Masakra e muxhahedinëve/ Historia “që u la” me gjak. “9 muajsh shtatzënë, më lidhën dhe më rrahën barbarisht”, anëtarët e MEK rrëfejnë historitë tronditëse për News24: Tortura çnjerëzore

jykata e Stokholmit është zhvendosur për nëntë ditë  në gjykatën e Durrësit. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që ndodh në vendin tonë pasi gjashtë gjyqtarë suedezë dhe dy prokurorë  kanë vendosur të pyesin muxhahedinët për një nga ngjarjet më tronditëse të Iranit ku u vranë përmes një dekreti vrasjen e 30,000 të burgosur politikë 90% ishin muxhahedinë.

Arrestimi në Suedi i një ish-ndihmës prokurori, Hamid Nouri, i cili ka marrë pjesë direkt në vrasjet masive të vitit 1988 në Iran, ka bërë që të nisë një hetim ndërkombëtar për ekzekutimin e mijëra kundërshtarëve të regjimit të ish-udhëheqësit iranian Khomeini. Vendimi që të çonte drejt  vdekjes se sigurt merrej vetëm me një pyetje:  Ende i mbështesni Moxhahedinët? Mjaftonte një ‘Po’ dhe litari i varjes ishte gati.  Mijëra u dënuan me ekzekutim nga të ashtuquajturat “Komisionet e Vdekjes”, Presidenti aktual i Teheranit, Ebrahim Raisi, ishte një anëtar kyç i “Komisionit të vdekjes” të Teheranit, i cili kishte për detyrë të identifikonte anëtarët “e palëkundur” të MEK dhe t’i dënonte ata me vdekje. Hamid Noury ishte një nga zyrtarët aktivë në këtë masakër. Ai u arrestua në vitin 2019 në Suedi për shkak të rolit të tij në këtë masakër.

Iraniani Mohammed Zand shpërtheu në lot kur doli nga gjykata e Durrësit ku dha dëshminë para gjykatësve suedezë këtë të mërkurë. Dhjetëra muxhahedinë pritën me duartrokitje jashtë gjykatës një ndër dëshmitarët kyç të masakrës së vitit 1988 në Iran Mohammad Zand u arrestua në 1981 dhe kaloi 11 vjet në burg për mbështetjen ndaj MEK. Vëllai i tij, Reza Zand, u ekzekutua gjatë masakrës së vitit 1988.

Jashtë gjykatës së rrethit të Durrësit u mblodhën disa të mbijetuar të masakrës së 1988 dhe familje të viktimave. Për gazetaren e televizionit News24 Aurora Golemi ata rrëfyen historitë e tyre të dhimbshme.

Familjarët e të viktimave shprehen se njerëzit e tyre u vranë dhe u varrosën në varre masive, dhe historisë iu tha që t’i harronte emrat e tyre. Por plagët janë ende të thella, zemërimi nga tmerret e përjetuara, iu ka mbushur zemrat dhe kërkojnë drejtësi.

Në mesin e banorëve të kampit të Manzës janë 1000 ish-të burgosur politikë, dhjetëra prej të cilëve ishin në burg në vitet 80 dhe ishin dëshmitarë të këtyre krimeve. Ata janë torturuar barbarisht ndërsa njerëzit e dashur të tyre janë ekzekutuar nga komiteti i vdekjes. Faride Zhudarzi ishte 9 muajsh shtatzënë kur u torturua me rrahje në një krevat hekuri në një nga burgjet e Iranit. Siç thotë në rrëfimin e saj ishte kjo grua që u përball me 23-vjeçarin Ebrahim Raisi, sot president i Iranit.

“Në vitin 1988 unë isha në burg, në provincën e Hamidit. U arrestova për herë të parë në vitin 1983 sepse isha mbështetëse e muxhahedinëve. Kur u arrestova në Hamidan isha shtatzënë 9 muajsh dhe isha gati të lindja fëmijën time. Më dërguan në dhomën e torturave, kjo dhomë ishe 2 me 2 metra, ata më shtrinë në krevatin e torturave meqë isha shtatzënë. Unë rrija ulur atje më torturonin më rrihnin me litarë dhe një nga gardianët me qëllonte në fytyrë. Ishin 8 torturues në dhomë. Në cepin e asaj dhomës ishte një 23-vjeçar. Quhej Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit të sotëm. Ai po na torturonte në atë dhomë. Në atë kohë unë se dija, pas disa ditësh unë e kuptova që ai ishte prokuror në burgun e Hamidanit. Kam qenë ballë për ballë me Ebrahim Raisin në atë burg. Ai është përgjegjës për torturat dhe ekzekutimin e të burgosurve politikë. Supervizonte torturat, ai urdhëronte vrasjet. Ky është vëllai im, Harviz ai u arrestua bashkë me mua. Kur donin ta arrestonin ai u shpëtoi me vrap, e qëlluan me armë në rrugë, u plagos në këmbë dhe në dorë. Në këtë situatë ata e torturuan për një javë ndërsa ishte i plagosur, e rrahën me kabllo për disa ditë rresht. Në gjykatë kur Reisi ishte prokuror e dënoi me 20 vjet në burg pasi mbështeste muxhahedinët. E torturuan vëllain tim 6 vite rresht në burg. Mamaja ime udhëtoi për 6 vite  për ta parë vëllain nga provinca ku jetonim në Hamedan, ajo priste që ta lironin. Gjatë masakrës në vitin 1988 vëllai im u ekzekutua. Familja ime e mori vesh lajmin pas tre muajsh pasi atë e vranë. Kjo është fotografia e burrit tim, u arrestua tre ditë pasi më arrestuan mua, ishte 24 vjeç në atë kohë, për shumë ditë atë e torturuan. E dini që ishte një urdhër në atë kohë, torturuesi mund të të rrihte deri në vdekje. Pas shumë torturash fizike dhe psikologjike, për ditë me radhë ai luajti mendsh. Pas 11 muajsh e varën me të tjerë të burgosur politikë, mbështetës së muxhahedinëve. Presidenti Raisi është vrasësi i burrin tim, ai urdhëroi vrasjet si prokuror, pasi ishte zyrtar i lartë dhe kur burri im u var Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi ishte prezent.

E vetmja gjë që ne i bëmë regjimit të Ayatollah Khomeinit ishte se donim që populli ynë dhe Irani të ishte një vend i lirë. Kaq kërkonim. Nuk donim asgjë më tepër se liri dhe drejtësi për popullin e Iranit. Hamid Nouri është një zyrtar i dorës së dytë, është në zinxhirin e atyre që vranë njerëz në Iran. Unë dua që gjithë zyrtarët e lartë iranianë të përfshirë si dhe presidentin e Iranit Ebrahim Raisi të dalin përpara drejtësisë. Kjo është dëshira jonë, kemi shpresë. Ne besojmë me siguri se do ndodhi. Sot është një ditë e rëndësishme për ne është gjë e mirë që ai është në gjyq por nuk është e mjaftueshme, duhet që Raisi të japi llogari për krimet dhe masakrat që ka bërë. Siç i shikoni këta janë njerëz që janë vrarë në masakër, kjo ka qenë shoqja ime e qelisë, të gjithë këta njerëz janë masakruar. Të tregova për burgun në Hamidan por burgjet kanë qenë në gjithë qytetet e Iranit”, u shpreh për News 24 anëtarja e MEK Faride Zhudarzi.

Mehri Haxhinexhat ishte vetëm 17 vjeç kur u arrestua dhe vuajti dënimin prej 5 vitesh në burg, të tre vëllezërit e saj u ekzekutuan gjatë masakrës së 1988. Në tetor të këtij viti ajo dha dëshminë e saj përmes një video konference para gjykatësve suedeze. Në mendje i ka mbetur buzëqeshja e fundit e Lejles, shoqes në qelinë e saj kur e morën për ta vrarë. Ishte vetëm 18 vjeç.

“Unë jam Mehri Haxhinexhat jam anëtare e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit, jetoj në kampin Ashraf 3. Jam dëshmitare kyçe në këtë gjyq. Dëshminë time e kam dhënë online tek gjykata suedeze në 14 tetor. Një nga vëllezërit e mi kur ishte 24 vjeç kur po kryente dënimin e tij u ekzekutua nga Hamid Nuri, personi që po gjykohet sot në gjyq.  Një tjetër vëlla u ekzekutua me urdhër të Presidentit aktual Ebrahim Reisi në vitin 1988. I vetmi “krim” i vëllait tim ishte se mbështeste Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit. Muxhahedinët zbuluan gënjeshtrat e regjimit të Ayatollah Khomeinit, anëtarë të Muxhahedinëve u ekzekutuan disa prej tyre ishin vetëm 13 vjeç. Regjimi persekutoi sidomos të rinjtë në atë kohë.

Për 9 muaj ai u mbajt në një nga godinat sekrete të regjimit në Teheran. Kur e gjetëm pas 9 muajsh ai as nuk mund të shikonte, nga torturat mezi ecte, unë arrita ta takoja në burg i pashë plagët e torturave. Unë vetë kam qenë në burg për 5 vite kur isha vetëm 17 vjeç. Para gjykatësve suedezë thashë se në qelinë e burgut numëroja 200 të shtëna me armë çdo natë. Këta janë vëllezërit e mi ishte vetëm 28 vjeç kur u ekzekutua, ky është vëllai tjetër i diplomuar për fizikë nga universiteti i Teheranit u vra në rrugë nga regjimi, vëllai tjetër 23 vjeç u vra i torturuar. Nuk e dimë ku i kanë varrosur, nuk na dhanë kurrë trupat e tyre. Zërat tanë do të dëgjohen pasi pas vitit 1988 ne nisëm rezistencën për të kërkuar drejtësi. Edhe pas 33 vitesh, lëvizja për liri dhe drejtësi vazhdon. Ne shpresojmë se një ndër ekzekutorët si Raisi do të marrin nga drejtësi atë që meritojnë”, -u shpreh Mehri Haxhinexhat, një ndër dëshmitaret kyçe të masakrës së vitit 1988 në Iran.

Hasan Zarif  ishte 22 vjeç, ushtar kur u arrestua për herë te parë në vitin 1981. Vuajti 12 vite burg, pa teksa e fejuara rrihej barbarisht para syve të tij. Ëndrra e tij e madhe është që presidenti i Iranit të vendoset para drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar

“Unë jam një nga dëshmitarët e masakrës së vitit 1988, unë doja të isha pjesë prandaj u shkrova prokuroreve suedeze. Në atë kohë unë isha në burg, zyrtarët e burgut tim i zhvendosën të burgosurit e tjerë. Mua më arrestuan bashkë me motrën. Ata më kanë torturuar. Më arrestuan edhe të fejuarën. I pashë ata teksa e torturonin të fejuarën para syve të mi. Filluan ta rrihnin barbarisht. Mua më torturuan tre ditë rresht. Ata donin që t’u jepja informacione për mikun tim. Për tre ditë më lidhën nga koka tek këmbët tek një krevat. Me rrihnin më një kabllo të trashë në gjithë trupin. Jam i lumtur që Nouri është sot pas hekurave në një burg të Suedisë. Por dua të them se Hamid Nouri ka qenë një zyrtar me pozitë të ulët sa i takon torturave në burgje. Shefi i tij presidenti aktual është më kriminel sesa ai. Komiteti i vdekjes urdhëroi ekzekutimin e të burgosurve e përgjegjësi kryesor është Ajatollah Kojmeni, ish-lideri suprem i Iranit. Muxhahedinët me lideren e tyre zonjën Raxhavi filluan këtë lëvizje pas viteve 1988, kjo lëvizje është rritur vazhdimisht. Arritja e parë në atë kohë ishte që një raporter i Kombeve te Bashkuara shkoi në Iran dhe vizitoi burgjet në atë kohë. Regjimi i Iranit është dënuar nga Kombet e Bashkuara. Mesazhi im për popullin iranian dhe për ne të gjithë ata që rezistuan, pas gjyqit të Nourit në Suedi, ne do vazhdojmë deri sa zyrtarët iranian përfshirë presidentin aktual të Iranit Ebrahim Raisi të vendosen para drejtësisë dhe të merret drejtësia me ta. Dua t’i them iranianëve që kjo lëvizje është përpjekur për 40 vite dhe fëmijët kurrë nuk reshtën së kërkuari drejtësi derisa populli i Iranit të jetë i lirë”,-tha Hasan Zarif  për News24.

Deri në vitin 2016, regjimi iranian kishte arritur të ruante një vijë të kuqe: Asnjë bisedë, asnjë lot dhe asnjë dyshim për atë që ndodhi në burgjet iraniane në verën e vitit 1988.

E duket se drejtësia ka zbarkuar në gjykatën e Durrësit ku prokurorë suedezë po dëgjojnë dëshmitë e atyre që u torturuan burgjeve të Iranit dhe mbijetuan, dhe sot jetojnë në kampin Ashraf 3 ne Manzë. gjyqtarët e gjykatës suedeze thanë se njerëzit në Ashraf 3 janë burimi kryesor i informacionit për këtë kriminel dhe ata duhet të dëgjohen drejtpërdrejt siç ndodhi këtë të mërkurë me dëshmitarin e parë në Durrës. Gjyqi ndaj Hamid Nourit po zhvillohet ndërkohë në Suedi, dhe gjykatësit kanë zgjedhur që dëshmitë kundër tij, t’i dëgjojnë nga afër, duke ardhur në Shqipëri, pranë dëshmitarëve kyç të masakrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *