Marin Mema ngre memorial për të nderuar dëshmorët!

marin mema ngre memorial per te nderuar deshmoret

Me iniciativën e gazetarit Marin Mema, në afërsi të zonës së Surrelit në Tiranë, është ngritur një memorial i cili përkujton grupet e para që u stërvitën ushtarakisht në formë të organizuar, me synimin për të çliruar Kosovën. Këto grupe u përgatitën 33 vjet më parë nga ushtarakët e ushtrisë shqiptare ku mes tyre në stërvitje morën pjesë, edhe Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra, sot dëshmorë.

Në ceremoninë e rastit kanë marrë pjesë personalitete të shumta nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

  • foto galeri

Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu e ka cilësuar shumë të rëndësishme këtë iniciative e cila sipas tij forcon identitetin dhe përkujton historinë. Për zotin Moisiu forcimi i lidhjes me kombin është domosdoshmëri, aq më tepër tek brezat e rinj.

Ndërkohë në emër të oficerëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që i stërvitën këto grupe 33 vjet më parë, ish ushtaraku Ylli Mici theksoi se sakrificat e dëshmorëve nuk duhen harruar.

  • foto galeri

“Kujtimi dhe nderimi i tyre mbeten një detyrim”, theksoi Mici në fjalën e rastit.

Mesazhe gjatë këtij aktiviteti u përcollën jo vetëm nga familjarët e dëshmorëve, por edhe nga pjesëmarrësit në këto stërvitje sikurse z. Osman Ferizi.

  • foto galeri

Po kështu një fjalë të rastit ka mbajtur edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri z. Skënder Durmishi.

Një shqiponjë prej bronzi qendron mbi memorialin 5 metra të lartë, i cili është vendosur pranë repartit ku u zhvillua përgatitja ushtarake 33 vjet më parë.

Kjo vepër është realizuar me mbështetjen e shqiptarëve të thjeshtë, duke mundësuar kështu për kryeqytetin një simbol të fortë bashkimi, siç e quajti iniciuesi dhe realizuesi i projektit, gazetari i Top Channel, Marin Mema.

  • foto galeri

“Është koha që ne të ndihemi të fortë si shqiptar, prandaj për ne kishte shumë rëndësi ky memorial, që të kuptohet që ne jemi të gjithë bashkë, që ne duhet të jemi të gjithë bashkë, që ne nuk duhet të ndahemi kurrë, pavarësisht asaj historie të padrejtë që është përpjekur gjatë gjithë kohës të na mbajë të tillë. Ndaj, ne të gjallët sot, duhet të dijmë të respektojmë kujtimin e dëshmorëve, t’i vendosim këmbët fort në tokë dhe të kuptojmë se gjaku i tyre është i shenjtë. Ne duhet të përulemi me respekt ndaj veprës së dëshmorëve” tha ndër të tjera në fjalën e tij Marin Mema.

Mema falenderoi të gjithë mbështetësit e këtij projekti mes të cilëve një falenderim të veçantë ja kushtoi z. Lazim Destani, si një ndër mbështetësit e kësaj vepre.

Në ceremoni morën pjesë familjet Jashari, Çekaj, Pajaziti, Kodra, Hoxha e Qerimi, po kështu ish ushtarakë, diplomatë, figura të njohura të fushave të ndryshme.

Tashmë Tirana do të ketë vendin e saj ku të nderojë dëshmorët e lirisë Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Sali Çekajn, Ilaz Kodrën, etj.

Ky memorial është ngritur në një vend ku më parë nuk kishte asnjë shenjë që ta përkujtonte këtë histori.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts