Kurti bisedon me kancelaren Merkel: U pajtuam që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje reciproke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim virtual me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, ku biseduan për bashkëpunimin midis dy vendeve, pastaj për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kancelarja Merkel rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Fillimisht në bisedën e sotme Kurti e ka falënderuar kancelaren për takimin dhe letrën e urimit, me rastin e zgjedhjes kryeministër, si edhe për përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, kancelarja Merkel e ka uruar kryeministrin Kurti për fitoren plebishitare dhe i dëshiroi suksese në qeverisje.
“Ajo shprehu mbështetje për programin e Qeverisë për drejtësi dhe punësim. Duke vënë në spikamë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, kancelarja nënvizoi projektin e Parkut për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, si mundësi për zhvillimin e bizneseve”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se kancelarja Merkel e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për menaxhim të mirë të situatës me pandeminë në këto javë të qeverisjes dhe shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.

Kurti ka shkruar më gjerësisht edhe në “Facebook” lidhur me bisedën që pati me Merkel.
“Sot pata një takim virtual me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel. E falënderova kancelaren për takimin dhe letrën e urimit me rastin e zgjedhjes kryeministër, dhe përkrahjen e ofruar aty për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj, teksa pranova urimet e saj për fitoren plebishitare. Gjatë bisedës e sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës. Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve – nuk mund të kthehemi para vitit 2008.Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralelel me demokratizimin e rajonit. Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Në takim, mora konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *