LAJMI I FUNDIT/ Hetimi për shkarkimin e Ilir Metës, Kuvendi miraton raportin me 104 vota pro






Kuvendi ka miratuar me 104 votat pro të mazhorancës raportin e Komsionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kundër raportit janë shprehur 7 deputetë, 2 të tjerë kanë abstenuar, ndërsa një votë është konsideruar e pavlefshme. 

Ndërkohë që tanimë, pritet edhe votimi nominal, pra emër për emër i deputetëve.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka deklaruar: “Projektvendim për miratimin e raportit përfundimtar për hetimin e shkeljeve të rënda nga presidenti i republikës.

Pro kanë votuar 104 deputetë, 7 kanë votuar kundër, 2 kanë abstenuar, 1 e pavlefshme. Miratohet raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor. Do të kalojmë në votimin nominal”, u shpreh ai.

Sjellim në vëmendje që Kuvendi i Shqipërisë po përballet sot me një situatë të paprecedentë, ku për herë të parë në 30 vite pluralizëm votohet për shkarkimin e një presidenti.

AKUZAT

Në përfundim të hetimit që zgjati afërsisht një muaj, Komisioni i Posaçëm Parlamentar që u drejtua nga Alket Hyseni që nuk do të jetë  më në Parlamentin e ardhshëm doli në përfundimin se  kreu i shtetit “Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të  sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës); Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të  sovranit dhe Kuvendit; Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së  Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës); Ka  anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, germa “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor);  Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në  kundërshtim me nenin 1,  pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin  e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës); Ka  cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë  (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës  dhe nenin 4 të Kodit të Procedurave Administrative); Ka nxjerrë një akt në kundër- shtim të hapur dhe flagrant  me ligjet; Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe  për tu zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës)”, thuhet në  raportin e Komisionit Hetimor. Ndërkohë, vendimin  përfundimtar për shkarkimin e Presidentit nëse  sot Parlamenti voton pro largimit të tij, e jep Gjykata  Kushtetuese, e cila aktualisht është funksionale me 7 anëtarë nga 9 që ka normalisht.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *