
20:09 19/03/2022
Në Kiev ora shënon 20:00. E teksa errësira mbyll ditën e 24-të të konfliktit, situata paraqitet e rënduar.
Luftë e ashpër për Mariupolin: Kryebashkiaku thotë se në rrugët e qendrës së qytetit po zhvillohen beteja intensive, ndërkohë që vijojnë përpjekjet për të shpëtuar qindra njerëz të bllokuar ende në bodrumin e teatrit të bombarduar të mërkurën. Forcat ruse e kanë rrethuar qytetin port që ndodhet në jug, e që përjeton prej ditësh bombardime të ashpra.
Civilë të vrarë: Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore. Por shton se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Polonia bën thirrje për bllokadë tregtare: Kryeministri Mateusz Morawiecki i ka kërkuar BE-së të vendosë një ndalim total tregtar ndaj Rusisë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai thotë se një bllokadë mbi anijet dhe mallrat ruse do ta detyronte Moskën të “ndalojë këtë luftë mizore”.
Armët hipersonike: Rusia thotë se ka përdorur raketa hipersonike për herë të parë në luftë, duke shkatërruar një vend depozitimi armësh në Ukrainën perëndimore. Raketat hipersonike udhëtojnë shumë më shpejt se shpejtësia e zërit, duke i bërë ato të vështira për t’u kapur.
Kostumet e stacionit hapësinor: Agjencia ruse hapësinore ka mohuar që tre nga kozmonautët e saj, të cilët hipën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të veshur me uniforma në ngjyrat e flamurit ukrainas, po protestonin kundër pushtimit./tvklan.al