Mbi 13.8 miliardë lekë për koncesionet në 2022/ Edhe Braçe shqetësohet për PPP-të: Duhet analizë për të gjitha kontratat. Ja përplasjet në komision








nrKELMENT BAÇI/ Pagesa prej 13.8 miliardë lekësh për kontratat koncesionare në projektbuxhetin e vitit 2022 shkaktuan debate mes ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, dhe nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku. Deputetja e PD-së ngiti shqetësimin e rritjes së kontratave koncesionare ose PPP dhe mosplanifikimit të risqeve të këtyre kontratave, të cilat i kanë shkaktuar jo pak dëme buxhetit të shtetit në të kaluar, por sipas saj do t’i shkaktojnë edhe në vitin 2022. Tabaku hodhi akuza dhe kërkoi shpjegime se përse janë rritur pagesat për koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës dhe arsyet e rritjes së tyre.

Nga ana e saj, ministrja Ibrahimaj u shpreh se buxheti i parashikuar për këtë koncesion është 1.5 miliardë lekë dhe nuk pritet të ndryshojë, ndërsa u shpreh se 7 kontratat që diskutohen nuk janë planifikuar të mbështeten financiarisht në 2022. Po ashtu, mjaft kritik për skemën e koncesioneve ishte edhe ish-zëvendëskryeministri, Erion Braçe. Teksa renditi disa prej koncesioneve për shërbimet, deputeti i PS-së tha se ato mund të ishin bërë nga vetë shteti për shkak të rëndësisë që kanë, ndërsa nga kjo skemë qytetarët kanë paguar 13.1 miliardë lekë vetëm në vitin 2020.

Për deputetin socialist, koncesionet janë një instrument i vlefshëm, por sipas tij kur kontratat e tyre zgjidhen me transparencë dhe garë. Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u ndërpre për shkak të debatit mes Tabakut dhe Denaj. Megjithatë, për vitin 2022 janë parashikuar 119 miliardë lekë investime publike, ndërsa relatorja e projektbuxhetit Prenvera Sulaj u shpreh se raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve e parashikuar në vitin 2022 ka një deficit prej 108 miliardë lekësh.

DEBATI

Delina Ibrahimaj: Investimet publike janë parashikuar në masën 6.4 për qind të PBB-së, ose 119 miliardë lekë, ndërsa parashikohen të jenë në nivel mbi 5 për qind të PBB-së në vitet 2023/2024.

Infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve të investimeve publike për vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë, të përqendruar në projekte madhore si Unaza e Madhe e Tiranës, Rruga e Arbrit, Rruga Kardhiq-Delvinë, Tuneli i Llogorasë, apo “Bypass”-i i Shkodrës dhe Qukës-Qafë Plloçë.

Projektet në Ujësjellës Kanalizime do marrin 13.8 miliardë lekë në vitin 2022, të përqendruara kryesisht në financimin e projekteve të iniciuara në vitet 2020/ 2021. Arsimi me shifër 3.6 për qind të PBB-së në vitin 2022 arrin një rekord në shpenzimet në termat relative. Mirëmbajtja e rrugëve ka një vlerë prej 2.6 miliardë lekësh për vitin 2022.

Jorida Tabaku: Shpenzimet e vitit 2022 do të jenë më shumë se sa 27% e PBB-së që është vlera më e lartë në mbi 20 vite. Por, kjo rritje do të shkojë për PPP-të, të cilat do t’i kushtojnë buxhetit thuajse 2 miliardë euro. Shpenzimet kapitale janë 58 milionë euro dhe këtu nuk është përfshirë rindërtimi dhe kanë një rënie me 10% në raport me vitin 2021. Vlera totale e koncesioneve bashkë me 7 koncesioneve të reja kapin vlerë e 851 miliardë lekë (8 miliardë USD ose 6 miliardë euro) apo sa 45.6% e PBB-së. Zgjerimi nga këto kontrata është me 11.3% në raport me vitin aktual.

Erion Braçe: Sa kontrata koncesionare shërbimi janë sot aktive ku Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Brendshme dhe e Transportit është palë ose përfituese e shërbimeve të tyre?

Delina Ibrahimaj: Pagesat e kontratave koncesionare janë në nivel 3% të të ardhurave totale të mbledhura nga 5% që është tavani në ligjin organik të buxhetit. Janë 13 kontrata koncesionare të lidhura me pagesë nga buxheti i shtetit. Në vitin 2021 ka një vlerë totale prej 14.5 miliardë lekësh të paguar për këto kontrata ndërkohë që në vitin 2022, vlera e pagesës bien në nivelin e 13.8 miliardë lekë. Lisat e koncesioneve të shumëpërfolura është ajo më 7 koncesione që ende nuk kanë filluar dhe nuk parashikojnë financim nga buxheti për këtë vit.

Jorida Tabaku: Zonja ministre në asnjë fjalë të projektbuxhetit të paraqitur dhe të relacionit të paraqitur keni thënë 30 herë fjalën transparencë sot. Nuk flitet për risqet e kontratave koncesionare. Po të marr një shembull të thjeshtë: Inceneratori i Tiranës, në momentin që u prezantua në buxhet për herë të parë dhe në vitet në vijim thoshte 1 miliardë lekë në vit. Në vitin pasardhës paguam 1.3 miliardë lekë në vit. Do të vazhdojë të rritet deri në 1.8 miliardë lekë. Ky është risku i kontratës. Kur ti e ke lënë të hapur kontratën në varësi të sasisë së mbetjeve. Janë paguar në vitet e fundit për riskut të kontratave 30 milionë euro më shumë. Nuk ke transparencë këtu, nuk e ke llogaritur. Prandaj po të them që buxheti nuk reflekton situatën reale. Ju pyeta në mënyrë specifike. Në regjistrimin e borxhit, cilat janë kreditë e materializuara nga konferenca e donatorëve për rindërtimin. Në buxhet thoni se janë 90 milionë euro të finalizuara dhe 160 janë në proces e sipër. Ku janë të reflektuara 250 milionë euro borxh të marrë nga angazhimet e konferencës së donatorëve. Ku i ke të reflektuara këtu, pse nuk janë të regjistruara këtu? Fjalën transparencë 30 herë e dëgjova. Ku është analiza e risqeve të kontratave koncesionare. Sa u miratua kontrata koncesionare e Rrugës së Arbrit dhe sa po paguan kontrata e rrugës së Arbrit. Sa u miratua kontrata koncesionare e inceneratorit të Tiranës dhe sa po paguan çdo vit kontrata e inceneratorit të Tiranës.

Delina Ibrahimaj: Sa i përket borxhit, janë të planifikuara ato kontrata që janë të përmbyllura. Unë në fjalën time thashë që do të përgatis një material dhe do t’ia paraqes komisionit ditën e nesërme. Sa i përket pagesave nga buxheti i shtetit për koncesionet që përmendëm, janë në tabelën 1 faqe 50 të dokumenteve. sa i takon rrugës së Arbrit janë parashikuar 3 miliardë lekë për 2022. Sa i përket inceneratorit të Tiranës, janë të parashikuara 1.5 miliardë lekë.

Jorida Tabaku: Mos bëjmë sikur nuk kuptojmë. Ju thashë, inceneratori i Tiranës ishte në buxhet para disa vitesh 1 miliard, u pagua 1.3 miliardë. E keni rritur në 1.5 miliardë. E kishit për 10 vite 1 miliard, jeni duke paguar 1.3, do rritet në 1.8. Si është llogaritur ky risk në buxhetin e shtetit? Risqet e kontratave koncesionare. Vetë na thatë për kreditë e donatorëve nga konferenca për rindërtimin. E keni të shkruar 90 milionë euro të finalizuara, 160 në proces. Kaq e thjeshtë është. Ku është reflektuar. Janë angazhime që janë marrë pse nuk i keni regjistruar.

Delina Ibrahimaj: Unë për herë të tretë ju përsëris materialin për borxhin do ju vihet në dispozicion nesër.

Jorida Tabaku: Kam një shqetësim real që ky komision duhet ta trajtojë.

Erion Braçe: Unë nuk dua të bëj politikë se i bie që të kacafytemi pastaj. 6.1 miliardë lekë në vitin 2020 paguan drejtpërdrejt qytetarët për koncesionin e pajisjes së shtetasve me mjete identifikimi, që është bazë e shtetit dhe mund ta bënte shteti. Për koncesionin e famshëm të kontrollit teknik të automjeteve paguhet gati 1 miliard lekë në vit. Koncesioni për pullat fiskale, bizneset paguajnë mbi 800 milionë lekë në vitin 2020. Koncesioni për markimin e karburanteve, biznesi paguan 390 milionë lekë. Janë 13.1 miliardë lekë që i paguajë qytetarët për koncesionet e shërbimeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shtetin shërbime bazike. Koncesioni është instrument i vlefshëm kur kontratat zgjidhen me transparencë, me garë, kur merret çmimi më i mirë i mundshëm, dhe në rastet kur sektori është një sektor kur shtetit nuk bën dot asgjë. Por, për sektor që kanë të bëjnë me sigurinë dhe fluksin e mallrave është e tepërt të shkohet në kontrata koncesionare. Shqetësimi im është monitorimi i kontratave, kush është efektiviteti i këtyre kontratave. E kam bërë 100 herë këtë pyetje dhe nuk kam marrë përgjigje.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *