Masa të forta sigurie në Pragë pas sulmit që vrau 13 persona e plagosi shumë të tjerë

masa te forta sigurie ne prage pas sulmit qe vrau 13 persona e plagosi shume te tjere

Policia çeke shtoi masat e sigurisë rreth shkollave dhe ndërtesave të tjera publike në gjithë vendin ndërsa Universiteti i Karlit në Pragë anuloi të gjitha leksionet dhe ngjarjet e së premtes, pasi një student vrau me armë zjarri 13 persona në një ndërtesë të këtij universiteti të enjten.

Sulmi ishte ngjarja më e rëndë e ndodhur ndonjëherë në vendin e Evropës Qendrore, ku shumë veta mbajnë armë, disa prej tyre pushkë sportive ose gjuetie, por sulmet masive janë të rralla.

Ministri i Brendshëm Vit Rakusan tha se policia ka identifikuar të vrarët dhe në mesin e tyre nuk ka të huaj. Mes të plagosurve janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një nga Holanda.

“Janë 13 viktima dhe në mesin e tyre është vet sulmuesi”, tha ministri Rakusan për televizionin Çek. Autoritetet kishin raportuar më herët 14 viktima në universitet.

Qytetarët ndezën qirinj jashtë selisë së universitetit në zonën mesjetare të qytetit.

“Duke filluar nga sot kemi miratuar masa parandaluese mbarëkombëtare…” tha policia në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

“Nuk kemi informacion për ndonjë kërcënim konkret… ky është një sinjal që jemi këtu dhe të përgatitur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet nuk dhanë informacione të reja mbi gjendjen e të plagosurve.

Sulmuesi 24 vjeçar vdiq të enjten në ndërtesën e universitetit, mbase pasi vrau veten ose u qëllua nga ndonjë plumb i policisë, thanë zyrtarët.

Policia tha të enjten se sulmuesi, i cili kishte leje për armë, dhe nuk kishte precedentë penalë, ishte student në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit ku kreu sulmin.

Ata thanë se i dyshuari, emrin e të cilit nuk deshën të përmendin, kishte vrarë babanë e tij në shtëpinë e tij jashtë Pragës, përpara se të udhëtonte për në kryeqytet.

Policia kishte informacione se ai kishte për qëllim të vriste veten dhe po e kërkonte në një ndërtesë tjetër universiteti ku ai do të ndiqte një leksion.

Por sulmuesi shkoi në ndërtesën kryesore të Fakultetit të Arteve, në një shesh të ngarkuar përtej lumit, përballë Kështjellës së Pragës dhe vetëm qindra metra nga Sheshi i Qytetit të Vjetër, një nga atraksionet kryesore turistike të Evropës.

Policia dyshon gjithashtu se ai qëlloi për vdekje një baba dhe vajzën e tij dy muajshe në pyll pranë një fshati jashtë Pragës javën e kaluar. Qeveria e shpalli të shtunën ditë zie kombëtare. /voa

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts