Mbyllet beteja në Gjykatën e Zgjedhjeve, s’ka surpriza! PD nuk është dakord me vendimin e KAS dhe Kolegjit Zgjedhor. Ja rrugët që do të ndjekë






MARIGLEN KUME/ Beteja ligjore e opozitës në Kolegjin Zgjedhor nuk prodhoi asnjë ndryshim rezultati. Dje, Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e PD-së e LSI-së edhe për qarkun e Fierit dhe atë të Elbasanit.

kolegji zgjedhor

Sipas trupës gjykuese në kolegjin zgjedhor, ankimimi është i pambështetur në ligj dhe në prova. Fieri dhe Elbasani ishte qarku i 8-të dhe i 9-të e të fundit që u ankimuan nga PD-ja e LSIja që kërkuan pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe detyrimisht përsëritjen e tyre, por që u rrëzuan nga Gjykata e Zgjedhjeve. Pak ditë më parë ky institucion ka rrezuar një tjetër kërkesë të PD-së për përjashtimin e 7 gjyqtarëve. Sipas Kolegjit Zgjedhor, pretendimet e PD-së se shtatë anëtarët e tij nuk garantojnë paanshmëri në gjykim të ankesave për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, janë të pabazuara.

AKUZAT

Ndryshe nga trupa gjyqësore që rrëzoi ankimimet, Partia Demokratike është e bindur se ata kanë depozituar mjaftueshëm prova për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarqet që ata kanë ankimuar po ashtu sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së Marash Logu, nëse KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor do të pranonte të merrte edhe provat shtesë të kërkuara nga opozita që të administrohen pasi ata vetë nuk mund t’i dispononin, pasi që nga 2019-ta nuk janë pjesë e asnjë pushteti do të zbuloheshin edhe më shumë prova. Ndërkohë, vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të refuzuar kërkesën e tyre e konsideron të jashtëligjshme.

“Ne kemi sjellë me qindra fakte dhe shpjegime, të cilat shpjegonin në mënyrë të detajuar të gjithë sistemin kriminal që kishte ndërtuar regjimi RamaDoshi për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë në 25 prill. Fatkeqësisht, por pa asnjë surprizë, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve dhe Kolegji Zgjedhor refuzoi të drejtën për transparencë, jo vetëm të Partisë Demokratike, jo vetëm të 630 mijë zgjedhësve që përfaqësojmë ne apo 107 mijë zgjedhësve që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim, por të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët donin të kuptoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 25 prillit. Këto vendime janë të paprecedente.

Këto vendime janë në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor dhe të gjitha aktet e tjera ligjore në Shqipëri, ku i refuzohet e drejta palëve për të bërë transparencë mbi një proces zgjedhor”, tha përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu. Ndërkohë sipas tij, Kryeministri Rama dhe maxhoranca kanë ndërhyrë te trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor për të marrë vendime të tilla. “Ne sigurisht e dimë se kush ka qenë mbrapa këtyre vendimeve. Ka shumë qytetarë që na pyesin çdo ditë: Kush nuk është i interesuar për të zbardhur të plotë masakrën zgjedhore të 25 prillit? Kush është i frikësuar nga transparenca e plotë mbi këtë masakër? Kush është ‘dora e zezë’ që ka mbyllur gojën e komisionerëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? Kush është ‘dora e zezë’ që mbyll gojën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor? Kush është ‘dora e zezë’ dhe kriminale që nënshkruan vendime të paligjshme? Përgjigja është një dhe e vetme është Edi Rama. Është Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë që është njeriu më i interesuar në këtë vend për të shuar dhe për të shkatërruar çdo hapësirë lirie, çdo hapësirë demokracie dhe çdo hapësirë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që ekzistojnë në këtë vend”, vijoi Logu.

Demokratët janë të bindur se dy hallkat e para nuk dhanë drejtësi për atë që ata e quajnë masakër zgjedhore, ndaj dje Logu paralajmëroi se do të ndjekin edhe hapa të tjera ligjore. “Siç e kemi thënë edhe në fillim ne do të përdorim çdo mjet, çdo mundësi që ekziston për t’i shkuar deri në fund betejës tonë. Grupi i juristëve që është pranë Partisë Demokratike do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 prillit dhe për të mos lejuar që zgjedhjet; që u diktuan nga krimi dhe paligjshmëria, zgjedhjet që u diktuan nga 10 mijë lejet e legalizimit të dhëna në mënyrë të paligjshme, nga 13 mijë punonjës të punësuar në administratën publike në vetëm 4 muaj, nga 63 milionë euro paga, nga 125 milionë euro që u përdorën për tërmetin”, vijoi përfaqësuesi ligjor i PD-së.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *