Kryetari i PD sfidoi Berishën, takim me gratë poshtë zyrave të komisionit të rithemelimit! Basha: Një gjë s’e shpërfill dot, gjuhën e urrejtjes ndaj zonjave








MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lënë tashmë zyrën dhe ka dalë në terren për t’u takuar me bazën.

basha4

Edhe dje kreu i PD-së vijoi takimet me bazën, por ajo që ra në sy ishte mesazhi që përçoi përmes vendit që kishte zgjedhur për të zhvilluar takimin. Vetëm 10 ditë nga protesta e mbështetësve të Sali Berishës para selisë blu, kreu i PD-së dje u ndal në një takim me gratë e Lidhjes Demokrate të Gruas në një bar që ka një vendndodhje jo pak të veçantë.

Ai ndodhet jo më larg se 100 metra nga shtëpia dhe zyra e ish-kryedemokratit Berisha dhe poshtë zyrave të Komisionit të Rithemelimit, që u krijua më 11 dhjetor. Informacioni për takimin ishte marrë edhe nga mbështetësit e Berishës, të cilët nuk u bënë pengesë për të zhvilluar takimin, por disa të rinj e qëlluan makinën e liderit të opozitës me vezë.

Ndërsa disa gra që kishin ardhur për të protestuar mbanin në duar pankarta me mbishkrimin “Humbës serial”. Ndërkohë, përgjigjen protestuesve kreu i PD-së ua dha gjatë bashkëbisedimit me gratë.

“Mund të themi këtë që, sikur gjithë këtë gjuhë që është përdorur në veçanti në raport me zonjat, me vajzat, me gratë e Partisë Demokratike, nga një grusht njerëzish që s’i kemi parë në fushatë kundër Ramës, as të nxjerrin zë, jo më të bërtasin, atëherë gjërat do të kishin qenë ndryshe. Atëherë, për hesap të kujt e bëjnë? Për hesap të PD-së jo e jo, as qytetarëve shqiptarë që duan normalitet dhe normaliteti nuk vjen duke i shërbyer një tjetër njeriu, i cili ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij politike, duke zgjedhur sakrificën e grave dhe duke i përdorur gratë si fasadë apo duke i përdoru si kuota.

Gratë nuk janë kuota, nuk janë fasadë, nuk kanë qenë kurrë në bindjen time para se të futesha në politikë, para se të krijoja familje e aq më shumë tani që në familje sigurisht jam minorancë, por siç e shikoni, e them me kënaqësi që edhe në përgjegjësinë që më keni ngarkuar, po e shikoni që nga grupi parlamentar, tri komisione ku ne kemi kryetar, të tre kryetaret janë zonja”, tha kryedemokrati Basha.

PARALAJMËRIMI

Në vijim të fjalës së tij, kreu i opozitës, ndonëse me një ton të qetë, u duk i vendosur për paralajmërimin që i bëri palës tjetër që të ndalin dhunën verbale ndaj grave.

“Historia ka përcaktuar që shoqëritë bëjnë përpara duke zgjedhur modelin e së mirës, modeli i së keqes i shkatërron dhe na ka shkatërruar për një kohë shumë të gjatë. Është akoma në krye të punëve të vendit, jo me votën e shqiptarëve, vazhdon dhe mbulohet edhe nga disa hijet të së shkuarës, që kemi vendosur t’i lëmë pas pikërisht sepse na kanë rikthyer 30 mos them 300 vjet mbrapa me gjuhën e urrejtjes. Një gjë nuk e shpërfill dot, gjuhën e urrejtjes ndaj grave. Gjuha e urrejtjes ndaj nënave apo fëmijëve të nënave, nga një grusht njerëzish që sillen me një fanatizëm, me një verbëri, që nuk e kam parë e kam dëgjuar as nga kundërshtari politik, as ndaj kundërshtarit politik. Atyre u them: ndaluni sa nuk jeni vonë. Ia them qetësisht, por vendosmërisht, ndalni sa nuk jeni vonë! Gjithçka ju fal, por harrojeni se jua fal gjuhën e urrejtjes ndaj grave demokrate”, vijoi Basha.

MESAZHI I AKTIVISTES

Ndërkohë, një nga aktivistet e LDG-së, Violeta Gecaj, teksa mori mikrofonin kërkoi nga ish-Kryeministri Sali Berisha që t’u kërkojë falje të gjithë grave që vishen me rroba të zeza për shkak të problemeve që nxiti me firmat piramidale.

“I bëj thirrje patriotit tim t’u kërkojë falje nënave të Tropojës të veshura me të zeza. Të gjitha nënave, me një mënyrë apo një tjetër. Me firmat piramidale që u bënë në kohën e tij. Në kohën e moskthimit të pronave janë vrarë gjithë ata djem. Janë gjithë ato gjëra që nuk i arriti në kohën e vet Sali Berisha. Nuk duhet të vinte këtu që të gjuante nënat dhe gratë me gur atë ditë”, tha ajo.

Duma: Nuk shikoj dot mjerim më të madh

Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë Demokratike, në një takim me gratë e Lidhjes Demokratike Shqiptare, ka folur për situatën në të cilën është gjendur partia kohët e fundit për shkak të protestës së dhunshme të Sali Berishës.

Sipas Grida Dumës, PD ka zgjedhur të arsyetojë me forcën e logjikës dhe jo me forcën e dhunës. Deputetja e PD-së tha se janë të shumtë qytetarët mbështetës të PD-së “që thonë mos ia ktheni, mos bëni të njëjtën gjë”.

Sipas Dumës, Berisha është në një mjerim të madh, me disa persona rreth tij dhe demokratë, të cilët u bëri apel të mos keqpërdoren.

“Unë nuk shikoj dot mjerim më të madh për Sali Berishën sesa ai sot të mbledhë 5-10 njerëz. Ka disa njerëz që e bëjnë po shumë pak me qartësi se nuk kanë më asnjë të ardhme e të ardhmen e kanë mbyllur vetë, jo njeri tjetër. Jemi armata e madhe që bëjmë një heroizëm gjigant, nuk i japim ushqim së keqes, t’i kthehemi njësoj keq, pavarësisht se dimë ta bëjmë shumë mirë, nuk ia japim”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.