Luajnë finalen e Kupës ndaj Atalantës, flet Pirlo: Dua të ngre trofeun e dytë, nuk më intereson se cili do të jetë trajneri i ardhshëm






Andrea Pirlo, ndonëse i kontestuar dhe në të njëjtën kohë me më shumë se një këmbë larg Juventusit, sot në mbrëmje në orën 21:00, do të luajë finalen e tij të dytë që në sezonin e parë si trajner. Madje, nuk ngurron të thumbojë të gjithë ato që duan rivalin Xhanpiero Gasperini, në vend të tij në Torino.

pirlo

“Se cila do të jetë e ardhmja ime apo trajneri i ardhshëm i Juventusit nuk më intereson. Unë di të them se që në vitin tim të parë kam luajtur dy finale, duke bërë po aq sa çfarë ka arritur rivali im në më shumë se 15 vite karrierë. Gjithsesi, një trajner si Gasperini meriton gjithë respektin e botës. Është gjë e mirë t’i njohësh vlerat e tij sportive, por vetëm kaq… Nesër (sot) është një finale për t’u fituar dhe pa dyshim që ky është objektivi im dhe i yni.

Pas kësaj sfide, na pret edhe një ndeshje e fundit në kampionat për të tentuar kualifikimin në Champions, ndaj me një sukses në Kupë do të kemi entuziazmin e duhur që të shkojmë në Bolonjë. Pas Superkupës do të ishte bukur që ta fitonim edhe trofeun e dytë sezonal. Madje, Kupën e Italisë do ta ndiej edhe më shumë, duke qenë se këtë finale e kam merituar të gjithën në fushë”, bën hyrjen e tij trajneri i Juves.

Ndërkohë, Andrea Pirlo jep edhe garancinë e parë lidhur me formacionin e sotëm. “Bonuçi nuk do të jetë. Ka pasur një problem në gju, një ndrydhje gjatë stërvitjes, – vazhdon 41-vjeçari, i cili lë të hapur alternativat për sulmin. – Dibala, Morata apo Kulusevski? Paulo është mjaft mirë. Ka qenë shumë aktiv në stërvitje dhe ndaj Sasuolos më pëlqeu. Vërtet mungoi me Interin, por Dibala është gati për Atalantën, ndonëse edhe Morata e Kulusevski janë gati”.

Finalja e Kupës së Italisë do të ketë edhe risinë e madhe sivjet, praninë e 4300 tifozëve, diçka e cila pa dyshim emocionon edhe trajnerin e Juventusit, Andrea Pirlon. “Do të jetë diçka shumë e bukur. Ne këtë atmosferë patëm fatin ta shijojmë dy herë edhe në Champions, madje përpara 20 mijë spektatorëve dhe sigurisht që diferenca u pa qartë.

Fundja, nuk ka asnjë më të bukur sesa mbështetja e ultrasve për të rritur adrenalinën dhe të fitosh edhe për të një ndeshje, një trofe”, përfundoi “Maestro”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *