Kursimet në valutë shënuan rritje rekord me 286 mln euro në gusht, vijojnë të bien depozitat në lekë

kursimet ne valute shenuan rritje rekord me 286 mln euro ne gusht vijojne te bien depozitat ne leke

Ndonëse monedha vendase është Leku, dhe të ardhurat e pjesës më të madhe të familjeve e individëve janë po në Lek, monedha e preferuar për të kursyer mbetet Euro.

Prurjet e emigrantëve, që kulmojnë në gusht, të ardhurat nga turizmi, apo dhe konvertim i një pjese të kursimeve nga Leku në Euro kanë bërë që depozitat në valutë të shënojnë një rritje rekord në muajin gusht. Në të kundërt kursimet në monedhën vendase kanë vijuar tendencën tkurrëse.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, stoku i depozitave në Lek zbriti në 540 miliardë lekë, me një rënie prej 0.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 5 miliardë lekë më pak.

Kjo është tkurrja më e fortë që prej muajit prill. Gjatë këtij viti, kursimet në Lek janë rritur vetëm në janar dhe në prill, ndërsa në total, për 8 muaj kanë rënë me 10.7 miliardë lekë, ose 2% më pak (gusht 2023 krahasuar me dhjetor 2022).

Pavarësisht tendencës në rritje të normave të interesit vitin e fundit, si rrjedhojë e politikës monetare shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, që rriti normën bazë disa herë për të frenuar inflacionin, depozitat në lekë nuk kanë njohur ndonjë zgjerim të ndjeshëm. Me bazë vjetore, kursimet në lekë janë rritur vetëm me 0.27%.

Kjo mund të reflektojnë si paaftësinë për të kursyer, për shkak të rritjes me ritme shumë të larta të çmimeve në raport me të ardhurat, ashtu dhe kanalizimin e investimeve në letrat me vlerë të qeverisë, të cilat kishin norma më të larta interesi sesa depozitat, si dhe faktin që një pjesë e depozitave në lekë po konvertohen në euro për shkak të normës së favorshme të këmbimit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tkurrja ka ardhur tërësisht nga depozitat e individëve (-6.8 miliardë lekë për kursimet me afat), ndërsa ato të bizneseve kanë shënuar rritje, duke amortizuar disi reduktimin e individëve).

Kursimet në valutë rriten me 286 milionë euro

Ndryshe nga kursimet në Lek, ato në valutë kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit. (Monitor po i raporton depozitat në valutë nga statistikat e veçanta për euron, që mbizotëron, pasi të dhënat totale të depozitave të Bankës së Shqipërisë jepen në lekë, çka ul vlerën e kursimeve në Euro për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës së përbashkët).

Në fund të gushtit, stoku i kursimeve në euro arriti në 7.1 miliardë euro, me një rritje prej 4.2% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 286 milionë euro më shumë. Kjo është rritja më e madhe mujore që kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat, nga dhjetori 2015. Kursimet e individëve kanë ndikuar në gati 60% të rritjes.

Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 16.5%, ose 1 miliardë euro më shumë.

Në korrik dhe në gusht depozitat në valutë njohin gjithmonë rritje të fortë të ndikuara nga prurjet e emigrantëve.

Vitet e fundit ndikim ka dhënë dhe ecuria e mirë e turizmit, që sjell më shumë valutë në vend si përmes konsumit, hotelerisë, ashtu dhe individëve që japin shtëpitë me qira ditore, një tendencë që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e fortë, sidomos në muajt e verës.

kursimet ne valute shenuan rritje rekord me 286 mln euro ne gusht vijojne te bien depozitat ne leke
Burimi: Banka e Shqipërisë
kursimet ne valute shenuan rritje rekord me 286 mln euro ne gusht vijojne te bien depozitat ne leke 1
Burimi: Banka e Shqipërisë/monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts