Masa të rrepta sigurie në prag të tubimit para Kapitolit

18:30 18/09/2021

Qindra policë do të jenë sot në gatishmëri rreth Kapitolit për të garantuar sigurinë gjatë një tubimi të mbështetësve të atyre qindra njerëzve që hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit më 6 janar, në një përpjekje për të mos lejuar çertifikimin e rezultatit që shpallte fitues në zgjedhjet presidenciale demokratin Joe Biden.

Rreth e përqark ndërtesës është vendosur i njëjti gardh mbrojtës sikurse ai që u ngrit pas sulmit në Kapitol rreth 9 muaj më parë. 100 trupa të Gardës Kombëtare janë në gatishmëri dhe në një përpjekje për të parandaluar dhunën, zyrtarët e sigurisë po kryejnë kontrolle shtesë ndaj atyre personave që po mbërrijnë në kryeqytet përmes aeroportit më të afërt.

Organizatorët e tubimit “Drejtësi për 6 janarin” kanë thënë se presin një tubim paqësor, por shefi i policisë së Kapitolit J. Thomas Manger u tha gazetarëve të premten se “ka pasur disa kërcënime për dhunë” të lidhura me ngjarjen, dhe se policia do të punonte për të shmangur përplasjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të zotit Trump.

Më shumë se 600 persona janë akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, i cili pasoi një fjalim të ish-Presidentit Trump që përsëriste akuzat e pabazuara në fakte se humbja e tij në zgjedhje ndaj demokratit Joe Biden ishte rezultat i një manipulimi të gjerë. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga një numër i madh gjykatash, zyrtarë shtetërorë që janë marrë me administrimin e zgjedhjeve si dhe anëtarë të administratës së vetë zotit Trump.

Më 6 janar protestuesit arritën të futen me forcë në Kapitol duke vënë në rrezik ligjvënësit dhe nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence.

Deri më tani, rreth 50 persona janë vetëdeklaruar fajtorë, të akuzuar për dhunë, nëntë kanë pranuar se kanë kryer vepra penale. Shumica dërrmuese e të pandehurve janë liruar në pritje të gjykimit, por rreth 75 janë ende në paraburgim, sipas dokumenteve të gjykatës.

Në mesin e të akuzuarve për sulmin ndaj Kapitolit janë anëtarë të grupeve të krahut të djathtë si “Proud Boys”, “Oath Keepers” dhe “Three Percenters”.

“Është ironike që tubimi quhet drejtësi për 6 janarin. Mendoj se drejtësi për 6 janarin do të kishte qenë ngritja e akuzave dhe shkarkimi i Donald Trump-it” tha në një intervistë për rrjetin televiziv MSNBC ligjvënësi Adman Kinzinger, një nga 10 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që votuan pro ngritjes së akuzave ndaj ish-Presidentit për nxitje të dhunës më 6 janar.

Senati i atëhershëm i kontrolluar nga republikanët e liroi ish-Presidentin prej akuzave.

“Është koha që ne të ndalemi si parti apo udhëheqës e të mos pranojmë si diçka normale idetë e ‘Oath Keepers’, që në thelb është një organizatë që dëshiron të përmbysë qeverinë”, tha zoti Kinzinger.

Organizatori i tubimin, Matt Braynard, një nga mbështetësit e pretendimeve të pabazuara në fakte të zotit Trump mbi zgjedhjet, tha se shpresonte që protesta të çonte në lirimin e të akuzuarve për pjesëmarrje në ngjarjet e 6 janarit.

“Ajo që duam të bëjmë është të vëmë në qendër të vëmendjes keqtrajtimin e këtyre individëve e të inkurajojmë ligjvënësit që të kërkojnë që Departamenti i Drejtësisë të bëjë drejtësi lidhur me këta njerëz. Kjo do të thotë që në shumë raste akuzat të hidhen poshtë”, tha zoti Braynard në një intervistë për rrejtin C-SPAN.

Qindra vetë janë arrestuar për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, një ngjarje nuk ka marrë ende asnjë përgjigje. Deri tani nuk është arritur të identifikohet asnjë i dyshuar si autor i mundshëm për vendosjen më 5 janar të bombave artizanale në selitë kombëtare të partisë demokrate e republikane që ndodhen pranë Kapitolit./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *