Kur Myler shënonte në Tiranë dhe dashurohej me kamerieren e “Dajtit”










Nga UVIL ZAJMI

Ka qenë dhe mbetet numri 9 më i fortë në futbollin botëror. Gerd Myler është ndarë nga jeta në moshë 75-vjeçare nga Alzheimeri, prej të cilit vuante prej më shumë se dhjetë vitesh. Lojtar i Bajernit të Mynihut, i kombëtares së RF Gjermane, shënues absolut në tre botërorë, ‘66-‘70-’74, kampion Europe 1972, kampion bote 1974 (autori i golit të dytë në finalen 2-1 ndaj Holandës), tri herë fitues i Kupës së Kampioneve me Bajernin dhe i katër titujve në Bundesligë.

Myler Shqiperia

Realizues në të gjitha mënyrat, që edhe sot flitet ende për të nga sportdashës, futbollistë, opinionistë, trajnerë, të pasionuarit, që janë të lidhur me imazhin e krijuar nga bomberi gjerman. Statistikat e karrierës së tij të shkëlqyer janë vërtet të frikshme: 563 gola shënuar me Bajernin në 605 takime dhe 68 gola në 62 ndeshje realizuar me kombëtaren, 5 prej të cilëve i ka ndaj Shqipërisë.

Gerd Mylerin kemi pasur fatin ta shohim nga afër në “Qemal Stafën” tonë. Hera e parë me kombëtaren e RF Gjermane, asokohe nënkampione e botës, pas finales së humbur në “Uembli” 1966, Angli-RF Gjermane 4-2, daton në vitin 1967, në Dortmund. Ka qenë 8 prill, e shtunë dhe luhej për eliminatoret Kampionatit Europian. Ndodheshim në Grupin 4 dhe ndeshja RF Gjermane-Shqipëri përfundoi 6-0 për vendësit. Gerd Myleri ishte autor i katër golave: ‘5, ’23, ‘73, ‘85 (11m).

Ndërsa në ndeshjen e dytë, atë të 17 dhjetorit 1967, Gerd Myler nuk do të vinte në Tiranë dhe Gjermania do të eliminohej pas barazimit të bujshëm 0-0 në “Qemal Stafa”. Por, Myler do të jetë vendimtar në takimin e tretë, ndër më historikët e zhvilluar në kryeqytetin tonë. Ka qenë e mërkurë 17 shkurt 1971 dhe luhej për eliminatoret e Kampionatit Europian. Ndodheshim në Grupin 8 dhe ndeshja Shqipëri-RF Gjermane përfundoi 0-1. Shënues, i përhershmi Gerd Myler në minutën e 38-të. Ka qenë një ndeshje përtej një 90-minutëshi, spektakolare, përballë skuadrës më të famshme të RF Gjermane në historinë e saj. Interesim i jashtëzakonshëm në Tiranë dhe kuriozitet i madh për të parë RFGJ-në e Majerit, Bekenbauerit, Shnelingerit, Overatit, Netzerit, Mylerit, Hejnkesit dhe Grabovskit.

Të sistemuar në hotel “Dajti, stërvitja u krye një ditë më parë në stadiumin “Dinamo”, e cila u ndoq nga mijëra shikues. Kohë më vonë u përfol edhe për simpatinë e Mylerit me kamerieren e hotel “Dajtit”. U spekulua shumë mbi dashurinë e pamundur të ish-sulmuesit gjerman me një bukuroshe shqiptare, por asnjëherë nuk u saktësua identiteti i saj. Flitej se quhej Hëna, por vetëm kaq.

Ndërkaq, ndeshja u luajt në një kohë të vrenjtur, tipike dimër, terren rrëshqitës dhe minuta fatale për kuqezinjtë rezultoi e 38-ta: pas ekzekutimit të një faulli pa pretendime nga Netzer, brenda zonës, Myler i ka shpëtuar mbulimit të Canit e Kasmit, dhe me të majtën nga 12 metra pak diagonal ka realizuar në gjysmëlartësi në të djathtë të Dinellës nga porta veriore. 1- 0, dhe në atë edicion, Gjermania Federale do të shpallej kampione e Europës.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com