
Kur kaluan muaj të tërë nga nisja e luftës në Ukrainë, Rusia po përballet me mungesa të theksuara të rekrutëve të cilët duhet të dërgohen në front.
The Mirror ka raportuar se presidenti rus Vladimir Putin është duke u përpjekur tashmë që të rekrutojë personat e pastrehë.
Media britanike ka raportuar për një rekrutues të cilët shënjestrojnë të pastrehët në një lagje qendrore të Shën Petersburgut në detin Baltik.
Një burim i paidentifikuar tha për shërbimin e lajmeve Rotunda se një rekrutues shpërndante fletëpalosje dhe shpjegonte se meshkujt do të thirreshin për të shërbyer.
Rotunda raportoi se zyrtarët në administratën e qytetit kishin konfirmuar se një rekrutues ishte përpjekur të angazhonte të pastrehët e qytetit, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar një aktivitet të tillë.
Një tjetër masë e marrë nga Putin ka qenë edhe rritja e moshës minimale për rekrutët, madje ka udhëzuar drejtuesit e burgjeve që të përpiqen të mobilizojnë të burgosurit dhe t’i rekrutojnë për t’i dërguar në front.
Putin nënshkroi së fundmi një dekret për rritjen e personelit ushtarak të forcave të armatosura ruse në më shumë se 1.15 milion, pas humbjes së rreth 70 mijë trupave në konfliktin në Ukrainë.
Ministria Britanike e Mbrojtjes ka njoftuar se as një dekret i tillë nuk pritet të sjellë një ndryshim drastik të mbushjes së boshllëqeve në ushtrinë ruse.
Kremlini madje po ofron edhe bonuse rreth 7000 euro për rekrutimet si dhe po përdorin anëtarët e grupit të mercenarëve Wagner për të mbushur boshllëqet e mëdha në vijën e parë të frontit.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al