Mbledhja e parë me sekretarët e rinj/ Gjiknuri: Ja çfarë do të ndodhë në këtë 100-ditësh, fillimi i vitit të ardhshëm do ta gjejë PS-në me…





MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje për herë të parë sekretarët e rinj të partisë që drejton. Ndërkohë, i sapoemëruar Damian Gjiknuri ka dhënë dje edhe prononcimin e parë si sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

damian gjiknuri keshilli politik

Në përfundim të takimit me kreun e PS-së, Gjiknuri u shpreh se fokusi i takimit ishte mënyra sesi do të vihen në zbatim idetë që prezantoi kryesocialisti Rama.

Ndërkohë, ai lajmëroi se në fillim të vitit 2022, Partia Socialiste do të ketë gati statutin e ri (që konsiderohet si Kushtetuta e partive).

Po ashtu, sipas Gjiknurit në fillim të vitit të ardhshëm do të jenë gati dhe riorganizimet e reja.

Sipas tij, këto ndryshime imponohen në Partinë Socialiste për shkak se PS-ja për herë të parë ka marrë mandatin e tretë radhazi dhe sipas tij, qeverisja e vendit ka kostot e veta dhe nëse PS-ja nuk rifreskon veten, rrezikon të mos jetë më alternativë dhe të ikë nga pushteti.

Ndërkohë, Gjiknuri i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me zërat se ndryshimet e reja të bëra nga kryesocialisti Rama kanë krijuar pakënaqësi në PS. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, në një organizim politik të madh si PS-ja është normale që të ketë pakënaqësi momentale, por që sipas tij, PS-ja ka ditur t’i tejkalojë.

Po ashtu, ai për herë të parë ka sqaruar edhe ndarjen e posteve me Taulant Ballën, i cili deri më tani i ka mbajtur të dy postet, kryetarin e Grupit Parlamentarë dhe sekretarin Përgjithshëm të PS-së.

PRONONCIMI

Kjo e sotmja ishte një mbledhje e parë prezantuese. Një bashkëbisedim me kryetarin e Partisë në lidhje me vizionin e ri që u paraqit edhe në Kongresin e Partisë Socialiste, si edhe me fillimin e punës për riorganizimin e Partisë Socialiste, ku së bashku me sekretarët e rinj do të ndërtohet një proces i vazhdueshëm.

Në fillim me analizat postzgjedhore, të cilat janë shumë të nevojshme për të marrë një “feedback” real nga terreni, por njëkohësisht edhe për të ristrukturuar partinë, në një mënyrë të tillë që të përballojë sfidat në mandatin e tretë.

Mandati i tretë është i vështirë, sepse natyrshëm qeveria në njëfarë mënyre ka koston e saj. Puna ku duhet të bazohet Partia Socialiste dhe angazhimi i gjithë organizatave socialiste do të jetë një garanci e plotë, që kjo parti të mbetet vazhdimisht partia lider në politikëbërjen e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ju ka vendosur një afat 100-ditor për të gjithë drejtuesit dhe sekretariatet. A është ky afat i mjaftueshëm për të përmbushur platformën e kërkuar?

Qëllimi i afatit 100-ditor është përmbyllja e analizës postzgjedhore të nisura nga Kongresi që u zhvillua në qershor. Ky 100-ditësh do i vlejë të gjithë ekipit drejtues dhe ekzekutiv të Partisë Socialiste për të përgatitur organizimin e ri. Mendoj se është një afat i mjaftueshëm për të krijuar një ide dhe për të dalë me një platformë, e cila natyrshëm do të dojë vite për t’u implementuar. Partitë, testimin e të gjithë aftësive të tyre organizative e kanë kur vijnë zgjedhjet. Brenda dy vitesh do të kemi zgjedhjet vendore dhe brenda katër vitesh do të kemi zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj se është kohë e mjaftueshme për të testuar riorganizimin e ri të partisë.

Paralelisht keni nisur me analizën e zgjedhjeve të 25 prillit?

Analiza do të zgjasë deri në fund të vitit. Fillimi i vitit do e gjejë Partinë Socialiste me një statut të ri dhe riorganizim të ri për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë. Mandati i tretë, e ka thënë edhe Kryeministri, është një mandat i vështirë. Njerëzit kanë pritshmëri, Partia Socialiste ka një eksperiencë të madhe, por ka pasur edhe probleme, për të cilat ne duhet të reflektojmë.

Ka pakënaqësi brenda strukturës drejtuese të Partisë Socialiste dhe si do ta menaxhoni ju këtë si sekretar i Përgjithshëm?

Unë nuk di të ketë pakënaqësi. Këto janë konstatime të natyrës së anekdotave, sepse nuk kam dëgjuar pakënaqësi. Natyrshëm brenda një organizate, aq më tepër vullnetare, me organe kolektive ka edhe pritshmëri të ndryshme. Mund të ketë edhe mosrealizim të ndonjë pritshmërie. Jam i bindur se Partia Socialiste ka kaluar aq prova edhe më parë për të mbajtur të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj sa i përket ekipit që ka.

U ndje mungesa e z. Balla në mbledhjen e Sekretariatit?

Për këtë duhet të pyesni z. Balla. Z. Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme, që është drejtimi i Grupit Parlamentar Socialist. Mendoj se ndarja e dy funksioneve është bërë për funksionimin më mirë të partisë dhe nuk ka pasur për qëllim të zvogëlojë dikë dhe të rrisë dikë tjetër.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *