
20:20 11/10/2022
Kompania që i administron ka vendosur mbylljen e tyre
Një nga arsyet kryesore përse nga viti në vit shpellat Miskolctapolca në Hungari frekuentohen nga një numër i lartë vizitorësh jo vetëm nga i gjithë vendi por edhe jashtë tij janë burimet ujore termale.
Por ky atraksion shekullor po vuan pasojat e një krize moderne, çmimet e larta të gazit. Vitet e fundit, këtu është përdorur gazi për të rritur temperaturat në pishina dhe shpella, veçanërisht gjatë dimrit. Por më pas Rusia pushtoi fqinjin e Hungarisë, Ukrainën, duke shkaktuar një tërmet në ekonominë globale dhe tregjet e energjisë.
Për Miskolctapolca, dhe biznese të tjera në të gjithë Evropën dhe më gjerë, kjo krizë përkthehet në formën e faturave të kripura. Në këto kushte administratorët nuk ja dalin dot dhe do të mbyllin aktivitetin e saj.
“Fatkeqësisht, ne duhet të mbyllim llixhat në shpellë dhe kjo ka një arsye të vetme, gazi në tre muajt nga tetori deri në dhjetor do të kushtojë 61 milionë forinta shtesë, vetëm këto tre muaj”, është shprehur administratori Judit Nemeth.
Vizitorët që laheshin në ujëra për herë të fundit, ende shpresojnë për një ndryshim të minutës së fundit.
“Nuk mund ta kuptoj mbylljen e një kompleksi kaq të mrekullueshëm. Qeveria mbështet të gjitha llojet e gjërave, a nuk mund ta mbështeste edhe këtë? Është një mrekulli e vërtetë e vendit tonë”, ka thënë vizitorja Andrea Muszka.
Mbyllja e këtyre llixhave do të ketë një ndikim të pashmangshëm tek hotelet dhe bujtinat dhe bizneset e tjera turistike në zonën përreth,një shenjë shqetësuese për një industri që sapo kishte filluar të rikuperohej nga pandemia e COVID-19.
Klan News