Marrëveshja për emigrantët/ “Romani i Ben Blushit parashikoi kampin e refugjatëve”, Rakipllari: Italisë i kemi borxhe, por duhet transparencë

Drejtori i News24 Robert Rakipllari, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka komentuar marrëveshjen e firmosur sot mes Italisë dhe Shqipërisë, sipas së cilës dhjetëra mijëra emigrantë ilegalë do të strehohen në vendin tonë.

Ai përmendi romanin e fundit të Ben Blushit, “Komploti”, në të cilin flitet për Shqipërinë e vitit 1944 ku një kamp refugjatësh në Shëngjin u bë shumicë dhe arriti të merrte bashkinë dhe më pas bëri komplot për të marrë edhe qeverinë.

Sa i përket marrëveshjes në vetvete, ai u shpreh se Rama është i detyruar të sigurojë transparencë lidhur me këtë iniciativë, pasi sipas tij ajo e tejkalon mandatin e kësaj qeverie dhe duhet të kishte një konsultim sa më të gjerë.

“Në fundjavë më ra në dorë një roman i Ben Blushit,“Komploti” dhe flet për Shqipërinë në vitin 1944, ku një kamp refugjatësh në Shëngjin u bë shumicë dhe arriti të merrte bashkinë dhe më pas bëri komplot për të marrë edhe qeverinë. Kjo është trillim, por nuk prisja të dilte kaq shpejt kjo që ka ndodhur.

Jam dakord me Bardhin pasi Rama nuk mund ta bëjë këtë gjë kaq personale dhe është i detyruar të sigurojë transparencë si do të bëhet kjo iniciativë, pasi kjo e tejkalon mandatin e një qeverie dhe mazhorance me 71 vota. Besoj se kjo do të kalojë në parlament dhe do të jetë përtej mazhorancës aktuale si vendim. Duhet të ishte një konsultim sa më i madh, shoqëruar me transparencën e plotë për këta persona që do të vijnë, sa do të qëndrojnë, etj.

Shqipëria i detyrohet Italisë nëse i duhet ndihmë në këtë moment. Italia me aq sa kam parë dhe ndjekur ka një dyndje drejt Italisë. BE nuk i është përgjigjur si duhet Italisë për ta ndihmuar me menaxhimin e tyre. Në këtë aspekt kjo është një marrëveshje bilaterale me Italinë, e cila na është gjendur kur kemi pasur problematika me eksodin.

Megjithatë kjo nuk mund të bëhet nga Rama në mënyrë personale dhe siç tha edhe Bardhi ai nuk mund ta trajtojë Shqipërinë si çifligun e tij. Duhet zgjidhur me Parlament dhe duke siguruar transparencën e plotë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts