“Më arrestuan si terrorist”, Beleri flet nga qelia për median greke: Akuza ndaj meje false, e duan me çdo kusht Himarën!

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për median greke “Kathimerini”, për Jani Soulioti ku përshkruan kushtet e paraburgimit të tij, pesëdhjetë ditë pas arrestimit.

Ai e ka quajtur një komplot arrestimin e tij pasi sipas tij, e goditën kur mësuan se sa Himariotë po përgatiteshin për të ardhur nga Athina për të votuar dhe e kuptuan që po humbnin në Himarë.

Ai është shprehur se arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhje në mënyrë kinematografike e si të ishte terrorist, ndërsa ka shtuar se deri më tani nuk e kanë thirrur në asnjë seancë hetimore, ndërsa akuzat ndaj tij, janë të mbushura me falsifikime.

Beleri ka falënderuar edhe kryeministrin Grek duke thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare të shohë seriozisht paraburgimin dhe akuzën ndaj Kryebashkiakut të Zgjedhur të Himarës që i takon një minoriteti.

Zoti Beleri, së pari si jeni, jeni i paraburgosur 50 ditë, cilat janë kushtet me të cilat jeni të përballur brenda në burg?

Mik, jam 50 vjeç. Jo vetëm bashkëmoshatarët e mi por edhe ata më të mëdhenj, pjesëtarë të minoritetit etnik grek të Shqipërisë, u lindem dhe u rritem në sistemin diktatorial Hoxha. Për ne liria dhe të drejtat e njeriut nuk janë të vetëkuptueshme, siç ndodh me ju. Janë një betejë e pandërprerë për ti arritur. Dhe kur i kemi, jetojmë me agoninë qe të mos i humbasim.
Për mua, pas zgjedhjes time, nuk ka më asnjë rendësi ku jam, por ku nuk jam. Duhet të isha në pozicionin tim si Kryetar i bashkisë së Himarës, duke mbrojtur të drejtën e bashkëqytetarëve të mi, shqiptarë apo grekë. Në të gjithë fushatën elektorale fola si nënshtetas shqiptar qe pretendon përparimin dhe mirëqenien e vendit të tij, rrugën e tij integruese në BE.

Një qytetar shqiptar i përkatësisë greke qe sheh në marrëdhëniet e Minoritetit Etnik Grek dhe të Qeverisë Shqiptare precedentin qe të bindë shteti Shqiptar komunitetin ndërkombëtar për shtetin e së drejtës dhe për demokracinë liberale qe funksionon në të gjithë territorin e tij.

Çfarë ndodhi në prag të zgjedhjeve administrative lokale kur ju dhe bashkëpunëtori juaj u arrestuat me procedurën e arrestimit në flagrancë dhe me akuzën e tentativës për blerje votash. Na përshkruani ngjarjet.

Asgjë. Thjesht po përmbyllej afati kohor qe regjimi i kishte përcaktuar shtetit të krimit për të më eliminuar. Goditën kur mësuan se sa Himariotë po përgatiteshin për të ardhur nga Athina për të votuar dhe e kuptuan që po humbnin në Himarë. Për ata që nuk e njohin, Himara nuk konsiderohet si krahinë minoritare nga autoritetet shqiptare.
Të enjten në darkë, dy ditë para zgjedhjeve, pas një ditë rraskapitëse, po qëndroja në një kafe bashkë me avokatin tim dhe me një kushëri timin, duke diskutuar dhe duke u relaksuar.

Aty me arrestuan me një mënyrë kinematografike të ngjashme me arrestimin e terroristëve ndërkombëtarë. Donin të ndërprisnin valën e bashkëqytetarëve nga Athina qe vinin për të votuar, dhe të terrorizonin qytetarët shqiptarë qe më mbështesnin. Qe atëherë më mbajnë të paraburgosur dhe pengojnë marrjen e detyrave të mia. Qëllimi i tyre është qe, pas plotësimit të mungesës time 3-mujore nga konstituimi i Këshillit Bashkiak qe u realizua me 27 qershor, të humbash postin dhe të rishpallen zgjedhjet, si e parashikon ligji elektoral shqiptar.
Ju dhe bashkëpunëtori juaj ratë pre e ndonjë gabimi që u dha pretekst autoriteteve shqiptare që tju akuzojnë?

Asnjë. Pothuajse 15 ditë përpara zgjedhjeve u duk qartë nga klima elektorale se fitoja. Në sondazhet, me shumë se 3 në 10 votuesit e Ramës dhe 4 në 10 votues të përkatësisë shqiptare votonin për mua dhe jo të preferuarin e tij, kryebashkiakun në ikje pas një mandat 12-vjeçar. Në 7 ditët e fundit vetë Rama filloi një sulm denigrues kundër meje, me sharje dhe karakterizime të padëgjuara për ligjërimin publik, ndërkohë që mediat miqësore të regjimit yshtnin për raprezalje ndaj minoritetit grek. Unë e ftoja të qëndronte në lartësinë e rolit të Kryeministrit dhe e siguroja se ditën e nesërme të zgjedhjes time do të kisha kundërshtar vetëm problemet dhe do të nxitoja të bashkëpunoja me të për aq vite sa do të ishte kryeministër.
Regjimi dëshiron që Bashkia e Himarës të mbetet patjetër në duart e tij. Në qoftë se do të ushtroj detyrat e mia do të vijnë në dijeninë time dëshmi që sot nuk janë të aksesueshme publikisht. Bëhet fjalë për dëshmi rrëmbimi të pronave të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek dhe kalimi i tyre në duart e «investitorëve». Behët fjalë për dëshmi dhunimi me kërcënimin e mosdhënies të titujve të pronësisë dhe detyrimin të nënshkruash projekt-marrëveshje për të shitur pronën tënde tek ai që të kanë rekomanduar.

Si të janë sjellë gjatë hetimit?

Nuk më kanë thirrur deri më tani për ndonjë seancë hetimore. Më mbajnë kaq kohë dhe nuk më kanë pyetur as për emrin tim!

Jeni njohur me dosjen gjyqësore? Ekzistojnë elementë që mund të na i tregoni që dëshmojnë se ndjeka penale ndaj jush nuk dëshmohet nga ngjarje konkrete, por ka motive politike?

Shkeljet procedurale ligjore janë të shumta në numër. Dosja gjyqësore qe na u dha ishte praktikisht boshe, pa asnjë dëshmi elementare. Akuza është e mbushur me paligjshmëri dhe me falsifikime.
Është karakteristike se dëshmia ime e penalitetit, që përfshihet në dosje, është e falsifikuar. Është e ndryshme nga ajo që u lëshua 2 muaj para zgjedhjeve dhe që paraqitëm në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Kjo e fundit ishte e pastër, pasi më mundësoi në regjistrimin dhe në shpalljen time si kandidat.
Jam i vetmi qytetar shqiptar, midis 31 çështjeve të tjera penale që u referohen shkeljeve zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe i vetmi në të 32 vitet që zhvillohen zgjedhje, në dëm të të cilit është zbatuar kushti kufizues “paraburgim” me akuzën se një mbështetës i imi mundet që të këtë blerë vota, domethënë me akuzën e bashkëpunimit në korrupsion zgjedhor.
Pavarësisht këtyre, besoj se ekzistojnë gjyqtarë në Shqipëri. Shumë shpejt ndonjë gjyqtar do të ngrejë personalitetin e vet ndaj regjimit, duke mbrojtur, jo mua, por trupën e gjyqtarëve, institucionin, por edhe rrugën integruese të Shqipërisë në BE, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.

Cilat janë shkaqet më të thella të ndjekjes penale? Përse regjimi i Edi Ramës dëshiron qe, më çdo çmim, të kontrollojë Bashkinë e Himarës? Cili është qëllimi. Synon Minoritetin Grek apo motivet janë ekonomike?

Janë qe të dyja, komplementare me njëra tjetrën. Mbështesin miqtë e tyre investitorë dhe ndërpresin kërthizën lidhëse të minoritetit etnik grek me krahinën, ku kanë pasurinë e tyre atërore. Duke çrrënjosur minoritetin etnik grek garantojnë interesat e bashkëortakëve të tyre.
Ne duam qe të shohim vendin tonë të zhvillohet dhe pjesëtarët e minoritetit etnik grek të gëzojnë mirëqenie në vendin e vet. Kurse regjimi do të përfitojë nga unikaliteti i vendit dhe të shohë pjesëtarët e minoritetit etnik grek të çrrënjosen, definitivisht dhe pakthyeshmërisht, pasi të kënë humbur pasurinë atërore. Mendoni se sa prej jush e kanë harruar fshatin e tyre, pasi nuk kanë ruajtur aty pasurinë patrogonike.
Përpos kësaj, me përndjekjen dhe me paraburgimin tim, regjimi dërgon një mesazh për të sotmen dhe për të ardhmen, një mesazh për vendosmërinë e tij. Burgu dhe mohimi de fakto i së drejtës për tu zgjedhur, është një mesazh i qartë demonstrimi force dhe terrorizimi. Do të mbretërojë frika se kush reagon ndaj regjimit do të këtë të njëjtin fund.

Besoni se ndjekja dhe paraburgimi juaj merr karakterin e një problemi etnik që ndikon marrëdhëniet Greqi – Shqipëri?

Së pari, më jepni rastin të falënderoj më gjithë shpirt Kryeministrin e Greqisë, por edhe të gjithë klasën politike të vendit dhe shoqërinë greke, duke përfshirë edhe europarlamentarët Grekë, për mbështetjen e tyre vendimtare, esenciale dhe korrekte të derisotme.
Greqia, si atdheu i demokracisë e kupton rëndësinë e shkeljes të së drejtës së zgjedhjes. Nuk dua të ndikojë marrëdhëniet Shqiptaro-Greke sjellja e regjimit ndaj meje. Por pretendoj dhe shpresoj që të vlejë si rast që Shqipëria të ndryshojë sjelljen e saj ndaj Minoritetit Grek dhe të shndërrohet në një shtet të së drejtës, në një demokraci liberale.
Pres nga bashkësia ndërkombëtare të shohë seriozisht paraburgimin dhe akuzën ndaj Kryebashkiakut të Zgjedhur të Himarës qe i takon një minoriteti. Mbrojta e të drejtave të njeriut dhe e parimeve të demokracisë është një ushtrim kolektiv dhe jo një përpjekje e njëanshme. Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara edhe Presidenti i Bashkimit Evropian dhe kryesuesit e organizmave ndërkombëtare, dhe Kryetari i Bashkisë së Himarës ose Kryebashkiaku në çdo skaj të botës perëndimore, të njëjtën demokraci, të njëjtat të drejta njerëzore, të njëjtin shtet të së drejtës mbrojnë.

Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Himarës dhe si vlerësoni vazhdimin e çështjes suaj?

U kërkoj të tregojnë durim, të mos e humbasin besimin e tyre të demokracia dhe në shtetin e së drejtës, të vazhdojnë të mbrojnë të drejtën. Sepse, më 15 maj, në Himarë fitoi demokracia. U jam mirënjohës gjithë atyre që treguan trimëri, por edhe të gjithë ata që ju nënshtruan terrorit.
Për mua nuk ekzistojnë fitimtarët dhe humbësit. Të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si Kryetar Bashkie i pari dhe i barabartë midis tyre, shumë shpejt do të marshojmë, të bashkuar, për të qenë akoma më të fortë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts