Me 2 korrik të ’90-të çau me kamion murin e ambasadës gjermane/ Meta dekoron Ylli Bodinakun, në ceremoni i pranishëm edhe ambasadori Peter Zingraf








Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekoruar Ylli Bodinakun, njeriun që me 2 korrik të vitit 1990, çau me kamionin e tij murin e ambasadës gjermane, duke e vlerësuar atë për guximin që tregoi 31 vite më parë dhe vullnetin e tij të fortë për liri.

ylli bodinaku

Në ceremoninë e dekorimit të z.Bodinaku, ishte i ftuar edhe ambasadori i Gjermanisë, z.Peter Zingraf, i cili korrikun e 31 viteve më parë kur shqiptarët nisën arratisjen e ka kujtuar me dy personazhe të veçantë, shoferin e kamionit që rrëzoi murin e selisë diplomatike dhe djalin e tij, që atëherë ishte vetëm 3 muajsh dhe ishte brenda në makinë.

Ylli Bodinaku rrëzoi murin e ambasadës më 2 korrik 1990 me një kamion dhe 40 refugjatë mbi të, përfshirë djalin e tij 3 muajsh.

Ai nuk e quan veten hero. Por kështu e ka quajtur atë, në mbrëmjen e 2 korrikut 1990, ministri i Jashtëm i atëhershëm i Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher.

Mbrëmja e 2 korrikut 1990

Në mbrëmjen e 2 korrikut 1990, i riu Ylli Bodinaku çau përmes murit të Ambasadës Gjermane në Shqipëri me kamionin e tij tip “Skoda”.

Në kamionin e tij ndodheshin gruaja dhe fëmijët, së bashku me gjithsej 36 persona, shokë dhe miq të tij, në pjesën e pasme të kamionit.

Dhjetëra të tjerë vërshuan pas tij në ambasadë, përmes murit që ai rrëzoi.

Ky lajm u raportua dhe në mediet e huaja, në Bon të Gjermanisë, ku personat e parë që hynë në ambasadën gjermane në Shqipëri, u cilësuan si heronj të demokracisë shqiptare.

Ambasadori gjerman i asaj kohe, Ëerner Daum, hapi dyert e ambasadës në korrik të vitit 1990 dhe u tha punonjësve që para se të largoheshin, të linin dritat ndezur dhe derën e ambasadës hapur.

Më shumë se 3 000 vetë qëndruan në ambasadën gjermane, në kushte tejet të vështira, pas ndërprerjes së ujit dhe furnizimeve me ushqime, në pritje të reagimit dhe vendimit që do të merrte regjimi komunist.

Më pas mijëra shqiptarë, të cilët duke mposhtur frikën e një diktature 45-vjeçare u nisën nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, së bashku me fëmijët e tyre, vërshuan drejt ambasadave të huaja, pa qenë të vetëdijshëm se ky hap do të ndikonte në rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në vendin tonë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *