Mbi 3 orë debat dhe përplasje në komision/ PS bllokon hetimin e inceneratorëve, rrëzon kërkesat e PD, Tabaku: Socialistët i dolën në mbrojtje Kokës








KELMENT BAÇI/ Komisioni Hetimor për Inceneratorët është futur në një ngërç, pasi edhe mbledhja e parë për këtë vit nuk solli asnjë avancim në marrëdhënien midis PSsë dhe PD-së.

Pas mbi 3 orë debatesh dhe përplasje mes maxhorancës dhe opozitës, 8 përfaqësuesit e PSsë votuan kundër planit të hetimit të komisionit, duke detyruar kryetaren Jorida Tabaku të mbyllte mbledhjen.

Sipas maxhorancës ky komision ka pasur kohën e mjaftueshme për të thirrur dhe pyetur dëshmitarë apo bërë këqyrjen e impianteve të ndërtuara për përpunimin e mbetjeve. Nga ana e saj, PD-ja pretendoi se pushimet e ndërrimit të viteve kanë humbur 1 muaj kohë, e cila do të ishte shfrytëzuar për t’i shkruar deri në fund hetimeve të asaj që ajo e konsideron këtë si aferën me një dëm prej 430 milionë euro në buxhetin e shtetit.

Plani i hetimit i propozuar demokratëve kërkonte thirrjen dhe marrjen në pyetje të 20 dëshmitarëve dhe disa emrave të tjerë të medias dhe politikës të shtuar në mbledhjen e djeshme.

Nga ana e saj, maxhoranca kërkonte që puna të niste, por Komisioni Hetimor sipas saj duhet të përfundojë në afatin e caktuar. Për nënkryetaren e PD-së, Jorida Tabaku, koha e mbetur në dispozicion është e pamjaftueshme për t’i shkruar deri në fund, ndërsa tha se PS-ja mori në mbrojtje skemën korruptive të inceneratorëve.

“Fatkeqësisht, PS-ja votoi kundër hetimit të inceneratorëve, aferës që ka përpara drejtësisë një ministër që është Lefter Koka. Ky Komision ka një fitore të vogël që është vendosja përpara drejtësisë e Lefter Kokës. PS-ja duhet të na lejonte që të vijonim hetimin për 3 muaj. Partia Socialiste doli mburojë e Edi Ramës dhe Lefter Kokës. Vota kundër tregon mbrojtjen politike që i jep kësaj afere dhe që janë të gjithë brenda”, tha Tabaku.

Nga ana e saj, nënkryetarja e këtij Komisioni, Ermonela Felaj u shpreh se PS-ja është e gatshme të përmbushe detyrimet e përcaktuara nga Kuvendi, por brenda afateve të rregullores.

“Ne jemi gati, që nesër të shkojmë të shikojmë investimet në tre inceneratorët, që ju i quani skena krimi. T’i shohim dhe pastaj secili mban qëndrimin e tij. Duhet t’i mbetemi besnikë këtij objekti e vendimit që mori Kuvendi kur na vuri në dispozicion një afat që ju vetë e keni kërkuar, mendoj që jemi në kohë për ta kryer këtë hetim e për të shkuar në fund të çdo kërkese që është ngritur në këtë Komision nga secili nga ju”, tha Felaj.

Midis debatit, deputetja e PS-së Felaj u kujtoi kolegëve demokratë protestën e 8 janarit në selinë e PDsë, ndërsa këta të fundit ia kthyen duke deklaruar se ajo i bën më të fortë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje.

Elbasani, sasi të larta mbetjesh të pamenaxhuara Inceneratori i Elbasanit përpunoi vetëm 11% të mbetjeve në vitin 2020

Edhe pse qeveria investoi 24 milionë euro me partneritet publik privat për ndërtimin e një inceneratori për përpunimin e mbetjeve në Elbasan, ky qark pati ndër sasitë më të larta të mbetjeve të pamenaxhuara në vitin 2020.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT-i tregojnë se, prefektura e Elbasanit gjeneroi mbi 92 mijë tonë mbetje gjatë vitit 2020, teksa 23.3 për qind e tyre nuk e menaxhuan, duke e renditur në tre qarqet me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara.

Të dhënat të tjera më të hollësishme tregojnë se, gjatë vitit 2020, inceneratori i Elbasanit përpunoi vetëm 11 për qind të mbetjeve të gjeneruara në këtë qark (10 mijë tonë). Më tej 55 % e mbetjeve në qarkun e Elbasanit janë depozituar në “landfill”-e dhe 14 % u ricikluan. Kapaciteti i impiantit është rreth 120 ton mbetje/ ditë.

Pranë impiantit duhet të depozitoheshin mbetje nga Bashkitë Elbasan, Cërrik, Librazhd, Belsh dhe operatorë të ndryshëm privatë. Në vitin 2020 sasia e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë në Shqipëri ishte 369,2 kg.

Qarku me sasinë më të lartë të mbetjeve të menaxhuara për frymë ishte qarku i Gjirokastrës me 728,7 kg, e ndjekur nga Fieri me 479,5 dhe Tirana me 429,0 kg. Nga ana tjetër, qarku me sasinë më të ulët të mbetjeve të menaxhuara për frymë ishte Korça me 237,0 kg, e ndjekur nga Shkodra me 236,1 kg dhe Dibra me 230,5 kg.

Mbetjet e menaxhuara trajtohen kryesisht duke depozituar mbetjet në “landfill”- e dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të qeverisjes vendore. Në vitin 2020, struktura e trajtimit të mbetjeve ishte: 80.2% të depozituara në “landfill”-e, 18.1% të ricikluara, 0.5% hedhje në mënyre jo të rregullt në natyre, 1.1% të djegur në inceneratorë dhe 0.1% të djegur për eliminim.

SPAK (Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë) ka hetuar procedurat për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit, për të cilin ka gjetur shkelje të ndryshme penale, duke filluar nga procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit deri te faturat tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri.

Nga hetimi ka rezultuar se Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ishministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, shuma e faturuar është rreth 3.7 milionë euro.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.