Leo Mesi, nis lufta e sheikëve/ Tërmeti nga Spanja gjen të papërgatitur edhe dy klubet më të pasura të Europës










Do të largohet, por ku do të shkojë? Kush mund t’i lejojë vetes që t’i paguajë një rrogë prej 50 milionë eurosh neto për pesë vitet e ardhshme Lionel Mesit? Fotot në Ibiza me Nejmarin, Verratin dhe Di Marian, postuar nga sulmuesi brazilian i PSG-së, nisën spekulimet e para, por më shumë do të mësojmë më ditët në vijim.

Mesi me Nejmar

Mesi dhe Nejmar janë dy shokë shumë të mirë që prej kohëve të tyre në “Camp Nou” dhe gjithnjë kanë dashur të luajnë së bashku edhe njëherë tjetër. PSG e ka ëndërruar prej kohësh këtë moment, por ky lajm gjen të papërgatitur edhe Naser AlKhelaifin. Skenarët përpara janë ndër më të çmendurit. Sepse që të firmosin me Mesin, francezët duhet të largojnë një yll si Mbape, që për të mos e humbur me parametër zero verën e ardhshme, do duhet ta shesin që tani.

Por a e përballon dot Reali një operacion të përmasave kaq të mëdha financiarisht për francezin në këtë moment? Edhe kjo mbetet për t’u parë. Përveç PSGsë, Mançester Siti është destinacioni tjetër më i mundshëm ku argjentinasi mund të firmosë. Me kampionët e Anglisë, të drejtuar nga idhulli i tij Pep Guardiola, Mesi kishte një marrëveshje verën e shkuar, kur pati atë kërkesë për t’u larguar nga “Camp Nou”, por Barcelona nuk pranoi t’ia prishte vitin e fundit të kontratës.

Mesi

750 MILIONË TE SITI – Ekzaktësisht një vit më parë, Tsiki Begiristain dhe babai i Mesit, Zhorge, arritën marrëveshjen 5-vjeçare. Ajo do të ndahej në 2 periudha, 2 vite me Mançester Sitin dhe 3 vite të tjera me klubin simotër të Nju Jork Sitit në SHBA. Mesi do të fitonte 100 milionë euro neto në sezon në “Etihad”, me një kontratë që shkonte në total 750 milionë euro për 5 vite. Pjesa tjetër, 250 milionë eurot do të përfitoheshin nga argjentinasi si bonus për firmën me Nju Jorkun.

Mesi Barca2

Sigurisht që një akord i tillë nuk është më në fuqi. Pep Guardiola e ka thënë gjithnjë se dëshironte që Mesi ta mbyllte karrierën në “Camp Nou”. Ai thoshte se do ta rishikonte mundësinë për ta ripërqafuar lojtarin më të fortë që ka stërvitur, vetëm kur një gjë e tillë të mos ishte më e mundur. Tani është pikërisht momenti. Problemi i vetëm është se ashtu si në rastin e PSG-së, ky lajm gjen të papërgatitur edhe “Qytetarët”. Mbrëmë, ata sapo kompletuan transferimin më të shtrenjtë të historisë së futbollit britanik, Xhek Grilish për 100 milionë paund nga Aston Vila.

Nga ana tjetër, po tentojnë të transferojnë edhe Herri Kejnin nga Totenhemi. Sulmuesi rebel i “Spërsave”, i cili ka nisur manovrat e tij për të detyruar klubin që ta shesë në “Etihad”, mund të jetë i sakrifikuari i madh. Sepse Siti nuk mund të transferojë edhe Kejnin edhe Mesin. Por futbollisti më i mirë në botë pa kontratë nuk do të qëndrojë për shumë gjatë pa busull.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *