Lufta në Sudan rrezikon trashëgiminë kulturore

13:15 04/06/2023

Shumë artistë zgjedhin të largohen, disa zgjedhin të qëndrojnë

Salah Abdelhay është mes shumë banorëve të kryeqytetit Khartoum të cilit i është dashur të braktisë shumë nga veprat e tij të artit pas nisjes së luftës në Sudan mes tyre edhe disa piktura mjaft të dashura për të.

Piktori 65-vjeçar dhe profesori i artit në pension shkoi në Egjipt me gruan dhe dy vajzat e tij, duke lënë pas tre djem të cilëve u mungonin dokumentet e nevojshme për të hyrë në vend.

Para se të largohej, ai  mori me vete disa nga veprat e tij të artit  dhe i solli ato në Kajro. Por një pjesë e mirë e tyre mbetën në Sudan.

“Ne kemi frikë se trashëgimia sudaneze do të dëmtohet duke nisur nga artet e bukura, muzika dhe gjithçka. Këta njerëz mund të shkatërrojnë gjithçka, sepse nuk ja kanë idenë vlerën që paraqesin”, tha ai.

Konflikti midis fraksioneve ushtarake rivale pushtoi shpejt kryeqytetin nga 15 Prilli, duke bllokuar civilët  të cilët e gjetën veten mes bombardimeve ajrore dhe përleshjeve të dhunshme.

“Kur u larguam nga Khartoum, arrita të merrja me vete disa piktura, të cilat i hoqa nga kornizat e tyre. Ka disa vepra dhe piktura të tjera të mëdha të ekspozuara në galeritë në Khartoum, këto nuk mund t’i merrja me vete, madje edhe pronarët e galerisë nuk mund t’i merrnin veprat e artit në galeri sepse ndodhet në zonë lufte. Unë kam gjithashtu  disa vepra arti me përmasa të mëdha që ishte e vështirë për t’u mbajtur”.

Arti sudanez i cili u zhvillua pas kryengritjes popullore kundër autokratit Omar al-Bashir, tani rrezikohet nga lufta.

“Shumë artistë kanë si burim kryesor të të ardhurave pikturat e tyre drejtpërdrejt dhe nëse nuk janë drejtpërdrejt ato, atëherë janë produkte që lidhen me krijimin. Për fat të keq, për shkak të asaj që po ndodh në vend, asnjë nga këta artistë nuk ka të ardhura dhe këtu përfshihen mësuesit dhe pedagogët e fakultetit të arteve”.

Nën sundimin islamik të Bashirit, aktivitetet kulturore dhe shoqërore kontrolloheshin rreptësisht.

“Ne kemi qenë gjithmonë të shtypur, veçanërisht gjatë kohës së al-Bashir, koha nga 1990 deri në 2019 kanë qenë një  periudhë regresi. Bashiri fshiu arkivat, dogji piktura, konfiskoi shumë prodhime artistike dhe letrare”.

Por kur Omar Al-Bashir u rrëzua në vitin 2019, pati një zhvillim të madh kulturor.

“Arti po zhvillohej shumë, kishte kaq shumë interes për të nga qytetarët, kishte edhe shumë ekspozita. Shkurtin e kaluar, pati tre hapje ekspozitash në të njëjtën ditë dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e artit në Sudan. Është e trishtë që lufta  po ndalon progresin që pati arti. Më trishton vërtet të di se kjo periudhë progresi dhe për të cilin kemi punuar kaq shumë do të ndalet disi. Pra, shpresojmë që të mos ndodhë”.

Galeria e Doëntoën Shadad ka mbledhur pak më shumë se 8,500 Dollarë nga një objektiv prej 30,000 Dollarësh për të mbështetur financiarisht artistët gjatë luftës. Një nga 70 personat që po ndihmon galeria është Muhammed Yusuf, i cili refuzon të largohet nga studioja e tij në Omdurman, qyteti ku u rrit.

“Unë kam rolin tim si novator, si dhe jap konributin tim për shoqërinë dhe ky është vendi nga i cili do të doja të krijoj”, thotë ai.

Por artistë të tjerë janë shpërndarë. Reem Al Jeally, një piktore sudaneze, e cila kishte studion e saj në zonën e Khartoum, ku janë zhvilluar shumë luftime të ashpra, duhej të linte të gjitha veprat e saj, përveç një skice të vogël që e mban gjithmonë në çantë.Kur u pyet nga gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters se cilat ishin ëndrrat e saj ajo u përgjigj kështu.

“Po të ma kishit bërë këtë pyetje para 15 Prillit, do t’ju kisha dhënë një përgjigje krejtësisht tjetër. Ëndrrat tona tani janë të thjeshta, së pari është që lufta të ndalet dhe njerëzit të kthehen në vendin e tyre. Ne kishim ëndrra të mëdha për vendin tonë, tani nuk e dimë se çfarë do të gjejmë atje. Dje, dëgjuam se shtëpia jonë ishte plaçkitur, kështu që nuk jemi të sigurt se çfarë do të gjejmë kur të kthehemi. Ëndrrat ime tani është që lufta të përfundojë, që njerëzit të jenë në paqe dhe të kenë siguri dhe më pas, ne mund të mendojmë për ëndrrat që kishim dikur”, tha ajo.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts