Kuvendi shpalli procedurën për vakancën në Kushtetuese! Nga formulari i vetëdeklarimit te vetingu, kushtet dhe kriteret për kandidatët








KELMENT BAÇI/ Kuvendi i Shqipërisë ka hapur procedurën e aplikimit për plotësimin e një vendi vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese me mandat të plotë 9-vjeçar.

gjykata kushtetuese-mandatet

Me anë të një njoftimi për mediat, Gjykata Kushtetuese bën me dije se shpall hapjen e procedurës së aplikimit për një vakancë të plotë me mandat 9-vjeçar, me qëllim plotësimin e vakancës së krijuar për shkak të deklarimit se në datën 2 maj 2022 i mbaron mandati anëtarit Altin Binaj.

Kjo është thirrja e 2- të brenda 5 ditësh për nisjen e procedurave për zëvendësimin e anëtareve të Kushtetueses pas shpalljes nga Presidenti të thirrjes për emërim për vakancën që shkakton përfundimi i mandatit të anëtarit Përparim Kalo.

Kujtojmë që Altin Binaj u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese më 17 dhjetor 2020 kur Kuvendi votoi me 96 vota pro emërimit të tij në këtë detyrë. Ai u bë anëtari i pestë këtij organi që nisi funksionimin pasi u bë më 7 anëtarë.

Emri i Altin Binajt shkoi në Kuvend pas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi më 14 dhjetor, 3 ditë para votimit për të plotësuar në Kushtetuese vakancën e mbetur pas shkarkimit i ish-anëtarit Fatos Lulo. Lulo u shkarkua nga detyra në 2018, pasi ngeli në veting për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Sipas njoftimit, kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm duhet të paraqitet brenda datës 14 shkurt.

KUSHTET

Kandidati që dëshiron të plotësojë vakancën e Altin Binaj duhet të përmbushë kushtet e parashikuara për marrjen e kësaj detyre.

Kandidati duhet të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, diplomë e Nivelit të Dytë; si dhe të ketë zotësi të plotë për të vepruar. Kandidati duhet të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral; të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike.

ZËVENDËSIMI

Neni 9 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon që jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja e Gjykatës kërkon deklarimin e mbarimit të anëtarit dhe vendimi merret nga vetë Kushtetuesja. Po si do të zëvendësohen Përparim Kalo dhe Altin Binaj?

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të shpallë thirrjen për shprehjen e interesit për të aplikuar për dy vendet vakante me mandat të plotë 9- vjeçar. KED-i do të përzgjedhë dy lista me kandidatë që plotësojnë kriteret, të cilat do t’i referojë në Presidencë dhe Kuvend. Presidenca dhe Kuvendit do të zgjedhin nga një kandidat të renditur në krye të listës mes listave me tre kandidatë.

Por, pika 4 të nenit 8 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon që anëtari i Kushtetueses vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij. Kështu që Përparim Kalo dhe Altin Binaj do të vijojnë detyrën deri ditën kur të zëvendësohen.

Meta shpalli vakancën e përfundimit më 8 prill të mandatit të Përparim Kalos

Presidenti Ilir Meta njoftoi të enjten e kaluar shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e vakancës, me mandat 9-vjeçar. Presidenti i është përgjigjur kërkesës së Kushtetueses për nisjen e procedurës për arsye se anëtarit Përparim Kalo i mbaron mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese më datë 8.4.2022.

Përparim Kalo është relator i çështjes së shkarkimit të Presidentit të Republikës, vendim që u mor nga maxhoranca e Partisë Socialiste së bashku me votat e deputetëve të opozitës së re.

Përfundimi i mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo vjen pasi ai u emërua në këtë Gjykatë, në plotësim të vakancës së shkaktuar nga largimi i parakohshëm nga detyra i ish-gjyqtarit Besnik Imeraj dhe qëndron në këtë detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. Përparim Kalo u emërua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhjetor të 2020.

Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm për vakancën e këtij anëtari duhet të bëhet brenda datës 4 shkurt 2022. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.

Kandidati duhet të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike, të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale, të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.