“Kushtetuta e Kosovës nuk do të ndryshohet”, Vuçiç: Pres përgjigjen e BE-së për deklaratën e Osmanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se vendi i tij pret përgjigjen e Bashkimit Evropian në lidhje me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk do të ndryshohet për shkak të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një konferencë për gazetarë në Beograd, Vuçiç tha se kjo është çështje për BE-në. “Nëse nuk duan ta ndryshojnë [Kushtetutën], atëherë e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Do të presim përgjigjen e BE-së”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se refuzimi i Prishtinës për të zbatuar atë që është zotuar me marrëveshjet e Brukselit “flet më shumë për të sesa për Beogradin”.

Osmani, duke folur më 26 tetor për televizionin lokal në Kosovë, Kanal 10, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, sepse, sipas saj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar atë si jokushtetuese.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Osmani ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lënë hapësirë që Asociacioni të formohet në nivel të një organizate joqeveritare. Sipas saj, ideja e Asociacionit, siç e parashikon marrëveshja e arritur në Bruksel, do të krijonte ndarje.

Duke komentuar deklaratën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se njohja reciproke do të ishte ideale për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq tha se kjo nuk është një gjë e re, por është “politikë e SHBA-së tash e tre vjet”.

“Ne nuk kemi nevojë për njohjen e tyre, nuk e di se çfarë do të ndodhë me ne. Ne jemi të njohur nga të gjithë”, tha Vuçiç. Gabriel ka thënë të enjten se SHBA-ja e mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e cilësuar atë si mënyrën më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Vuçiç vlerësoi se SHBA-ja nuk do të ndryshojë qëndrim për çështjen e Kosovës, në pavarësinë e së cilës, sipas tij, ka investuar shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *