“Lokateli më kujtoi festën e golit tim në 2006-ën”, Del Piero i ekzaltuar nga mesfushori i ri i Italisë: Më vjen të qesh, pasi jam i bindur që…






Italia vazhdon të fitojë dhe të bindë, por çdo ndeshje që kalon po zbulon gjithmonë e më shumë edhe vlerën e individualiteteve që ka në grup trajneri Roberto Mançini. Kundër Zvicrës ishte radha e Manuel Lokatelit që të fitonte vitrinën kryesore italiane, por edhe europiane, falë një dopiete fantastike e cila shërbeu për të dërguar shumë shpejt “Axurrët” në 1/8-at e këtij “Euro 2020”.

Del Piero dhe Lokateli

Festa e çmendur, sidomos ajo pas golit të dytë që vuri në kasafortë tri pikët emocionoi shumë edhe Alesandro del Pieron, i cili nga zyrat e rrjetit “ESPN” ku po komenton dhe analizon këtë kompeticion i thuri elozhe në distancë Lokatelit. “Goli i Manuelit si ai i imi në 2006- ën në Botëror kundër Gjermanisë? Mendoj se e kishit fjalën për festimin që Lokateli bëri… Po, për atë po, ishte një shpërthim fantastik, i drejtë dhe emocionues, ku me të vërtetë mendova menjëherë për festën e bërë nga unë në Dortmund.

Madje, për sa i përket golit, unë mendoj se Lokateli bëri një gol të dytë shumë më të bukur sesa imi, pasi kalibrimi dhe fakti që arriti ta mbajë topin tokazi ishte çelësi për të shënuar. Këto janë gjeste teknike shumë të vështira për t’u kryer, por nëse në ato kushte arrin ta drejtosh topin në rrjetë do të thotë se ke cilësi të mëdha, shumë qetësi dhe vetëbesim. Këto karakteristika janë tepër të rëndësishme, madje nuk i shoh vetëm te Manuel, por tek i gjithë grupi italian, i cili po na dhuron emocione shumë të bukura. Dua gjithashtu të duartrokas aksionin e golit të parë:

Zhorzhinjo që bën një pasim të çmendur fluturimthi, ndërsa Berardi me shumë zgjuarsi vonon driblimin e parë dhe pason saktë në qendër për Lokatelin. Perfeksion dhe gjakftohtësi. Më vjen të qesh, pasi jam i bindur që duke e parë në televizor, më duket se Lokateli po thoshte: ‘Nuk dua ta besoj’. Por, unë i them që të besojë, pasi ne besojmë tek ai dhe tek Italia e Mançinit”, tha ish-sulmuesi i Italisë dhe i Juventusit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *