Marrëveshja për portin e Durrësit, Gazment Bardhi: Kontrata më e keqe që bërë ndonjëherë shteti shqiptar me një privat









Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka kundërshtuar nga foltorja e paralamentit marrëveshjen për Portin e Durrësit që maxhoranca socialiste pritet ta kalojë në seancën maratonë të kësaj të enjteje.

bardhi gazmend

Në fjalën e tij Bardhi e cilësoi marrëveshjen si më të keqen që ka njohur ndonjëherë shteti shqiptar. Ai thekson se marrëveshja nxjerr portin e mallrave jashtë përdorimit, dhe nuk i jep shtetit shqiptar asnjë përfitim. Sipas tij qeveria fal 812,000 m² tokë, dhe merr në këmbim vetëm 200,000 euro në vit.

“Kjo smund të jetë kurrë kontrata më e mirë, që ka ardhur në këtë parlament. Është kontrata më e keqe që ndonjëherë shteti shqiptar ka bërë me një privat, është një kontratë nga e cila dëmtohet interesi publik, prandaj VOTA ime dhe e kolegëve të mi do të jetë kundër”, tha Bardhi.

FJALA E PLOTË

Në fakt më në fund një prej kolegëve socialistë tha çfarë meer shteti shqiptar nga gjithë kjo kontratë. I kemi ofruar gjithçka investitorit dhe na paska dhënë të drejtën e fjalës. Të paktën investitori na jepka të drejtën e fjalës sepse ju keni filluar na hiqni dhe të drejtën e fjalës, na u desh sot 2 orë në mëngjes për të fituar opozita të drejtën e fjalës në Parlament.

Të dashur bashkëqytetarë,

Ju e dini që prej 9 vitesh tashmë kemi në këmbë qeverinë që ka propagandën më të zhvilluar që ka patur ndonjë herë një qeveri në 30 vite.

E nëse ky do ishte projekti më i bukur, kontrata më e mirë, kontrata që ofron përfitimet më të mira për shtetin shqiptar, do kishit dëgjuar këto 6 orë çfarë konkretisht përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe shteti shqiptar, nga kjo kontratë që ka ardhur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Foli Kryeministri, shau opozitën. Foli Zv.Kryeministrja, shau opozitën. Foli Ministrja e Financave, shau opozitën. Dhe askush nga ju nuk dëgjoi se çfarë fiton shteti shqiptar apo se çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Durrësit nga kjo kontratë.

E për të thënë nëse është një kontratë e mirë apo jo, do duhet ti referohemi kontratës. Deri më tani, qoftë nga qeveria, qoftë nga kolegët e Partisë Socialiste kemi dëgjuar vetëm emrin Alabaar. A thua se mjafton që ky Kuvend ti japë dritën jeshile kësaj kontrate. Absolutisht Alabaar është një personalitet i njohur edhe i nderuar në fushën e vet, ska askush asgjë me të, por nëse një kontratë është e mirë apo jo për qytetarët shqiptarë, nëse kjo kontratë do duhet të votohet apo jo, kjo bëhet nga analiza se çfarë ne ofrojmë si shtet, dhe çfarë përfitojmë.

Konkretisht, çfarë ofron shteti shqiptar në këtë kontratën më të mirë, historike që është sjellë ndonjë herë në parlament thonë dhe kanë cituat gjithë kolegët e këtij krahu këtej, gjatë këtyre 6 orëve.

Shteti shqiptar i vendos në dispozicion 812,000 m² tokë. Kanë gjithë ditën që përsërisin një gënjeshtër, që pronësia do mbetet në shtet, dhe shteti nuk ia kalon investitorit strategjik këtë pronë. Në fakt kjo është një gënjeshtër. Madje dëgjova Kryeministrin që tha, po të kishit qenë ju, do ja kishit dhënë tokën me 1 euro. Në fakt, po të lexosh kontratën, është pika 10 1.1, toka me 1 euro i jepet investitorit znj.Zv.Kryeministre. Se ju dhe gënjeni, ndërkohë që ne letrat i kemi përpara dhe letrat janë publike. Do jua lexoj:”Investitori strategjik, do të ketë të drejtë të konvertojë parcelën ndërtimore, në pronësi të lirë, në kllapa pronësi të plotë, për pagesën nominale prej 1 euro për shtetin shqptar. ” Pra tokën ja jepni me 1 euro. Dhe pasi zhvillon, thotë pika 10 1.4, znj.Zv.Kryeministre, pasi investitori strategjik, merr certefikatën e titullit të parcelës ndërtimore, është ai që ka të drejtë  t’ua shesë dhe transferojë titullin e truallit, palëve të treta.

Pra investitori shet pronën publike. Pra qenka gënjeshtër që nuk ja japim në pronësi tokën investitorit strategjik.

Së dyti shteti shqiptar merr përsipër nga kjo kontratë ti vendosë në dispozicion gjithë infrastukturën ekzistuese të portit.

Kanë qeverisur vendin 17 vite, ndër të cilat këto 10 vitet e fundit pa ndërprerje, kanë sot gjithë ditën që shajnë dhe mallkojnë Portin e Durrësit. Kanë kryer atje me miliona euro investime edhe kohët e fundit dhe vinë e thonë këtu porti më i madh në vend, një nga portet më të rëndësishme në rajon, e nxorrën skarco, jashtë përdorimit. Pra kur ju duhet këtyre për ta falur, këta e nxjerrin edhe portin jashtë përdorimit.

Do ti japë 220 milion euro kontribute nga falja e taksave. Kanë gjithë ditën që thonë, kemi marrë 33% të aksioneve në shoqëri. Nuk i keni marrë, keni dhënë 220 milion euro në këmbim të këtyre aksione që keni marrë shoqërinë e përbashkët.

Ndërkohë që investitori që merr 67% të aksioneve ka vendour në dispozicion në fillim të projektit dhe gjatë gjithë zhvillimit të projektit në fakt vetëm 79.7 milionë euro. Ndërkohë që ju e dini që taksa e ndikimit në infrastrukturë që është në masën 160 milionë euro nëse do të zbatohej ligji, do të paguhej para zbardhjes së lejes së ndërtimit. Pra është një kontribut i menjëhershëm që jep shteti shqiptar. Dhe kjo zbulohet nga fakti që nuk e keni kërkuar ju të jeni pjesë e kësaj shoqërie. Vetë e keni thënë sot gjithë ditën se ishte kërkesë e investitorit strategjik, që shteti tê ishte palë në këtë shoqëri investimi.

Pse?

Sepse kishte nevojë për paratë tuaja. Ai vetëm 80 milion euro do vendosë në dispozicion të këtij projekti. Nëse ju nuk do të ishit palë e kësaj shoqërie me 33% të aksioneve, atëherë do duhej që në fillim të këtij projekti, ky investitor të paguajë 160 milionë euro. Nuk i ka nê dispozicion të këtij projekti dhe prandaj ju ka thënë hajdeni dhe futuni si aksionerë në këtë shoqëri sepse kam nevojë për këtë kontribut të menjëhershëm. Ku është favori këtu, që ka marrë shteti shqiptar?

Çfarë përfiton tjetër? Shfrytëzim të hapësirave publike dhe të plazhit për 35 vjet.

Kanë gjithë ditën sot që thonë do bëjmë 700 m linear plazh publik e me rradhë.

Është gënjeshtër. Sipas kontratës për 35 vite, është pika 10.9 e marrëveshjes do të jetê investitori që do të menaxhojë, operojë, zhvillojë dhe lejojê sipas kushteve të tij, aksesin e publikut në këto plazhe. Pra qytetarët e Durrësit do duhet të paguajnë për të shkuar dhe për të shfrytëzuar këto plazhe.

Kanë gjithë ditën që thonë, do ndërtojë kaq mijë m² hapësira publike. Edhe kjo është një gënjeshtër.

Për 35 vite është investitori, thotë pika 10 6.1 që do të përdorê atraksionet publike kundrejt tarifave duke i shfrytëzuar me kioska, me reklama, me pika ushqimi, me pika pije e me rradhë. E thotë kontrata, pra nuk janë hapësira që i vihen në dispozicion publikut.

Keni marrë përsipër të ndërtoni infrastrukturën e shërbimeve mbështetëse dhe furnizimet me shërbimet komunale. Thënë ndryshe do ti çoni rrjetin e ujësjellësit, rrjetin e energjisë elektrike, rrugët që të çojnë tek ky projekt që do zhvillohet e me rradhë, këto i paguan shteti shqiptar.

Keni marrë përsipër kostot për lirimin fizik dhe pastrimin mjedisor, pra do ja bëni gati sheshin për zhvillim investitorit. Dhe e di sa mund të shkojë kjo kosto, sipas parashikimeve që keni bërë vetë ju në kontratë. Kjo kosto mund të shkojë edhe sa është vlera e dividentit, e fitimit që mund të marrë shteti shqiptar nga futja si bashkë-aksioner në këtë shoqëri tregtare.

Keni marrë përsipër kostot e transferimit të portit ekzistues, keni marrë përsipër kostot e shpronsimeve të mundshme apo pretendimeve të palëve të treta mbi pronësinë në këtë truall.

Dhe së fundmi keni humbur sot edhe 28 milion euro grant nga Bashkimi Europian. Çfarë fitojmë?

Të sigurtë nga kjo kontratë të dashur bashkëqytetarë kemi vetëm 200,000 euro në vit. Asnjë lek tjetër nuk është i garantuar nga kjo kontratë. Dividenti mund të jetë sipas kontratës në vlerën e kostove që do të paguajë “Eagle Hills” për lirim e sheshit dhe pastrimin mjedisor. Që kështu e vetmja gjë e sigurtë pasi ka ofruar gjithë këtë listën e gjatë që unë përmenda, shteti shqiptar, që përfiton nga kjo kontratë janë vetëm 200,000 euro në vit.

Pra po falim 812,000 m² tokë, po i falim infrastrukturën e Portit të Durrësit për të marrë në këmbim vetëm 200,000 euro në vit.

Kjo smund të jetë kurrë kontrata më e mirë, që ka ardhur në këtë parlament. Është kontrata më e keqe që ndonjëherë shteti shqiptar ka bërë me një privat, është një kontratë nga e cila dëmtohet interesi publik, prandaj VOTA ime dhe e kolegëve të mi do të jetë KUNDËR.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *