkonte “hatri i Zotit u mbush vendi me Mic Sokola”! Ina Zhupa kishte qepur në xhakete pjesë nga vlerësimi i Tan Fugës dhe këndellej e patrazuar. Me sy kërkonte Margaritin që ta shihte me kë kishte të bënte, por ajo virania sot nuk na erdhi. Fred Xhaferri me parimin zjarrit e shamatës rriji larg nuk u duk dhe i gëzohej vendimit të vet i fshehur pas një birre. Xhele Mziu me durimin e atij që pret ditën e gjykimit nuk lëvizte qerpik.

Dhurata Çupi përjetonte dilemën në duhej ta hiqte mbiemrin tjetër Tyli nga llagëpi?!
Tom Alizotoi shkreptiu në emër të virtyteve të epërme. Çeta e Liderit të vogël historik ia kishte rrasur pushim se helbete duhej qëndrim.
Frika si demon trazonte shpirtra e thartonte fytyra. Me parimin këmbët e lehta faqja e bardhë Tigrushi na la shëndenë e sherrin peshqesh. Vapë e madhe për në hapsana. Erion Braçe tha mos na çani t…! Qerratai. Nuk u mërzit njeri, të gjithë besuan se me gjasë e paska gjënë e shyqyr se hall i madh.

Xhafa e qortoi Erin paq për dy standarde në qëndrime. Pas kësaj u paqtua Eri si sheleg dhe nuk pipëtiu.
Të vetmit që gajaseshin si ata që ndezën në mort qenë Tezja dhe Nikoqiri Niko. Hahahah e hihihihi te cepat e kokave mbështeteshin në supet e njeri-tjetrit gati në zali. Pastaj befas u ngurtësuan dhe një ngjyrë e hirtë pikëllim i mbështolli të dy si kllapi. Tezja herë i ulej në të djathtë, herë në të majtë aq sa Nikos desh iu morën mentë dhe lypi ujë.

Ministrushet e pakta kishin rëne pre e trishtimit. Një nga një pos Mamicës vanë. Për herë të parë e qeshura e Delinës ishte e motivuar. E sigurta nuk ekziston, e tashmja vjetrohet, e nesërmja nuk përkufizohet. Ed Shalsi kërkonte auditor. Si e qysh kish ndenjur dy ditë me Kasparovin kërkonte të rrëfente po askush nuk kishte ëndje për të dëgjuar. Tao tanimë vezir i madh për punë të brendshme kishte marrë një pamje babaxhani. Ca bulëza djerse i shkëlqenin mbi gushë. Fliste ngadalë e ëmbël sillej si paqeruajtës i KFOR në sallën e hallakatur debati.

Na preku pa masë kur hoqi paralelizëm me ngjarjet në Kosovë. Jorida shtangu habie, do na mungojë tha e kishim gjiton dhe tundi kokën tre herë, Toni u zalis edhe nga jeleku me sumbulla shtrënguar, Etildës dy lot i ranë mbi kompjuter duke lënë vragë, Majko u thinj ende më, Mimia që ka parë botë me sy e ujë të rrjedhë u mjaftua me një buzëqeshje. Etjen qafirit nuk i lëvizi asnjë qerpik edhe pse tronditja e administrimit të eksperiencës e goditi si tufan. Gaz Bardhi pat ditën e tij të shpërthimit vullkanik llava e të cilit ra mbi Ermon. Pastaj poterja e zallamahia mes tyre mori përmasë epike. Uf ç’na dëgjuan veshët, “palaço” bubullinte Ermua e skuqur flakë, “pogaçe” lekësh e “gjobaxhie” moj “gaxhie” recitonte firauni. Joridës i zmadhoheshin sytë nga krenaria për Gazin e cila i shtrihej cep më cep.

Ministrushet ishin të venitura dhe pse Ulsiu u bënte terapi. Ai shpërndau dy-tre buzëqeshje badihava. Gerta mori Borën dhe Edonën i çoi te kafja, u dha byrek e ujë teksa u lëmonte lehtë flokët. Mos bëni kështu se një ditë do vijë Babo dhe do nxjerrë farisenjtë nga Tempulli, i gajretosi ajo. Bora mes dënesjes pyeste po nuk i nxjerrim dot ne po të mobilizohemi?! Më mirë ha njëherë i tha Gerta. Uaaaa sa shumë gjëra di ti Gerta i tha Edona. Ëhë, ëhë di ia ktheu po pi pak ujë. Atje mes suferinës e sulmit të Gazit, Kryezëvendës Liderit, Albanës dhe Mondit tashmë pothuaj të bashkuar si një trup i vetëm kishin mbetur në mes të furisë Lindita në krye të binasë dhe Elisa pranë karriges së Babos e cila ngjante me Sulon te filmi “Prita” e gatshme të binte shahit. Klotilda thirri dy-tri herë uaaa pse ziheni, mos boni kështu s’ka lezet.

Dite e gjatë, jallane e noprane. Foli edhe Doktori me mëshirën dhe naivitetin që e karakterizon dhe rrugës për në karrige qeshte me vete. Arben Pëllumbi i ftonte të gjithë të shfaqnin më shumë sabër e njerëzillek në këtë dite gazepi. Në korridor të moderuarit dhe Kosta i Gramozit e Linditës silleshin si xhindër. Kostaqi çirrte faqet, “mbaroi marifeti dhe epoka e hajrit, evletërit që mos pafshin ditë të bardhë po ia bëjnë Babos qejfin qeder me proçka e zarare, rrasin duart në zahire, teksa ai rri me Macron e Biden për t’u vuvosur në skërmitjen e gojës së mbyllur”!

Genc Gjonçaj si prurësi i fatkeqësive shpërndante lajme kobzeza poshtë e përpjetë.
Nuk mund të mungonte Salianji i cili erdhi siç di ai për të vënë melhem mbi plagë. Shumë të gëzuar tha i shoh ca këtu po e di si thonë? Pa hë? Gëzimi me tepri është si uthulla, plas enën e vet. Mendja më shkoi te Damixhani me lotët e Tezes që Laerti ruan si sytë. Ato lot gëzimi ishin?!

Nasip Naço dukshëm shfaqte zili për Xhemal Qefalinë që ka ditë mbyllur në Bibliotekë Kombëtare duke e bërë fërtele Konfuc delenxhiun. Kohë për filozofi jo llafe.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts