
10:18 12/03/2022
The Guardian ka raportuar se Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për dështimin për të përmbushur “deklaratat e saj të mëdha” për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
Duke folur në fund të samitit të BE-së në Versajë, Macron kritikoi politikën e vizave të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo e fundit kërkon që refugjatët t’i bëjnë aplikimet personalisht ose në Bruksel ose në Paris.
“Pavarësisht të gjitha deklaratave të mëdha qeveria britanike vazhdoi të zbatonte rregullat aktuale që nënkuptojnë se nuk i mirëpriti refugjatët ukrainas që donin të arrinin në tokën britanike duke thënë se duhet të udhëtonin qindra kilometra për të aplikuar për vizë,” mësohet të ketë thënë Macron sipas The Guardian.
“Do të shpresoja që burrat dhe gratë ukrainase që kanë jetuar tmerr dhe kanë kaluar përmes Evropës për të arritur familjet e tyre në territorin e Mbretërisë së Bashkuar që të trajtohen më mirë”, ka thënë ai.
E njëjta problematikë është vënë në dukje nga vetë Zyra e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar. Sekretarja Priti Patel tha se Britania “tani po e bënte procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë” për pranimin e ukrainasve./tvklan.al