“Kur Berisha miratonte ligjin e censurës”/ Rrëfimet e gazetarit: Nga zjarrëvënia në zyrat e “Koha Jonë”, te masakrimi i Zamir Dules nga njerëzit e SHIK-ut






NGA HAMDI JUPE

SFONDI POLITIK – E diel, dy mars 1997, pasdite. Kuvendi ishte mbledhur në seancë të jashtëzakonshme si asnjëherë tjetër në ditë pushimi. Deputetët diskutonin për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme me miratimin e tri ligjeve përkatëse. Po diskutohej gjithashtu për masat praktike në zbatim të këtyre ligjeve, pas “rebelimit” të armatosur që kishte shpërthyer në rrethet e Jugut. Një natë më parë, duke u gdhirë 1 marsi, në Vlorë kishin ndodhur përplasje të armatosura midis qytetarëve dhe oficerëve të SHIK-ut.

saliberishakohajone

Ky i fundit ishte përpjekur të nxirrte me forcë nga greva e urisë studentët e Universitetit dhe kjo ishte bërë shkak për acarim të tejskajshëm të situatës së rënduar që po vazhdonte prej 25 ditësh. Përfundimi ishte i përgjakshëm: gjashtë oficerë të SHIK-ut dhe tre qytetarë vlonjatë kishin gjetur vdekjen nga plumbat e armëve të zjarrit, që tani kishin dalë nga depot e ushtrisë.

Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit, Arbnori, kërkoi mbajtjen e një minute heshtjeje për oficerët e vrarë të SHIKut. Për tre qytetarët e vrarë nuk u mbajt heshtje, sepse ata konsideroheshin “terroristë”. Qeveria “Meksi 2”, e dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit, kishte dhënë dorëheqjen.

LIGJI PËR CENSURËN

E hënë, tre mars. Kuvendi po diskutonte për projektligjin për censurën ndaj shtypit. Titulli i projektligjit: “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme”. Kryetari i Kuvendit, Arbnori, propozoi që “shtabet lokale” (çfarë ishin këto “shtabe lokale”!?), kur e quanin të arsyeshme, “të bllokojnë materialet nxitëse”. Ishte fjala për çdo lloj materiali propagandistik që, sipas tij, nxiste dhunën.

Pra, sa herë t’u binte mendja “shtabeve lokale”, mund të bllokonin çdo lloj mjeti të shkruar apo të folur që ato do ta konsideronin “nxitës”. Jo vetëm kaq. Në Vlorë kishte pak kohë që transmetonte programe një televizion i pavarur privat i palicencuar (deri atëherë ekzistonin vetëm pak radio dhe televizione private eksperimentale), prandaj edhe për këtë kishte menduar Kryetari i Kuvendit: “Gjithashtu të ndalohen edhe televizionet private që mund të bëjnë një gjë të tillë.

Mua më ka ardhur një protestë për televizionet private, të cilat janë të paligjshme dhe Komisioni i Masmedias e pastaj Kuvendi Popullor duhet ta shikojnë atë”. Mirëpo kush do ta ndalonte këtë televizion privat “rebel” në Vlorë, se atje tani, më tre mars, nuk kishte më asnjë autoritet shtetëror në këmbë, por vetëm anarki dhe turma njerëzish të armatosur që silleshin nëpër qytet. Kësaj “burie” të censurës i ra në fjalën e saj edhe deputetja rishtare nga Shkodra, Jozefina Topalli: “…jemi dakord me atë që thotë z. Kryeministër (i dorëhequr).

Mund të fillojë neni vetëm kështu: ‘Vendosen kufizime për ushtrimin e lirisë së shtypit e të informacionit’ dhe të vazhdojë me pjesën tjetër; pra të heqim pjesën e parë: ‘Në përputhje me traktatet ndërkombëtare, me dispozitat kryesore kushtetuese’”. Në vend kishte një ligj “Për dispozitat kryesore kushtetuese” dhe një ligj tjetër “Për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, edhe ky kushtetues.

Në këtë të fundit shprehej qartësisht: Neni 22, pika 3: “Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet”. Pikërisht për anashkalimin e këtyre dy ligjeve, e kishte fjalën zonja Topalli me propozimin e saj. Propozimi u votua dhe u kthye në ligj me 118 vota. Ata që po e miratonin nuk e dinin as vetë se si do të zbatohej në praktikë ligji që nuk ishte “në përputhje me traktatet ndërkombëtare, me Kushtetutën…” etj. Në historinë e shtetit shqiptar nuk kishte ekzistuar ndonjëherë një ligj i tillë.

Ata, deputetët, ishin “gjindje pa shkollë”, të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit të një viti më parë dhe, përveç kësaj, kishin dy ditë të ngujuar përgjumshëm në Kuvend, mbi nenet e ligjit për censurën. Deputetët hynë në teknikalitete: “Më duket se këtu nuk po kuptohet qartë se si bllokohet një numër gazete.

Numri i gazetës nuk bllokohet në treg, por në shtypshkronjë. Aty lexohet numri i përgatitur dhe, në rast se ky cenon nenin në fjalë, atëherë bllokohet i gjithë materiali i shtypit, lastrat dhe gjithë ç’është bërë; pra bllokohet pa u shtypur, jo në treg”. Këtë mendim shfaqi deputeti Karapici.

Ndërhyri Kryeministri (i dorëhequr) Meksi për shpjegime më “profesionale”: “Nuk tha njeri “në treg”, por para se të shpërndahet, materialin (gazetën e shtypur) duhet ta djegim”. Më qartë se kaq nuk mund të flitej: të digjet gazeta para se të hidhej në treg për shitje. Deputeti Bashkim Kopliku, i vetmi zë kritik në sallë, kritikoi ligjin edhe pas miratimit: “…Varianti që kaluam është antikushtetues, pra, shkel qartë, në përgjithësi, ligjin tonë kushtetues, shkel qartë ligjet përkatëse botërore”. Por ky kundërshtim kishte vlerë vetëm për kronikë. Ishte hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që nga lindja e tij që vendosej me ligj kontrolli paraprak (censura) i qeverisë ndaj shtypit. (Citimet, nga procesverbali i seancës parlamentare, 2 dhe 3 mars 1997)

CENSURA NË ZBATIM

E hënë, 3 mars 1997. Me miratimin e ligjit nr. 8195, datë: 03.03 1997 “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme” hynë menjëherë në fuqi nenet e tij për censurën. Si rregull, ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por ky ishte ligji i parë në historinë e Parlamentit shqiptar ku përcaktohej në fund të tij, përveç datës (03.03.1997), edhe ora e hyrjes në fuqi: 16:45 minuta. Neni 4 i ligjit: “Vendosen kufizime për ushtrimin e lirisë së shtypit e informacionit.

Ndalohet botimi, shpërndarja, transmetimi në organet e shtypit dhe të radios të materialeve që nxisin ose bëjnë thirrje për veprime të dhunshme kundër sigurimit kombëtar, rendit kushtetues, sigurisë publike dhe jetës së individit. “…Organet e shtypit detyrohen të miratojnë përpara shtypjes lëndën e çdo numri te shtabi lokal i zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme, i cili bllokon çdo organ që nuk respekton këtë dispozitë”.

Në ligj nuk përmendej fjala “censurë”, se kjo është fjalë e rëndë, por e gjithë përmbajtja e nenit 4 është censurë e pastër, përderisa kontrollohen paraprakisht (censura paraprake) materialet që do të botoheshin në gazetë etj. Po cili është autoriteti që do ta bënte këtë “kontroll paraprak” të materialeve para se ato të botoheshin? Këtë e shpjegonte “shtabi lokal” i gjendjes së jashtëzakonshme për Tiranën në njoftimin e tij zyrtar: “Pranë shtabit lokal të gjendjes së jashtëzakonshme të Tiranës, do të funksionojë zyra që do të merret me zbatimin e ligjit nr. 8195, datë 03.03.

1997 ‘Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme’. Njoftohen të gjitha redaksitë e gazetave dhe shtypshkronjat që të marrin lejet përkatëse për botim të shtypit pranë kësaj zyre në Prefekturën e Tiranës, me nr. telefoni 23652″ (Gazeta “RD”, datë 4 mars 1997) Çfarë është kjo “zyrë”, kush e ka krijuar atë dhe nga kush varet ajo? Para kujt i përgjigjet ajo për veprimtarinë e saj? Kush janë “personalitetet supreme” që do të kontrollonin përmbajtjen e artikujve të shtypit, përpara se ato të publikoheshin në gazetë? Po roli i redaksive të gazetave cili do të ishte tani?

A mund të flitej më për shtyp të lirë e të pavarur në këto rrethana? Nuk thuhej asgjë për këto në njoftimin e “shtabit lokal” të botuar në gazetën e partisë në pushtet. Merrej vesh vetëm se “zyra e mediave” ishte ngritur po më tre mars, atë ditë që u miratua ligji dhe ndodhej pranë “shtabit lokal” të gjendjes së jashtëzakonshme në Prefekturën e Tiranës.

Të gjithë kryeredaktorët e gazetave, revistave, fletëpalosjeve, pankartave etj. tani duhet të zinin radhën te “zyra lokale” e Prefekturës në Rrugën e Durrësit, me dosjet e dorëshkrimeve nën sqetull, për të miratuar paraprakisht atje materialet që do të botoheshin të nesërmen në gazetat e tyre “krejtësisht të lira dhe të pavarura”. Edhe një tërheqje vëmendjeje për njerëzit e shtypit nga “shtabi lokal”, i bërë në gazetën e partisë në pushtet: zyra e mësipërme do të ishte e hapur deri në orën 22 e tridhjetë minuta, jo më shumë, se jemi në “gjendje të jashtëzakonshme”.

Shumë poshtë e kishin ulur shtypin shqiptar “baballarët” e kombit! “Zyra e mediave” pranë “shtabit lokal” vazhdonte punën duke nxjerrë udhëzime që botoheshin në gazetën e partisë. “Në bazë të ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme, Zyra e Medias ka të drejtë të kontrollojë dhe të licencojë botimin e të gjitha materialeve që nuk shkelin nenin 4 të ligjit 81 95, datë 03.03.1997 ‘Për disa masa në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme’”.

Zyra e medias i fton të gjitha gazetat që dëshirojnë, të paraqiten pranë saj, për të miratuar materialin e tyre dhe për të vijuar rregullisht procesin e botimit. Kjo zyrë njoftonte gjithashtu se ligjit në fjalë kanë pranuar t’i nënshtrohen gazetat “Rilindja Demokratike”, “Albania” dhe “Rilindja” e Kosovës. Gazetat e tjera të pavarura dhe opozitare e kishin refuzuar censurën dhe kishin shpallur grevë pa afat.

hamdi-jupe
Hamdi Jupe

CENSURA NË REGJIMET E MËPARSHME

Një ligj i tillë mbi censurën paraprake (kontrollin e gazetave nga një institucion shtetëror para se të botoheshin) nuk kishte ekzistuar asnjëherë më parë në këtë formë në Shqipëri. Edhe në regjimin komunist nuk ekzistonte zyrtarisht institucioni i censurës paraprake, pra i kontrollit dhe ndalimit të gazetës para se të shpërndahej në treg. Gazetat dhe revistat kishin redaksitë e tyre që vendosnin nëse do të botohej një material i diskutueshëm apo jo. Këto ishin organi i “censurës”.

Në raste të veçanta, redaksitë i konsultonin shkrimet e diskutueshme me Drejtorinë e Shtypit në Komitetin Qendror para se t’i botonin. Ka pasur një rast të bujshëm, kur kryeredaktori i gazetës letrare-artistike “Drita”, zoti Duro Mustafaj, kishte bllokuar shpërndarjen, në çastin e fundit, të tetë faqeve të brendshme të shtypura të gazetës me krijimtari artistike. Bllokimi ishte bërë sepse ishte botuar atje një poezi e poetit Kadare me titull:

“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e vlerësuar nga kryeredaktori si krijim me “ide të gabuara”. Autori i poezisë ishte dërguar për “qarkullim” në Berat. Por bllokimi në këtë rast ishte bërë nga vetë kryeredaktori. Ka ekzistuar një Drejtori e Shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, e cila jepte “udhëzimet e udhëheqjes” për probleme të ndryshme që duheshin trajtuar në shtypin komunist, por as ajo drejtori nuk kontrollonte dhe as bllokonte shpërndarjen e gazetave.

Dënimet e gazetarëve dhe të drejtuesve të shtypit për “devijime ideologjike” në shtyp në kohën e komunizmit janë bërë pasi ishte botuar gazeta (revista) dhe pasi ishin analizuar e stëranalizuar “devijimet nga vija e partisë” në të etj. Censura atëherë ishte vetë redaksia, ku në gazetën “Zëri i popullit”, një artikull duhej të kontrollohej nga gjashtë persona të ndryshëm (gjashtë “sita” kontrolli) para se të botohej.

Një rast i tillë ka qenë edhe ai i gazetarit të “Zërit të popullit” Frrok Çupi për artikullin me titull: “Peshku kapet në Shëngjin dhe shpërndahet në Ulzë”. Shprehja metaforike e gazetarit për marifetet e zyrtarëve të ndërmarrjes së peshkimit për të mbuluar paaftësinë e tyre në realizimin e planit, ishte konsideruar nga “udhëheqja” si “nxirje e realitetit socialist”. Autori i shkrimit ishte dërguar në “orizore”, d.m.th. në Ndërmarrjen Gjeologjike të Spaçit, për riedukim.

E gjitha kjo, pasi ishte botuar shkrimi. Ndërsa tani, në vitin 1997, shtatë vjet pas vendosjes së pluralizmit politik dhe shtetit demokratik, po ngrihej institucioni i censurës zyrtare paraprake jashtë gazetës. Ligji i censurës nuk erdhi në skenë ashtu, rastësisht e papritur. Gjatë shtatë vjetëve pas shpalljes së pluralizmit politik, vendi kishte vetëm një televizion, atë shtetëror, të kontrolluar tërësisht nga pushteti.

Kishte kohë që flitej për mbylljen e gazetës më të madhe të pavarur “Koha jonë” nga eksponentë të pushtetit. Një seri sulmesh barbare ndaj shtypit të ndodhura në një natë të vetme, atë midis 2 dhe 3 marsit, pikërisht kur po miratohej ligji për censurën në Parlament, do ta plotësonin tablonë e zezë të luftës kundër lirisë së shtypit nga një regjim autoritarist.

DJEGIA E GAZETËS “KOHA JONË”

E hënë, 3 mars, në të gdhirë. Një lajm i zi po përhapej nëpër Tiranën e përgjumur: po digjet gazeta “Koha jonë”, e përditshmja e pavarur me tirazh mbi 70 mijë kopje. Ishte po ajo natë kur rreth dyqind metra më tej, në Kuvendin e Shqipërisë, po miratohej ligji “Për disa masa në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”. “Zbatuesit” e ligjit kishin filluar nga puna pa pritur që ligji të hynte në fuqi.

Para ndërtesës së redaksisë në rrugën “Qemal Stafa” ishin parë makina me policë dhe civilë. “Përballë redaksisë dalloheshin 2 ose 3 makina fuoristrada dhe një furgon i bardhë… Në momentin që u afrova fare pak, dallova flakë nga kati i dytë dhe i tretë. Dëgjoheshin edhe thirrje njerëzish, por unë nuk munda të afrohem më shumë, pasi kisha frikë se dallohesha”.(Blendi Fevziu në hetuesi, “Koha jonë”, 27 maj 2015)

Nuk ishte hera e parë që kërcënohej gazeta e pavarur. Në një aktiv të Partisë Demokratike të Tiranës rreth një muaj më parë, më 27 janar, kryetari i degës së asaj partie, deputeti dhe ishministri i Arsimit, profesor doktor Ylli Vejsiu, kishte kërkuar “mbylljen e menjëhershme të gazetës”, sepse ajo ishte pozicionuar në anën e protestuesve që kërkonin paratë e humbura në firmat piramidale.

Pas asaj, persona me maska dhe me makina pa targa kishin shkuar në redaksi dhe kishin kërcënuar gazetarët me fjalët: “Do t’ju djegim e do t’ju hedhin në erë”. Forca të Policisë së Tiranës kishin marrë në mbrojtje redaksinë e gazetës. Dy ditë më parë, më 1 mars, gazeta e partisë në pushtet “Rilindja demokratike” botonte shkrimin redaksional me titull: “’Koha jonë’, koha e terrorit”.

Kjo gjuhë vrastare i kishte paraprirë sulmit mbi gazetën e pavarur dy net më vonë. Situata i ngjante filmave horror, me subjekte nga vende të largëta të Afrikës, por ngjarjet po ndodhnin në mes të Tiranës. Ato që ishin paralajmëruar ditë më parë (“prova gjenerale”), kishin ndodhur atë natë të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Skenat e ndodhura në redaksinë e gazetës u ngjanin atyre të dramës “Arturo UI” të Brehtit për kohën e ardhjes së nazizmit në pushtet: djegia e magazinave të portit (Rajshtagut gjerman). “Pamë njerëz me bidonë me vajguri të kalonin.

Kush pa bidonë me vajguri? Ti, ti, ti apo ti!? (“… unë nuk munda të afrohem më shumë, pasi kisha frikë se dallohesha”). Vetëm se këtu nuk ishte skenë nga drama e Brehtit, por realitet.

“INSTITUCIONI” I RRAHJES SË GAZETARËVE

Po atë natë, duke u gdhirë 3 marsi. Gazetari Zamir Dule, që punonte prej tre vjetësh në gazetën “Koha jonë” në rubrikën e kronikës së zezë dhe flinte mbrëmjeve në bodrumin e ndërtesës si i pastrehë, kishte dalë mes flakëve i tmerruar pas mesnate dhe ishte marrë në komisariatin e policisë, ishte rrahur dhe ishte flakur në rrethinat e Tiranës. Asnjë gazetë nuk kishte shkruar atëherë “kronikën e zezë” të asaj që i kishte ndodhur gazetarit të kronikë së zezë, sepse ato sapo ishin hedhur në grevë të përgjithshme. Fati i tij u zbulua më vonë.

Ashtu, i traumatizuar fizikisht dhe shpirtërisht, ai ishte larguar për në shtëpinë e tij të vobektë, ku dergjet edhe sot në një dhomë pa televizor, gati i qorruar, në fshatin Miras të Korçës. Nuk flet, nuk tregon asgjë rreth asaj që ka parë me sytë e tij, vetëm vuan në vetminë e tij atë që ka përjetuar. Një pension mbijetese i lidhur nga ish-Kryeministri Nano është i vetmi ngushëllim material për të.

Kur gazetarët janë përpjekur t’i nxjerrin ndonjë informacion për atë që ka ndodhur, janë gjendur para heshtjes prej guri varri dhe frazës së shkurtër enigmatike akuzuese: “Të gjithë ju njëlloj jeni!” Ai ka parë tmerr me sy dhe këtë po e mban vetëm për vete. Ndoshta është më i tmerruar nga fakti se për 25 vjet nuk u zbuluan ende autorët e masakrës, sesa nga vetë masakra.

NATA TIRANASE E “XHAMAVE TË KRISTALTË”

Po atë natë, duke u gdhirë 3 marsi. Në Parkun “Rinia” pranë Ministrisë së Mbrojtjes i ishte vënë flaka nga persona të panjohur kioskës-kafene prej xhami me emrin “Bar Wet”, ose ndryshe, klubi i Fidelit, siç njihej prej gazetarëve. Ata që shkuan si çdo mëngjes aty për kafe, nuk u besonin syve, tek shihnin në vend të saj, një grumbull hekurishtesh të nxira nga flakët dhe shkrumbi që nxirrte akoma tym. Nuk kishte asnjë të dhënë rreth asaj se nga kush dhe përse ishte djegur pikërisht atë natë dhe pikërisht ajo kioskë, ku mblidheshin gazetarët dhe intelektualë të tjerë të kryeqytetit për të biseduar për punët e shtypit në qendër të Tiranës dhe jo ndonjë nga kioskat e tjera të shumta që kishin mbuluar parkun “Rinia”.

Por dihej mirë se klubi i Fidelit ishte kthyer në “Klubin Petef”, i njohur në Budapest, ku gazetarët dhe intelektualët antikonformistë zhvillonin veprimtari “kundërrevolucionare” ndaj pushtetit komunist në Hungari në vitin 1956. Te klubi i Fidelit gazetarët këmbenin informacionet dhe rrihnin mendimet për gazetat e tyre të nesërme. Atje, “te Fideli”, në qendër të Tiranës, thureshin gjithë ditën “komplotet” e gazetarëve kundër qeverisë “demokratike”, prandaj edhe ajo ishte “kujdesur” për ta në mënyrën e saj “demokratike”. Pra, nuk ishte sulmuar vetëm redaksia e gazetës “Koha jonë”.

Atë natë ishte goditur e gjithë “ngrehina” e shtypit të lirë shqiptar në palcën e tij, si ligjërisht, ashtu edhe praktikisht. Nata e 2 marsit duke u gdhirë 3 mars ishte kthyer kështu në “natën e xhamave të kristaltë”. Vetëm se këtu, ndryshe nga ajo që ndodhi në Gjermani në kohën e Hitlerit, nuk sulmoheshin dyqanet e çifutëve prej nazistëve, por zyrat dhe kafenetë ku mblidheshin gazetarët e lirë shqiptarë, prej qeverisë së vendit të tyre.

GREVË E SHTYPIT OPOZITAR

3 mars. Lajmi për djegien e së përditshmes më të madhe shqiptare mori dhenë, jo nëpërmjet shtypit, por gojë më gojë. Redaksia vendosi që gazeta të mos dilte në treg, derisa të zbuloheshin autorët e djegies. Përveç kësaj, ajo nuk pranonte t’i nënshtrohej ligjit të censurës që ishte miratuar në Parlament dhe kishte hyrë menjëherë në fuqi. I gjithë shtypi i pavarur dhe ai opozitar vendosi bojkotimin e censurës me grevë të përgjithshme. Shqipëria mbeti pa shtyp të lirë. Ata që i vunë flakën gazetës “Koha jonë” ishin vetëm ekzekutorët.

Frymëzuesit, ideatorët dhe porositësit ishin ata që flisnin në tribunën e Kuvendit për “djegien e gazetave para se të shpërndahen” dhe në mbledhjet e partisë në pushtet ku bëhej thirrje për mbylljen e tyre. “Policia dhe forca paramilitare hynë në zyrat e saj dhe i vunë zjarrin në mesnatë”, do të thoshte ishkryeredaktori i gazetës, Ben Blushi, njëzetë vjet më vonë. Drejtësia shqiptare edhe sot po nanurit mbi dosjen e djegies së gazetës pa i dhënë drejtim asaj. Tani botoheshin vetëm gazeta “Rilindja demokratike” e partisë në pushtet dhe gazeta “Albania”, e njohur si e përditshme pranë pushtetit.

Shqiptarët nuk i besonin ato, sepse ishin identifikuar si zëdhënëse të këtij të fundit. Ata i drejtonin sytë dhe veshët nga mëngjesi në mbrëmje te radiot dhe televizionet e huaja: BBC, “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle”, RAI, CNN, televizionet greke etj. Valët e këtyre stacioneve gjatë viteve të fundit kishin mundur të depërtonin në vend me anë të antenave satelitore. Me fillimin e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe gazetarët shqiptarë të atyre mediave të huaja provuan presionin dhe kërcënimet e pushtetit, prandaj e kufizuan ndjeshëm aktivitetin e tyre nga Shqipëria.

Nga tre korrespodentë lokalë që kishte BBC-ja, tani dëgjohej vetëm njeri prej tyre. Dy të tjerët thuhej se kishin ikur në Angli, me gjithë familjet, për të shpëtuar kokën, ose raportonin fshehurazi nga Tirana, po jo me zërin e tyre. Pas disa ditësh, i sulmuar dhe i kërcënuar keq nga njerëzit e pushtetit, u largua edhe i treti. Për ta nxjerrë atë dhe familjen nga Shqipëria, erdhi këtu një i dërguar i posaçëm i radios më të madhe të botës, për të ndërhyrë pranë autoriteteve shqiptare në emër të qeverisë britanike.

Radioja më e fuqishme e botës u fliste tani shqiptarëve për Tiranën nga Londra, pa pasur asnjë korrespodent në Tiranë. Korrespodenti shqiptar i “Zërit të Amerikës” për Shqipërinë e Jugut gjithashtu kishte heshtur. Në vend të tij kishte ardhur një gazetar i huaj, i cili raportonte në anglisht për radion amerikane nga zonat e “rebeluara”, ku njerëzit kishin rrëmbyer armët kundër pushtetit. Pasi jepte kronikën, ai thoshte emrin dhe adresën e vendit nga raportonte: “Shqipëria e Jugut”, pa thënë konkretisht se ku ndodhej (Vlorë, Sarandë, Gjirokastër etj.).

Duket, ishte i mësuar me rregullat e raportimeve nga zonat e konflikteve. Propaganda zyrtare nuk kursente as mediat prestigjioze ndërkombëtare: “Reuter dhe BBC nxisin gjakderdhjen në Vlorë. Lajmet e tyre, falsifikim i paprecedent”. “Përgënjeshtrim për radion Zëri i Amerikës” etj. Këto ishin tituj të përditshëm të gazetës së partisë në pushtet “Rilindja Demokratike”. Kjo ishte situata e shtypit shqiptar në ditët e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme të fillimit të marsit të vitit 1997. Ajo ndryshoi vetëm kur u krijua Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e drejtuar nga Kryeministri Bashkim Fino.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.