Marrëveshja Rama-Meloni, VOA: Të hënën seanca e radhës në Kushtetuese për paktin mbi emigrantët

marreveshja rama meloni voa te henen seanca e radhes ne kushtetuese per paktin mbi emigrantet
marreveshja rama meloni voa te henen seanca e radhes ne kushtetuese per paktin mbi emigrantet

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën, se do të mblidhet sërish në seancë të hënën, për çështjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për migrantët, pasi opozita e cila ka ankimuar rastin, kishte paraqitur disa dokumenta shtesë. Në seancën e sotme Gjykata “konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30. Në këto rrethana, Gjykata vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00” shpjegohet në njoftimin e shpërndarë pasdite.

Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin migrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane. Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të migrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.

Sipas opozitës shqiptare, marrëveshja është në shkelje të Kushtetutës së vendit dhe konventave ndërkombëtare. 28 deputetë demokratë kanë kërkuar shfuqizimin e saj nga Gjykata Kushtetuese e cila në muajin dhjetor pezulloi procedurat e ratifikimit në parlament.

Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë, i kritikuar dhe nga shumë organizata ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, u miratua sot nga Dhoma e deputetëve në parlamentin italian, me 155 vota në favor, nga shumica e djathtë dhe 115 vota kundër të opozitës.

Deputetët e shumicës duartrokitën miratimin e marrëveshjes e cila sipas tyre “përvijon rrugën për politika të reja për migrimin dhe mbrojtjen e kufijve. Protokolli do të lehtësojë barrën që rëndon mbi Italinë, falë transferimit të procedurave logjistike që lidhen me pritjen dhe riatdhesimin, si dhe do të luftojë në mënyrë më të vendosur flukset e paligjshme migratore dhe trafikun e qenieve njerëzore”, deklaroi Tommaso Fito, kreu i grupit parlamentar Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia), partia e kryeministres Meloni, në Dhomën e deputetëve.

Ndërsa për deputeten Simona Bonafè, zëvendëskryetare e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës së majtë italiane “marrëveshja me Shqipërinë është vetëm një spot elektoral i Melonit, i paguar me paratë e italianëve. Pas pak muajsh do të jetë e qartë se marrëveshja non do të ndalë as zbarkimet dhe as trafikantët, dhe se migrantët që kanë të drejtë të qëndrojnë në vendin tonë, do të duhet të rikthehen po në Itali, pavarësisht qindra milionave euro të shpërdoruara”, deklaroi Bonafè.

Pas miratimit të sotëm në Dhomën e deputetëve, çështja i kalon Senatit italian ku sërish e djathta në pushtet e kryeministres Giorgia Meloni, ka shumicën./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts