Legjislatura e 10-të, çfarë pritet të ndodhë të premten në Parlament! Nga verifikimi i mandateve te betimi i deputetëve, procedurat që do ndiqen në mbledhjen e parë





MARIGLEN KUME/ Me dekret presidencial 10 shtatori do të shënojë nisjen e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë. 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature.

rama-parlament-niklolla

Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do ta ketë deputetja e PS-së, Luljeta Bozo. Ndërsa deputetët më të rinj do të jenë në sekretariate deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Deputetët do të përfaqësojnë partitë politike që dolën nga 25 prilli.

Ndërkohë, drejtuesja e përkohshme e Kuvendit do të lajmërojë ngritjen e një komisioni që do të bëjë verifikimin e mandatit të deputetëve. Komisioni i përkohshëm do të përbëhet nga 9 deputetë dhe përbërja e tyre do të jetë në përpjesëtim të drejtë me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Pra, PS që ka më shumë mandate në Parlament, pritet të ketë më shumë anëtarë në Komisionin e Përhershëm. Rregullorja e Kuvendit i lë afat dy ditë komisionit për të bërë verifikimin, por referuar praktikës së mëparshme, kjo procedurë mbyllet brenda ditës, pasi supozohet që kandidaturat dhe mandatet janë shpërndarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kanë kaluar në filtër.

“Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin”, thuhet në nenin 3 të Rregullores së Kuvendit.

Pasi bëhet verifikimi i mandateve, atëherë deputetët ftohen që të betohen një nga një. Teksti i betimit lexohet nga drejtuesja e Kuvendit. Nëse mungon ndonjë deputet, ai betohet në seancën më të parë; nëse nuk paraqitet edhe në seancën tjetër, atëherë presupozohet se refuzon mandatin dhe bëhet zëvendësimi.

ZGJEDHJA KRYETARIT TË KUVENDIT

Pas konstituimit të Parlamentit, në një seancë tjetër, që sipas praktikës së mëparshme është mbajtur po në të njëjtën ditë, zgjidhet drejtuesi i Kuvendit. Kandidati për Kryetar të Kuvendit duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një ligjvënës nuk mund të propozojë më shumë se një kandidat. “Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi, i përbërë prej 5 deputetësh, që pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen edhe detyrën e kryetarit të komisionit të votimit dhe shpall rezultatin e votimit.

Drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij”, vijohet më tej në nenin 6 të Rregullores së Kuvendit. Ndërkohë, një javë para nisjes së legjislaturës X, Partia Socialiste përmes një shkrese që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla, i kërkoi kreut të shtetit që të mandatojë Edi Ramën si Kryeministër për të tretën herë radhazi.

Sipas nenit 96 të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti emëron Kryeministrin në fillim të legjislaturës me propozim të partisë apo koalicionit që ka shumicën. Sipas rezultatit të certifikuar nga KQZ, shumica në zgjedhjet e 25 prillit i takon Partisë Socialiste dhe në këto kushte, duket se emërimi i Edi Ramës në krye të qeverisë për të tretën herë radhazi është i pashmangshëm për kreun e shtetit, Ilir Meta. Si Kushtetuta, ashtu edhe Rregullorja e Kuvendit, nuk i ka caktuar afat kreut të shtetit se brenda sa ditëve duhet të shprehet për kandidaturën për Kryeministër. Pasi të shprehet edhe kreu i shtetit, atëherë Kryeministri Rama i çon kreut të shtetit kabinetin qeverisës. Në këtë pikë Presidenti ka 7 ditë kohë për t’u shprehur për Këshillin e Ministrave. Ndërkohë, dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda 10 ditëve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *