“Letër kancelarive”, anëtari i kryesisë së PD-së ironizon aksionin e grupimit të Berishës: Hera e fundit që partnerët ngritën telefonin ishte…

leter kancelarive anetari i kryesise se pd se ironizon aksionin e grupimit te berishes hera e fundit qe partneret ngriten telefonin ishte
leter kancelarive anetari i kryesise se pd se ironizon aksionin e grupimit te berishes hera e fundit qe partneret ngriten telefonin ishte

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gentian Gaba, reagon pas zërave të disa deputetëve të grupimit të Sali Berishës për krijimin e një sigle të re partiake, duke theksuar se krijimin i kësaj sigle do të thotë zgjedhje të reja brenda saj. Ai ironizon propozimin e Berishës për t’u shkruar kancelarive ndërkombëtare, duke theksuar se prej dy vitesh janë të sanksionuar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gaba ndalet edhe tek kërkesat e grupit të deputetëve të Berishës për komisionet hetimore parlamentare, duke theksuar se hera e fundit që partnerët ngritën telefonin për të mbështetur kërkesën e opozitës për hetim parlamentar ishte ajo në të cilën PD-ja e drejtuar nga Basha fitoi me mund komisionin për inceneratorët.

Reagimi i plotë:

Dje doli episodi i dytë i telenovelës “Zëra nga revolucioni”. Këtë javë protagonistët e kanë lënë mënjanë temën e partisë së re, madje promotorët e idesë ose janë dëbuar ose kanë zgjedhur të mos jenë më pjesë e serialit, sidomos pasi Berisha e mbylli me forcë atë debat. Tre deputetë, pas të cilëve fshihen shumë të tjerë që nuk kanë guxim ta shqiptojnë këtë gjë pranë Berishës, u përpoqën ta nxisin diskutimin për një sigël të re, me rrjedhje të pilotuara në media, pasi, bashkë me nevojën për një emër të ri, ka lindur mes tyre edhe nevoja për pozicione të reja brenda Foltores. Një parti e re do të thotë zgjedhje të reja, pra poste të reja për ambicie të vjetra.

Gjithsesi, nuk di çfarë pëlqyen shikuesit e tjerë nga episodi i dytë, por mua më argëtoi tej mase ideja e hartimit të letrave për kancelaritë ndërkombëtare. Në thelb ajo mbart gjithë ngërçin dhe ngecjen dy vjeçare të debatit, sepse edhe pasi kanë 24 muaj që i bien murit me kokë, të sanksionuarit nga perëndimi propozojnë t’i shkruajnë perëndimit, pra një shenjë e qartë përçartjeje.

Andaj dhe pyetja që lind vërtik është, a janë duke tallur veten apo ndjekësit e tyre?! Pasi ato letra, jo vetëm që nuk i pret njeri përtej Adriatikut, por ndërkombëtarët ua kanë thënë në mënyrë të qartë dhe të përsëritur, se nuk merren me ta dhe me ata që u shkojnë nga mbrapa.
Ndaj kjo dalldi epistolare plot hipokrizi është tallja më e madhe me njerëzit që kanë patur besim tek ata, sepse përpiqen të vendosin veten në rolin e viktimës së regjimit, por në fakt janë nga i pari tek i fundit përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhen. Secili sipas peshës dhe rolit të tij, por askush nuk është pa mëkat, sidomos pasi këmbëngulin të shmangin origjinën e konfliktit, që është sanksionimi si ‘non grata’ i Berishës.

Është tallje me njerëzit që u shkojnë pas, sepse këtyre deputetëve u janë dhënë dy alternativa të qarta në vitin 2021.
E para, ishte ajo e distancimit nga non grata, duke hapur një perspektivë të re për PD-në në marrëdhënie me partnerët, që do të mbështesin reformimin e saj për ta kthyer në alternativë fituese.

E dyta, ishte ajo e heshtjes dhe mosmbajtjes të asnjë qëndrimi për non gratën, me pasojë izolimin ndërkombëtar dhe margjinalizimin e përjetshëm.
Pavarësisht se sa shumë gjëra kanë ndodhur në këto dy vite, fraktura është ende kjo. Pra, çdo lëvizje, veprim, reagim, ka në qendër këtë moment, dhe pozicionimi në raport me këtë çështje përfaqëson edhe ndërtimin e identitetit politik duke krijuar një dikotomi të pastër, midis atyre që kërkojnë që PD-ja të mbijetojë dhe të ketë një aleancë me partnerët strategjikë, apo të të tjerëve që pajtohen me idenë, që rëndësi ka të tubohen rreth një individi të padëshiruar nga perëndimi, pavarsisht pasojave për Partinë Demokratike dhe Shqipërinë.

Dhe këta deputetë, që këto ditë kanë ndryshuar fanellë, e bashkë me fanellën parimet dhe vlerat për të cilat kanë aderuar në PD (qëndrimi euro-atlantik është pjesë thelbësore e identitetit të PD-së, nëse nuk e pranon nuk mund të jesh pjesë e saj), kanë vendosur me vetëdije të ecin në një rrugë që dëmton dhe margjinalizon Partinë Demokratike.

Pra, sovranistët e rinj e të vjetër, duke njohur shumë mirë realitetin, shuplakat ndërkombëtare që janë përcjellë edhe në shuplaka elektorale edhe më të rënda nga zgjedhjet në zgjedhje, janë në fakt atentatorët më të mëdhenj ndaj opozitës, më të mëdhenj se Edi Rama me shokë.
Dhe, sa herë që do të përpiqen të fshehin çështjen që është në themel të ndarjes, sa herë që do të fshehin pafuqinë dhe mungesën e kurajos qytetare e politike për t’u përballur me të vërtetën, do të marrin të njëjtin rezultat.

Prandaj, nga revolucioni që do shpartallonte Ramën për 6 muaj, kaluan tek mposhtja e Ramës me zgjedhje, të cilat nuk do të prekeshin prej Ramës sepse tashmë opozita ishte “e vërtetë”. Por, pasi iku revolucioni bashkë me fitoret imagjinare të zgjedhjeve, pafuqia po e shtyn këtë grupim të mbijetuarish të revolucionit permanent, të përdorë mjetet e limituara që kanë, duke e zhvendosur sheshbetejën tek ambientet e ngushta e të mbuluara mediatikisht të parlamentit nga ku mund të bëjnë zhurmë e gjullurdi, për t’u vetëshpallur opozitë e vërtetë.

Një ndryshim taktike që nuk ka ardhur si pasojë e forcës dhe sigurisë së tyre përballë mazhorancës, por nga e kundërta: Tkurrja e vazhdueshem dhe e pashmangshme e diçkaje kundërhistorike dhe në kontradiktë me interesat e shqiptarëve. Pra, në pamundësi për të organizuar protesta, për të dalë në qytete e fshatra, për të ofruar një vizion, një alternativë, një ekip me qëndrime të qarta e koherente, do kapin me forcë mikrofonat dhe kamerat e parlamentit, për ta spostuar më vonë shfaqjen tek emisionet politike. Me shpresën e vobektë se dikush nga matanë Adriatikut do shqetësohet për ata dhe sjelljen e tyre.
Por kjo nuk ka për të ndodhur. Hera e fundit që partnerët ngritën telefonin për të mbështetur kërkesën e opozitës për hetim parlamentar ishte ajo në të cilën PD-ja e drejtuar nga Basha fitoi me mund komisionin për inceneratorët. I vetmi komision hetimor që pati sukses, sepse u grit, gjalloi dhe shkoi deri në fund, vetëm për shkak të mbështetjes ndërkombëtare. Paçka se disa “sovranistë” votuan kundër raportit të PD-së, në fund përshëndetën rezultatet e tij, që janë fryt i pamohueshëm i presionit të partnerëve tek mazhoranca.

Këtë mbështetje ata që janë në kurs të papajtueshëm me politikat dhe strategjitë e partnerëve në Shqipëri nuk kanë për ta pasur kurrë. Ju pëlqen apo jo, e gjykojnë të drejtë apo jo, pak rëndësi ka. Ata janë pajtuar me këto rregulla loje, ata janë farkëtuesit e këtij sistemi ku ndërkombëtarët janë gjilpëra e peshores, e tani le të përballen me zgjedhjet e tyre.

Për këto arsye, gjama që do të shpalosin para kamerave dhe mikrofonave personat që i kanë thënë njëri-tjetrit vrasës, nuk është krizë e opozitës, as e PD-së, por kriza personale e Berishës dhe deputetëve të tij. Për sa e vështirë mund të duket, për sa zhurmë e të shara do të ketë në ditët dhe javët në vijim, kjo situatë do të kalojë. Të çjerrat e fytit, të skuqurat e fytyrave, balta e hedhur ekraneve apo rrjeteve sociale, do të veniten ashtu siç u venitën akuzat penale që kanë këmbyer mes tyre si pa të keq oportunistët, që sot spërdridhen sipas orientimit të karrigeve dhe halleve peronale, e jo të interesit publik.

Ajo që ka rëndësi për shëndoshjen e opozitarizmit është që Partia Demokratike e Shqipërisë të vijojë në kursin e nisur më 9 shtator 2021; t’i qëndrojë vlerave dhe aleancave të shpallura, të reformohet gjithmonë e më shumë, e të jetë pranë njerëzve e në shërbim të tyre. Opozita duhet t’u japë njerëzve një alternativë vlerash dhe morali, dhe jo të derdhë lotë krokodili për parlamentarizmin, kur në fakt janë lotë për karriget e parlamentit që nuk do t’i fitojnë dot kurrë më.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts