“Lefter Koka nuk mund të firmosë i vetëm 17 vendime qeverie”- Basha apel drejtësisë për inceneratorët: Presim goditje të plotë, jo koka turku









Përmes një konference për media nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha i bëri apel drejtësisë së re për një goditje të plotë në lidhje me atë që ai e quan skema mafioze e inceneratorëve. Basha theksoi se ish-ministri Lefter Koka nuk mund të firmoste i vetëm 17 vendime qeverie brenda një dite, ndaj duhet të vijojë hetimi tek personat e tjerë përgjegjës.

“Partia Demokratike e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër korrupsionit. Përshëndes ata hetues që kanë filluar të godasin korrupsionin pavarësisht presionit, edhe në këtë aferë siç do ta shikoni, për të mos hetuar këtë aferë.

Kjo është arsyeja pse kemi ngritur Komisionin e inceneratorëve, do të vijojmë punën tonë për denoncimin e korrupsionit në Shqipëri.

Natyrisht do të donim që kjo të kishte ndodhur kohë më parë, por më mirë vonë se sa kurrë. Presim si të gjithë shqiptarët që kjo goditje të jetë e plotë dhe jo me koka turku. Natyrisht Lefter Koka nuk është thjesht një kokë turku, por Lefter Koka nuk mund të bënte 17 vendime qeverie brenda ditës, Lefter Koka nuk mund të mblidhte të gjithë grupin parlamentar të PS-së te skena e krimit që është sekuestruar së fundmi nga prokuroria, që është inceneratori i Elbasanit. E mbani mend apo jo?!

Edhe partia Demokratike ka patur korrupsion, jemi të vendosur ta luftojmë dhe atë. E di që shpesh kjo retorikë është bërë bajat pasi sa herë që ne kemi dalë, propaganda e qeverisë dhe qytetarët kanë folur për korrupsionin e Partisë Demokratike. Ajo që unë i them të gjithëve është se ne kemi vendosur të shkëputemi nga e kaluara dhe të vijojmë drejt të ardhmes”, tha Basha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.