Letra/ Duka sulmon Fidel Yllin për zgjedhjet në KOKSH: Faj i rëndë, po politizojnë gjithçka

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar nëpërmjet një letre publike për zgjedhjet në KOKSH, të cilat do të mbahen më 17 prill.

Ai e ka konsideruar politizim të skajshëm këtë asamble, duke kritikuar kandidaturën e Fidel Yllit, njëherazi edhe kandidat për deputet në Tiranë më 25 prill.

Duka u ka bërë thirrje që të votojnë të gjithë dhe të mos ushtrohet presion politik mbi ata që kanë të drejtë vote, duke lënë të kuptohet se ka nisur një “luftë” e nëndheshme tashmë. Kujtojmë se për pozicionin e presidentit të KOKSH kandidojnë edhe Artan Shytaj (i propozuar nga FSHF) dhe Martin Biba, ish-president i federatës së Mundjes.

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar përpara asamblesë zgjedhore.

Caktimi i datës së zhvillimit të saj në kulmin e fushatës së zgjedhjeve politike, vetëm 7 ditë përpara datës 25 prill, është një veprim që synon të ndikojë politikisht në rezultatin e tyre. Ne e kemi kundërshtuar përfshirjen në kandidim për president të një deputeti që synon të zgjidhet përsëri në listën e PS. Ky është një politizim i hapur dhe shumë i dëmshëm për një organizatë sportive, që në statutin e saj përcaktohet si apolitike. Është e qartë që edhe vetëm kandidimi i një personi me pozicionim të qartë partiak është një faj i rëndë.

Opinioni sportiv është njohur me tentativën e një komisioni anonim, që kërkon të ndikojë në procesin zgjedhor duke përjashtuar nga kandidimi dhe votimi individë dhe 23 federata anëtare të KOKSH. Kjo është një tentativë jo statutore që synon të ndryshojë votuesit dhe listën e kandidatëve për ti hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve. FSHF dëshiron ti bëj të qartë iniciatorëve të këtyre veprimeve se, nëse vazhdojnë me këto veprime, do të kallzohen penalisht në gjykatë.

FSHF i fton të gjithë anëtarët e KOKSH që të përdorin të drejtën e tyre të votimit për të ndryshuar historinë e deritanishme të kësaj organizate dhe për ta rikthyer atë në rrugën e ligjshmërisë. Nëse dikush mendon se mund të përdorë presionin politik mbi anëtarët e Asamblesë apo se mund të manipulojë zgjedhjet, atëherë le të bëhemi bashkë për të treguar forcën dhe vullnetin tonë në dobi të sportit dhe drejtësisë.

KOKSH është organizata jonë dhe jo e atyre që e kanë marrë peng politikisht dhe duan të vazhdojnë ta mbajnë peng edhe në të ardhmen.

Armand DUKA

President i Federatës Shqiptare të Futbollit

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *