Marrëveshja Prishtinë-Beograd, Nazarko analizon situatën: Ka pjesërisht elementë reciprociteti. Risi dhe lajm i mirë shfaqja e SHBA. Që Biden t’i ngjajë Trump (për Kosovën), i duhet dhe goxha rrugë

TIRANË

Analisti Mentor Nazarko ka analizuar situatën në Kosovë dhe marrëveshjen e arritur sot në Bruksel pas disa ditësh tensione për çështjen e reciprocitetit të targave. Nazarko tha në “Opinion” në New24 se duket se kjo marrëveshje ka pjesërisht elementë reciprociteti dhe se lajmi i mirë është përfshirja e SHBA-ve.

“Është ende herët ose meriton një analizë të hollësishme interpretimi se kush fitoi nga ajo lloj marrëveshje që u arrit. Ka interpretime të ndryshme. Serbia thotë që marrëveshja është e favorshme për ta. Zoti Kurti thotë që marrëveshja është e favorshme për qeverinë e Kosovës. Opozita e Kosovës e kritikon marrëveshjen, e konsideron dorëzim sovraniteti, e konsideron barazimin e trupave të Forcave Speciale me barrikaduesit e paligjshëm si një gabim, e konsideron se skenari që u jetësua ose u përsërit në këto dy pika kufitare në bazë të së cilave sa herë që barrikaduesit ngrihen, Kosova duhet të negociojë me Serbinë për çështje që lidhen me territorin e saj.
Në gjykimin tim në kushtet në të cilat ndodhet Kosova në prag të zgjedhjeve lokale dhe në ato që gjendet Serbia në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do zhvillohen në fillim të vitit tjetër, kjo është një marrëveshje që duket se ka pjesërisht elementë reciprociteti. Simbolet shtetërore, qoftë të Kosovës për automjetet që lëvizin në territorin e Serbisë, qoftë ato serbe që lëvizin në territorin e Kosovës do të mbulohen”, deklaroi analisti.

Sipas tij, ka dhe një moment tjetër, që është shtyrja e problemit në kohë. Teksa theksoi se përplasjet Kosovë-Serbi janë duke marrë karakter global.
“Krijimi i një grupi pune të përbashkët i cili do vihet në funksionim nga data 21 tetor, problemi i shty në kohë, zgjidhja e problemit tërësor, që lidhet me lëvizjen e lirë të mjeteve dhe bashkë me të e qytetarëve dhe e mallrave.
Këto janë disa elementë të marrëveshjes së parë me një lupë zmadhuese. Por ndërkohë ka disa elementë të tjerë që duhen mbajtur parasysh.
Së pari, me sa duket çështje, konfliktet, përplasjet Kosovë-Serbi janë duke marrë karakter global. Mu në ato dy pika kufitare praktikisht mund të shihet një përplasje të Lindjes me Perëndimit, të Rusisë me NATO-n.
Çdo rast si ky përdoret për të simuluar përplasjen. Mu për këtë arsye kemi përfshirjen e SHBA-ve në dialog, me një emisar i cili hë për hë u shfaq vetëm në dialogun për këtë çështje. I dërguari i SHBA-ve u përfshi në këtë çështje”, tha Nazarko.

Ai e cilësoi lajm të mirë sepse administrata Biden po heq dorë nga ajo periudhë e parë 9-mujore, në të cilën zhvillimet në Kosovë ia kishte deleguar të dërguarit europian Lajçak.
“Është një zhvillim i arsyeshëm, sepse ky rol BE-së i është dhënë me një rezolutë të OKB të vitit 2010. Përfshirja e amerikanëve është pozitive sepse vetëm ata duket se kanë autoritetin t’i shtyjnë gjërat përpara në mënyrë vendimtare.
Së treti është një zhvillim pozitiv pas një rënie në nivel të përfshirjes amerikane në krahasimin Trump-Biden: me Trumpin kishim një të dërguar presidencial amerikan që ishte Grenell, ndërsa me Biden (ndoshta dhe prej nevojës së akomodimit në zyra)kishim zero përfaqësues amerikan, sepse ishte vetëm Lajcak që negocionte. Tani kemi shfaqjen në horizonte të një të dërguari amerikan. Escobar ka thënë që nuk përjashtohet mundësia e një emisari të përhershëm. Edhe këtu administrata amerikane e Biden po kthehet në modelin Trump, i cili kishte dy të dërguar, Palmer për Ballkanin dhe një presidencial, Grenell për dialogun Kosovë-Serbi.
Pse ajo që ndodhi kishte impakt global, shfaqja e avionëve e tankeve, ndonëse dikush thoshte se ishin model i vjetër dhe jo MIG29? Escobar nuk u përfshi përballë dy palëve, pra nuk u pa në një anë bashkë me Lajcak. SHBA-të nuk ishin ndërmjetës klasikë në një format të përbashkët me Europën. Kjo ishte droja amerikane sepse një përfshirje e tillë, një marrje e një roli të tillë mund të sillte në skenë Rusinë. Në momentin kur amerikanët do të merrnin njëanshmërisht një rol ndërmjetësues në këtë dialog bashkë me Evropën, atëherë kjo mund t’i jepte të drejtë edhe Rusisë të përfshihej. Ky është një sqarim që e dha vetë Escobar, i cili tha jo nuk kam hyrë në takimin bashkë me Lajçak. Ai ka zhvilluar takimet veç e veç. Edhe vetë Lajçak i ka zhvilluar negociatat veç e veç, sepse në këtë teatrin serbo-kosovar që po zhvillohet në Bruksel, palët nuk kanë dashur t’i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit.
Pra, risia është shfaqja e SHBA-ve, ky është lajmi i mirë. Njëkohësisht kemi një teatër të sinkronizuar, zhvilluar njëkohësisht në disa pika; në Jarinjë e Bërnjak, në ato dy komunat serbe në Kosovë; një teatër në Beograd ku Vuçiç ka bërë sikur ka qenë sëmurë, por ama ka anuluar 2-vjetorin e ‘Balkan Open’, ku duhet të merrte pjesë dhe Rama e Zaev në Novisad, ka anuluar takimet me ambasadorin rus dhe atë kinez, por duket që ai është përfshirë në cilësinë e tekstit. Në këtë marrëveshje që u arrit në Bruksel, Vuçiq ka dalë sot dhe ka thënë që çdo pikë e kam negociuar unë”, deklaroi Nazarko.
Më tej ai tha se është një zhvillim pozitiv sa i takon uljes së tensioneve, shmangies së përplasjes, apo e ndonjë fataliteti. “Kemi përfshirjen amerikane në një nivel relativisht të lartë, por jo aq lartë sa ç’ishte me Grenell, i cili ishte ambasador i SHBA-ve në Gjermani, një nivel i lartë në hierarkinë diplomatike amerikane; ishte i dërguar presidencial; ishte shef i 17 shërbimeve sekrete amerikane;ishte këshilltar i presidentit amerikan; së pesti ishte kandidat për Kaliforninë; së gjashti, ishte në një farë mënyre zëdhënës i fushatës së presidentit Trump. Që Biden t’i ngjajë Trump, i duhet dhe goxha rrugë. Ajo që ndodhi, këto zhvillime dhe tensionimi që pasoi, (ndonëse i ngjau pak skenarit me tren, i cili nga disa vëzhgues u quajt i sintonizuar, i sinkronizuar, i marrë vesh mes Thaçit e Vuçiçit, -unë nuk e di nëse është i marrë vesh dhe ky i targave), nuk dihet ende nëse i kanë larguar palët, për të arritur te marrëveshja e plotë, apo i kanë afruar”, u shpreh analisti Mentor Nazarko.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *