“Makina e së vërtetës”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kritikon Gjykatën Kushtetuese: Merr vendime me dy standarde, e heq nga vetingu i Policisë, por jo te BKH






pjimage - 2021-06-07T093537.476

Gjykata Kushtetuese e reformuar ka marrë kritikat që në vendimet e para të saj. Pa kaluar shumë muaj nga rikthimi në funksionalitet pas reformimit, Kushtetuesja ka marrë kritika nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, përmes një analize shpreh rezerva për vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket çështjes së përdorimit të makinës së të vërtetës te rekrutimi i hetuesve të BKH-së dhe te vetingu i Policisë.

Përdorimi i poligrafit sanksionohet në ligjin e SPAK dhe do të përdoret për testimin e hetuesve të BKH-së dhe te vetingu i punonjësve të Policisë. Këto dispozita Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ankimoi në Kushtetuese. Por në vendimi nr. 20, datë 20.04.2021, Kushtetuesja ka rrëzuar pranimin e padisë sa i përket përdorimit të makinës së të vërtetës te hetuesit e BKH-së dhe ka pranuar pjesërisht për vetingun e Policisë. Në analizën e saj, Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit shprehet se vendimi i Kushtetueses është me dy standarde dhe argumentet janë konfuze.

ERIDA SKËNDAJ

Respekti ndaj vendimeve gjyqësore varet nga besimi i publikut në integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve. Integriteti dhe pavarësia e gjyqtarëve varet nga ana tjetër nga veprimi i tyre pa frikë dhe favore1 .

Me reformën në sistemin e drejtësisë në vendin tonë, krijimi dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese pësoi ndryshime të rëndësishme që synuan të forcojnë pavarësinë, efikasitetin, aksesin dhe besimin e qytetarëve në këtë gjykatë. Paanshmëria dhe integriteti i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përbën një gur themeli për besueshmërinë e publikut në organet e drejtësisë, përfshi këtu dhe Gjykatën Kushtetuese. Për të besuar në drejtësinë kushtetuese që realizohet nga Gjykata Kushtetuese, për publikun nuk është e mjaftueshme të kuptojë se legjislacioni që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj është përmirësuar dukshëm.

Besimi në drejtësinë kushtetuese nuk është klishe. Pjesë e rëndësishme e tij janë vendimmarrjet e kësaj Gjykate. Edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, kritika ndaj tyre nuk duhet të konsiderohet aspak si tabu. Oponencat ndaj këtyre vendimeve mund të shërbejnë si një mjet për të nxitur atë që njihet si “mendimi kritik” dhe që sjell sado modestisht përmirësime apo reflektime pozitive në vendimmarrje të mëtejshme të kësaj Gjykate.

VENDIMI

Ndër vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese për këtë vit, pasi fitoi sërish funksionalitetin e saj, është vendimi nr. 20, datë 20.04.2021, me palë kërkuese Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH). Në kërkesën e tij, KShH kërkoi shfuqizimin e testit të poligrafit në procedurat e rekrutimit të kandidatëve për drejtues ose hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (ose siç njihet ndryshe, makina e së vërtetës) në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Gjithashtu, KShH kërkoi shfuqizimin e dispozitës që parashikon testin psikologjik të integritetit dhe testeve të tjera, edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme në kuadër të vetingut në Polici, në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi të mos pranojë kërkimet e KShH-së për kundërshtimin e testit të poligrafit te ligji i SPAK (95/2016), por ndërkohë pranoi pjesërisht kërkimet e KShH-së për nenin 38/2 të ligjit të vetingut në Polici, duke shfuqizuar togfjalëshin “edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme”.

KRITIKA

Marr shkas në referimin e këtij opinioni kritik, bazuar edhe në vendimmarrje të ngjashme në jurisprudencën e Gjykatës Supreme të SHBA-së ose të gjykatave supreme të shteteve përbërëse të saj, ku ndarjet midis gjyqtarëve në konkluzione apo argumente ndaj testit të poligrafit janë evidente.

Mjafton të përmendim vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së (mars 1998) në çështjen Shtetet e Bashkuara kundër Scheffer (96- 1133), i cili reflekton një larmishmëri të debatit juridik lidhur me poligrafin dhe përdorimin e tij si provë, të parashtruara disa mendime në pakicë apo paralele të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë, vendimit të Gjykatës sonë Kushtetuese i mungoi një larmishmëri debati midis anëtarëve, çka evidentoi qëndrimin njëzëri për të qenë pro përfshirjes së testit të poligrafit ose “makinës së të vërtetës” si kriter emërimi i kandidatëve për hetues dhe drejtues të BKH-së.

KShH referoi gjatë gjykimit kushtetues jo vetëm vendimin “Schefer”, por edhe çështje të tjera të gjykatave të huaja me interes. Kështu, në çështjen “Burgimi i përjetshëm”, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, midis të tjerave, shprehet se të nxjerrësh të vërtetën duke ekspozuar personin, ndaj një makine, është ta vlerësosh atë si objekt dhe jo si qenie njerëzore që është në gjendje të tregojë të vërtetën nëpërmjet një procesi të zakonshëm pyetjeje.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Shtetit Montana (SHBA) të vitit 1983, në çështjen Oberg kundër qytetit Billings, Bruce P. Oberg, një oficer policie, kundërshton që t’i nënshtrohet testit të poligrafit në marrëdhëniet e punës. Nuk ka aspak dyshim që nënshtrimi ndaj testit “Detektori i gënjeshtrës” shkel dinjitetin e dikujt (njerëzor), apo nëse do të testohej (strukturohej) me më rreptësi, mund të përbënte ndërhyje në privatësi – arsyeton Gjykata Supreme e Montantës në këtë vendim.

Në kërkesën e tij, KShH argumentoi se përdorimi i testit të poligrafit apo mjetet teknologjike të posaçme (që sipas KShH-së nënkuptonin këtë test) cenonin disa parime dhe të drejta kushtetuese, të cilat përbëjnë vlera të veçanta për mbrojtjen e dinjitetin njerëzor. Qasjen kritike ndaj këtij vendimi do ta filloja me shprehjen e përdorur në mendimin e pakicës së dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku teksa kundërshtojnë qëndrimin e shumicës vetëm për sa i takon lënies në fuqi te ligji për vetingun në Polici të shprehjes “teste të tjera”, e cilësojnë arsyetimin e shumicës si të sforcuar dhe kontradiktor.

Në fakt, elementet e sforcuara, kontradiktore, jokoherente, në mungesë të një analize të plotë dhe të qartë, vërehen në disa pjesë arsyetuese dhe qëndrime të mbajtura nga shumica, por edhe nga pakica. Gjykata jonë Kushtetuese e njeh dinjitetin njerëzor si vlerën më të lartë njerëzore, dhe mënyra se si është strukturuar dhe parashikuar në Kushtetutë, bën që të theksohet dallimi (pra qëndrimi i tij më vete) dhe njëkohësisht lidhja me të drejtat dhe liritë. Por cenimin ose jo të dinjitetit nga nënshtrimi ndaj testit të poligrafit, pa e lidhur me të drejtat e tjera sikurse është e drejta për privatësi, Gjykata jonë Kushtetuese e shmang në pjesën arsyetuese të saj.

Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë asnjë vlerësim nga pikëpamja kushtetuese, nëse ajo çka ndjen një qenie njerëzore teksa i nënshtrohet një makine që mat ritmin e zemrës, përcjellshmërinë e lëkurës etj. dhe që synon të zbulojë të vërtetën, a e cenon apo jo në dinjitetin e tij/sa njerëzor, i cili qëndron më vete dhe është i skalitur në preambulën kushtetuese dhe a është ky kufizim proporcional?

Në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet asnjë fjalë për shkallën ose probabilitetin e besueshmërisë së testit të poligrafit. Gjykata Kushtetuese në paragrafin 54 referon se do të vlerësojë mënyrën e funksionimit të testit të poligrafit në SHBA dhe përdorimin e tij vitet e fundit në Europë, në proceset e rekrutimit të punonjësve në institucione shtetërore të caktuara. Kur analizon modelin amerikan, Gjykata Kushtetuese evidenton një qëndrim të diskutueshëm për besueshmërinë e poligrafit, të Departamentit të Drejtësisë “Makina e poligrafit nuk është një ‘gjurmues i gënjeshtrës’”, as operatori që interpreton grafikët nuk zbulon “gënjeshtra”.

Teksa ndalet tek analiza e modeleve ligjore për përdorimin e poligrafit në Europë, nga 51 shtete të Europës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmend vetëm dy prej tyre, Lituaninë dhe Poloninë, si dhe referohet dhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë, po pa përcaktuar modelin ligjor që Moldavia ka huazuar për poligrafin, çfarë është kontestuar para kësaj gjykate, argumentet e referuara dhe çfarë është vendosur me anë të këtij vendimi.

CENIMI I TË DREJTAVE

Gjykata Kushtetuese vlerëson se nënshtrimi ndaj testit të poligrafit, në procesin e emërimit të drejtorit dhe të hetuesve të BKH-së, sipas ligjit nr. 95/2016, si dhe nënshtrimi ndaj testit psikologjik të personalitetit në procesin e vlerësimit të subjekteve të ligjit nr. 12/2018, për shkak të metodës së strukturimit të llojit të pyetjeve që i drejtohen individit, vendosin kufizim të së drejtës së jetës private të kandidatit për këto pozicione, i cili pashmangshmërisht cenon edhe dinjitetin e tij (paragrafi 70, fq. 24). Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka arritur në këtë konkluzion nisur nga natyra e pyetjeve që i drejtohen individit, të vendosura në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme, të cilat sikurse pohuan subjektet e interesuara, janë pyetje tip dhe mund të ndryshojnë në varësi të kushteve dhe rrethanave të lidhura me individin që pyetet.

Ndaj, konkluzioni që Gjykata Kushtetuese arrin më tej në vendimmarrje, sa i takon proporcionalitetit të ndërhyrjes në të drejtën për privatësi nuk mund të jetë i saktë, sa kohë një pjesë e pyetjeve që u drejtohen kandidatëve janë të panjohura për vetë Gjykatën, ndërkohë që ligji vetë nuk parashikon asnjë kufizim në drejtim të natyrës apo llojit të pyetjeve drejtuar kandidatëve. Teksa analizon respektimin e kritereve të proporcionalitetit në nenet 81 e në vijim të vendimit të tij, Gjykata Kushtetuese vlerëson se meqenëse nënshtrimi ndaj testit të poligrafit ka qëllim marrjen e sa më shumë të dhënave për integritetin, moralin, aftësitë nervore-psikike, testi duhet të justifikojë qëllimin e tij.

Por ky argument i Gjykatës Kushtetuese është i cunguar, pasi nuk analizohet korrelacioni midis pajisjes dhe si arrin kjo pajisje të identifikojë njerëz me integritet ose jo, njerëz me moral ose jo, aftësitë nervore-psikike (për këto të fundit kërkohet minimalisht konsultim apo ekspertim nga mjekë të fushës së neurologjisë dhe psikiatrisë).

SAKTËSIA E POLIGRAFIT

Për më tepër, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar nga Gjykata Kushtetuese, pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e Gjykatës ndaj subjekteve të interesuar (KM, Kuvendi, Prokuroria e Posaçme) se sa i saktë është poligrafi, përfaqësuesit e këtyre subjekteve refuzuan t’u japin përgjigje, duke deklaruar se këtë e dinë ekspertët. Ndaj, pikëpyetja kryesore që shtrohet është: si mund ta justifikojë këtë qëllim për matjen e besueshmërisë njerëzore një makineri?

Kjo analizë ishte e nevojshme, aq më tepër kur sipas Prokurorisë së Posaçme, kandidatët për drejtues dhe hetues në BKH që i ishin nënshtruar testit kishin dalë kryesisht me rezultate negative, pra me përgjigje jo të vërteta, dhe sërish ishin kualifikuar. Natyrshëm lind një pyetje tjetër e lidhur me kriteret e proporcionalitetit dhe që nuk mori përgjigje në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese: përse është i domosdoshëm poligrafi?

Gjithashtu, interpretimi që Gjykata bën se “Moskalimi me sukses i testit të poligrafit, në rastet kur kriteret e vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës janë përmbushur nga kandidatët, nuk mund të përbëjë kriter skualifikimi në procesin e emërimit për drejtues dhe hetues të BKH-së”, i njëjtë me qëndrimin e SPAK, nuk mund të konsiderohet interpretim i normës, por përbën krijimin e një norme të re juridike. Kjo nuk është në kompetencë të SPAK-ut dhe as të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm të Kuvendit.

Ky i fundit ka parashikuar në ligjin nr. 95/2016, si kriter emërimi, si për kandidatët drejtues apo hetues të BKH-së, të japin pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes. Praktikisht ligji lë në diskrecion të komisionit përzgjedhës për të vlerësuar shkallën në të cilën mbahet në konsideratë informacioni i përgatitur nga specialisti i poligrafit për kandidatët për drejtues ose hetues të BKHsë.

Në paragrafin 92, fq. 30 thuhet: “Gjykata konstaton se në Rregulloren për ekzaminimet e poligrafit të depozituar nga SPAK përcaktohet se informacioni i marrë… trajtohet si ‘tepër sekret’ dhe i vihet në dispozicion vetëm personit të autorizuar (KLP-së, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorit të BKH-së) se në asnjë lloj situate, raporti nuk u jepet personave të tjerë”.

KShH ka ngritur çështjen se zbatimi i kësaj rregulloreje të miratuar nga SPAK ka cenuar parimin e procesit të rregullt ligjor, ndërsa në paragrafin 94, faqe 30, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet: “Nga sa më lart, nisur nga parashikimi i nenit 35, pika 3 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se kandidati që i nënshtrohet testi të poligrafit, pas kërkesës së tij, duhet të ketë të drejtën të njihet me rezultatet e marra në testin e poligrafit”.

Në fakt deri ditën e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata, ky parim (procesi i rregullt ligjor) nuk është zbatuar, gjë që u pohua dhe nga përfaqësuesi i SPAK-ut. Përse Gjykata u është shmangur konkluzioneve sa i takon cenimit të këtij parimi, aq më tepër që qoftë edhe indirekt, teksa kjo është pranuar edhe nga përfaqësuesi i SPAK-ut?!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *