“Ky rajon ka një rëndësi strategjike për unionin”/ Samiti Ballkani Perëndimor-BE, VOA: Angazhim për zgjerimin por pa afate








samiti-beballkaniperendimor

Drejtuesit e lartë të Bashkimit europian ripohuan sot në përfundim të takimit të nivelit të lartë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor angazhimin në mbështetje të procesit të zgjerimit. Një angazhim që theksohet dhe në deklaratën e miratuar gjatë këtij takimi, por pa përckatuar afate kohore e ku ndërkohë nënvizohej se vetë Bashkimi europian nga ana tjetër duhet të sigurojë aftësitë e veta për të integruar anëtarë të rinj.

Takimi i sotëm mes udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit europian dhe atyre të 6 vendeve ballkanike u mbajt në një moment paqartësishë dhe pengesash që kanë shoqëruar procesin e zgjerimit. Në fund të takimit drejtuesit më të lartë të BE-së i mëshuan faktit se Ballkani perëndimor është pjesë e BE-së dhe vendi i rajonit është në BE.

Ky rajon ka një rëndësi strategjike për BE-në. Ne të gjithë së bashku, në deklaratën e e cila besoj se është e fortë, kemi dashur të riafirmojmë këtë perspektivë europiane, të riafirmonim që dëshira është që të punojmë me qëllim që të ketë përparim në kuadër të zgjerimit“, deklaroi Charles Michel, president i Këshillit europian.

Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Leyen, ishte më e drejtpërdrejtë në komentet e saj: “Mesazhi i Komisionit është shumë i qartë. Para së gjithash, Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Evropë me Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori. Ne ndajmë të njëjtat interesa, të njëjtat vlera, dhe jam thellësisht e bindur gjithashtu për të njëjtin fat. Dhe Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, kështu që Komisioni im do të vazhdojë të bëjë çmos për të çuar përpara procesin e zgjerimit, dhe integrimin e rajonit në BE, ne duam Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, Nuk mund të ketë asnjë dyshim se qëllimi ynë është zgjerimi“.

Megjithatë, siç bëri të ditur dhe kryeministri sloven Janes Jansa, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, vendet anëtare nuk pranuan propozimin e tij për përcaktimin e afateve konkrete.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalën e tij, duke bërë një krahasim me takimin e Selanikut në vitin 2003 u shpreh se “18 vjet më parë fjala “zgjerim” ishte kredoja kumbuese e së ardhmes. Sot e njëjta fjalë është bërë një jehonë e ndrojtur e së kaluarës. Po kështu, politika e re e zgjerimit duket se i bën jehonë politikës së vjetër të frenimit”.

Në deklaratën përmbyllëse të takimit ndërsa rikonfirmojnë angazhimin e tyre për procesin e zgjerimit, vendet anëtare vënë gjithashtu në dukje “rëndësinë që BE të mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar aftësinë e vet, për të integruar anëtarë të rinj”. Një përcaktim që dëshmon dilemat gjithnjë e më të mëdha në gjirin e vetë BE-së për procesin, por që duket të ketë qenë formula e kompromisit mes vendeve anëtare që të paktën termi “zgjerim” të mos mbetej jashtë tekstit.

Vonesat dhe pengesat e papritura që janë shfaqur gjatë procesit, siç është dhe rasti i fundit me Mqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë, duke mbajtur peng dhe organizmin e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, mbajnë gjallë pikëpyetjet mbi parashikueshmërinë e tij. Presidentja e Komisionit pranoi se “mungesa e një vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon pozitën tonë dhe ndikimin tonë në rajon“.

Gjatë ditës së sotme patur një tjetër përpjekje për zgjidhjen e ngërcit mes Sofies dhe Shkupit, ku u zhvillua një tjetër takim mes presidentit bullgar dhe kryemnistrit maqedonas. “Ishte shumë e rëndësishme sot gjatë gjithë ditës, të ecim përpara në këtë proces për të sqaruar këtë proces. Eshtë duke u bërë një punë intensive nga Komisioni për të gjetur me të vërtetë çështjet kryesore në temat dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe të sigurohemi që të ketë një udhërrëfyes në mënyrë që të ketë një hap shumë praktik përpara për të zgjidhur problemet”, bëri të ditur zonja Von der Leyen.

Ajo kujtoi se me ndërmjetëimin europian u zgjidh tensioni i fundit mes Serbisë dhe Kosovës për cështjen e targave. Sipas saj “ishte një mesazh i shkëlqyer, për rajonin, se është e mundur të ulesh në tryezën e negociatave, se BE po tregon gatishmërinë për të gjetur zgjidhje e se dhe në situata shumë të vështira është në gjendje t’i gjejë ato zgjidhje, për të ecur përpara“./ Marrë nga VOA

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *