Mariupoli i shndërruar në gërmadhë nga rusët

18:00 29/03/2022

Zyrtarët lokalë: 5 mijë të vrarë. Në qytet vetëm 1/3 e banorëve

Rusët e kanë shndërruar në gërmadhë Mariupolin, qytetin që po bën rezistencën më të ashpër ndaj tyre, pa u dorëzuar edhe pse po vuan një krizë të rëndë humanitare.

Të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, zyrtarët lokalë thonë se 5 mijë njerëz mes të cilëve 210 fëmijë janë vrarë vetëm në këtë qytet që prej nisjes së sulmit rus, që këtë të martë hyri në ditën e 34-t.

Shifra është e pakonfirmuar nga burime të tjera, por banorët e këtij qyteti thonë se prej një muaji vuajnë mungesën e theksuar të ujit të pijshëm, ushqimeve dhe shërbimit shëndetësor, teksa gjenden vazhdimisht nën predhat e hedhura nga rusët që kanë rrethuar qytetin.

Në Mariupol u hap këtë të martë një nga 3 korridoret e evakuimit të civilëve. Të dhënat tregojnë se në qytet kanë mbetur vetëm 160 mijë banorë nga 450 mijë që kishte para sulmit.

Bombardimet ruse vazhduan këtë të martë edhe në zona të tjera të Ukrainës. Një sulm me raketa shkatërroi disa banesa në Kharkiv. Hetuesit thanë se 8 persona u plagosën. Edhe ky qytet vuan pasoja të theksuara të krizës humanitare.

Luftimet vazhdojnë edhe në periferitë verilindore të Kievit. Ushtria ukrainase tha se po përparon me rimarrjen e kontrollit në periferitë verilindore.

Megjithatë Presidenti Zelenski thotë se luftimet janë tepër të vështira dhe rusët vazhdojnë të kenë nën kontorll hapësira të gjera. Ai i konsideroi të dobëta sanksionet perëndimore, pasojat e të cilave sipas tij, ukrainasit po i paguajnë me jetë.

Sakaq, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se sulmi i deritanishëm ka goditur rëndë kapacitetin e ushtrisë ukrainase. Sulmet aktualisht janë përqëndruar tek depozitat e naftës.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.