Marina amerikane përdor anije-dron për të mbrojtur rajonin e Indo-Paqësorit

marina amerikane perdor anije dron per te mbrojtur rajonin e indo paqesorit
marina amerikane perdor anije dron per te mbrojtur rajonin e indo paqesorit

08:09 31/10/2022

Ndërsa ushtria amerikane po shqyrton fuqinë ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, Marina e Shteteve të Bashkuara po orientohet drejt anijeve pa ekuipazh për të shumëfishuar praninë e saj në dete.

Katër anije pa personel janë ndër mjetet që i janë shtuar rishtazi Marinës së Shteteve të Bashkuara. Ato quhen Sea Hunter, Seahawk, Nomad dhe Ranger.

Këtë verë, marina i dha qasje të posaçme Zërit të Amerikës për t’i fotografuar ato për herë të parë.

“Nuk kanë ujë, nuk kanë tualete. Drejtohen nga njerëz vetëm kur dalin dhe hyjnë në port, për arsye sigurie”, thotë Komandanti Jeremiah Daley, të cilit iu lejua t’i japë Zërit të Amerikës një intervistë audiofonike.

Komandanti Daley drejton divizionin e parë të anijeve të telekomanduara, ose siç quhen ndryshe “anijet dronë”. Ai thotë se këto anije pa personel në bord, të cilat momentalisht telekomandohen nga larg, do të mund ta ndihmojnë një ditë marinën amerikane që të patrullojë më mirë 165 milionë kilometra katrorë të Oqeanit Paqësor.

Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe Kina kanë programe për prodhimin e anijeve pa drejtues në bord. Randy Schriver, ish-zyrtar i lartë në Pentagon për rajonin e Azisë, thotë se anijet dronë janë të rëndësishme për ta mbajtur të lirë dhe të hapur rajonin Indo-Paqësor, ndërkohë që Kina po zgjeron dhe po forcon praninë e saj ushtarake.

“Hapësirat për të cilat konkurohet janë duke u shtuar. Dhe mendoj se kanë kosto më të ulët mjetet detare autonome apo pa personel, qoftë nënujore ose të sipërfaqes. Përdorimi i tyre mund të shtrihet më tej, pa rrezikuar jetët e marinarëve”, thotë zoti Schriver.

James Siebens, ekspert në Qendrën “Stimson”, ka shqetësimin se këto anije mund të përbëjnë një objektiv më tërheqës ushtarak.

“Kina për shembull mund ta konsiderojë një anije pa personel si një objektiv jo aq të rrezikshëm ndaj të cilit mund të testojë raketat kundër anijeve”, thotë ai.

Zoti Siebens thotë se pavarësisht këtyre shqetësimeve, anijet pa personel mund të jenë thelbësore për t’iu përgjigjur një bllokade kineze ndaj Tajvanit.

Komandanti Daley thotë se anijet pa personel duhet të bëhen pjesë integrale e forcave të armatosura amerikane brenda pak vitesh. /VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts