LAJM I FUNDIT/ Tom Doshi u shpall ‘non grata’ nga SHBA, KQZ-ja merr vendimin për ish-deputetin








yuri-kim-tom-doshiKomisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mbyllë hetimet për ish-deputetin e Shkodrës, Tom Doshi.

Për kryetarin e PSD-së, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në KQZ hetimet e thelluara dhe ku konstatohen problemet që ky i fundit ka patur me drejtësinë si dhe shpalljen ‘non grata’ nga SHBA-të.

Por kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se procedurat për Tom Doshin do të konsiderohen të mbyllura pa vendim, pasi ky i fundit ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë mundësi që ta fitojë mandatin e deputetit.

Si i tillë, kreu i KQZ-së tha se Tom Doshi nuk është në kushtet ku preket nga ligji i dekriminalizimit.

“Jemi në situatë të ngjashme me rastet e tjera, ku personat për të cilat KQZ ka filluar procedurat e verifikimit përfshirë dhe procedurat e thelluara e kanë humbur cilësinë, sipas të cilës sipas ligjit do duhet ti nënshtroheshin këtij procesi.

Ky është rasti dhe i Z.Tom Doshit. Zoti Tom Doshit aktualisht nuk përfshihen në rrethin e subjekteve për të cilët do duhet sipas ligjit 138/2015, ti nënshtrohet procesit të verifikimit.

Nuk ka as mandate deputeti dhe në asnjë lloj rrethane s’mund ta fitojë atë këtë mandat.

Ndaj rekomandohet që procedura administrative të përfundojë pa vendim.

KQZ vendos të shpallë të përfunduar procedurën administrative pa vendim për përfundimtar për subjektin vetëdeklarues, Tom Gjek Doshi”, theksoi Ilirjan Celibashi.

SHKRESA E PROKURORISE PER TOM DOSHIN

Pas 8 muajsh Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet për ish-deputetin Tom Doshi dhe i ka dërguar informacionet e gjetura Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

toNga verifikimet e kryera nga Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se ish-deputeti Tom Doshi ka nisur problemet me ligjin që në vitet ’90, kur është dënuar me një vit heqje lirie, ndërkohë më pas ka pasur edhe dënime të tjera. “Rezulton të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nr. 18, datë 25.05.1990, nga Gjykata e Rrethit Durrës, për kryerjen e kundërvajtjes penale të ‘Sjelljes së padenjë në shoqëri’ dhe, në bazë të nenit 121 dhe 31/ a të Kodit Penal të kohës, është dënuar me 1 (një) vit heqje lirie, duke filluar vuajtjen e dënimit nga data 26.02.1990.

Rezulton të ketë qenë person nën hetim apo i akuzuar për kryerje të veprës penale: ‘Plagosjes së rëndë me dashje’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Sjellje e padenjë në shoqëri’, të parashikuar nga nenet 90/2, 13 e 129 të Kodit Penal, në çështjen penale nr. 95, datë 26.02.1990, nga Prokuroria e Rrethit Durrës, e cila e ka dërguar për gjykim më datë 26.04.1990; ‘Goditjes për shkak të detyrës’ parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, ndryshuar në ‘Dëmtime të tjera me dashje’, të parashikuar nga neni 90, prg. 2 i Kodit Penal, në procedimin penal nr. 2, datë 13.03.2008, regjistruar nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila më datë 12.04.2008 ka vendosur të pushojë çështjen penale, mbështetur në nenin 59, nenin 328, pika 1, germa ‘c’, dhe nenin 329 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Prokurorisë. Ndërkohë, ndaj kreut të PSD-së nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur me vendim jo të formës së prerë.

“NON GRATA”

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion edhe nga institucionet partnere në SHBA dhe Europë nëse ndaj Doshit ka ndonjë proces gjyqësor apo ndonjë dënim. Por nga verifikimi i organit të akuzës rezulton që Doshi të jetë “non grata”, por nuk ka një vendim për dëbim nga një shtet i huaj. “Rezulton të mos i lejohet hyrja (shpallur ‘non grata’) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas nenit 7031 (c), të Aktit të Përvetësimeve të Konsoliduara FY 2017, të nxjerrë nga Sekretari i Shtetit, njoftuar publikisht më datë 16.04.2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të lartë; ndërkohë nuk rezulton të ketë indicie apo të dhëna a rrethana, fakte të bëra publike apo informacion, me qëllim verifikimi: për veprimtari kriminale të kryer jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; për qenien në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre penale; për urdhër kërkimi ndërkombëtar lidhur me kryerjen e ndonjë vepre penale prej tij: dëbime nga territori i ndonjë shteti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; përdorimin e të dhënave personale/gjeneraliteteve të tjera”, thuhet në rezultatet e Prokurorisë.

KËRKESA E PD

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Demokratike iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një shkresë ku i kërkonte të mos e regjistronte Tom Doshin si kandidat për deputet me argumentimin se kreu i PSD-së është shpallur “non grata” nga SHBA dhe sipas interpretimit të selisë blu, kjo masë është e barasvlefshme me dëbimin. Ndërkohë, në rast se një shtetas është dëbuar nga një shtet si SHBA apo nga shtetet e BE-së atëherë ai është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

“Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e regjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 prillit. Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 prillit 2021”, shkruhej në kërkesën e PD-së para zgjedhjeve të 25 prillit. Ndërkohë, në evidencat e saja, Prokuroria e ndan veçmas masën për shpalljen “non grata” dhe masën për dëbim, për të cilën organi i akuzës thotë se nuk ka një të tillë për kreun e PSD-së. Kujtojmë që Doshi dha dorëheqjen orët e para të mëngjesit të 26 prillit pasi ishin numëruar vetëm kutitë e para.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *