Kryeqyteti i Ruandës do të vendoset në bllokim mes valës së virusit COVID-19

Ruanda ka bërë të ditur se do të vendosë një bllokim në kryeqytetin Kigali dhe tetë rrethe të tjera për dhjetë ditë duke filluar nga 17 korriku, me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, vendimi u mor në një takim të kabinetit të kryesuar nga presidenti Paul Kagame.

Nga 17 deri më 26 korrik, dyqanet do të qëndrojnë të mbyllura dhe do të kufizohet lëvizja e lirë përveç për shërbimet thelbësore, të tilla si për çështje mjekësore, për ushqime dhe për veprime bankare.

Ruanda, e cila ka regjistruar 50.742 raste COVID-19 dhe 607 vdekje, ka njoftuar se që nga qershori rastet e reja me këtë virus janë katërfishuar, me numrin e pacientëve të pranuar në trajtim po ashtu të rritur në mënyrë drastike.

Faji për këtë, sipas autoriteteve të vendit, është qetësia në vëzhgimin e masave parandaluese shëndetësore.

Mes normave të ulëta të vaksinimit, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vendet afrikane po përballen me një valë të tretë të virusit, deri më tani me mbi 6 milionë raste të konfirmuara në kontinent dhe 153 mijë vdekje.

Zyra e Kryeministrit të Ruandës njoftoi se kufizimi i lëvizjes së lirë do të vendoset nga ora 6 pasdite deri në orën 4 të mëngjesit dhe të gjithë punonjësit publik do të vazhdojnë të angazhohen nga shtëpia, përveç atyre që ofrojnë shërbime thelbësore.

Megjithatë, aktivitetet e turizmit do të vazhdojnë të veprojnë nën protokolle shëndetësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Aeroporti kryesor i vendit, ai ndërkombëtar i kryeqytetit Kigali, po ashtu do të qëndrojë i hapur, me udhëtarët ndërkombëtarë të cilëve do t’u kërkohet të posedojnë një test negativ ndaj virusit jo më të vjetër se 72 orë.

Në pjesë të tjera të vendit, bizneset do të vazhdojnë të operojnë, me një numër të kufizuar të punonjësve deri në 50 për qind.

Qeveria i ka bërë thirrje publikut që t’i përmbahet protokolleve shëndetësore për të parandaluar përhapjen e virusit, si distancën shoqërore, mbajtjen e maskës dhe higjienën e duarve.

Ruanda që nga 1 korriku për dy javë ka mbyllur shkollat dhe institucionet e arsimit të lartë në kryeqytetin Kigali dhe në tetë rrethe të tjera, si dhe ka ndaluar lëvizjet nga dhe brenda kryeqytetit pas rritjes së fundit të infeksioneve të reja.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *