“Me shokët kuptohemi në ajër, mezi pres të luaj në Serinë A”, Zhiru: Milani po rritet, me Ibrën dyshe fantastike










Dopieta e Zhirusë në pjesën e parë u siguroi triumfin kuqezinjve të Stefano Piolit. Sulmuesi francez tundi rrjetën 2 herë në minutat 16 dhe 43, pas asisteve të Tomorit dhe Kalabrias.

Ndërkohë, golin e vetëm për Panathinaikosin e realizoi Ioanidhis në minutën e 77-të, por gjithçka ndodhi si pasojë e një pasigurie të Tatarushanut, i cili kontrolloi keq një pasim të Gabias dhe i dha mundësi rivalit ta mposhtte. Pasi nisi takimin pa Kesin e Benaserin, trajneri Pioli gjatë pjesë së dytë zëvendësoi të gjithë lojtarët e hedhur titullarë duke u dhënë hapësira edhe të rinjve.

Nuk munguan rastet për kuqezinjtë, por nëse Kruniç nuk shënjestroi si duhej, Kalabria u ndal nga gardiani grek Diudis. Edhe Zhiru pati rast, por pasi dribloi portierin, goditja e tij u ndal nga shtylla pingule. Ai i së shtunës ishte triumfi i tretë i Milanit në gjashtë miqësore të zhvilluara.

zhiru

FJALA E ZHIRUSË – Tre gola në po aq prezenca si kuqezi. Nuk mund të niste më mirë aventura e Olivie Zhirusë me Milanin, aq më tepër me fanellën numër 9 mbi supe e cila, siç dihet, ka qenë një mallkim për këdo që e ka veshur pasi Filipo Inzagi vari këpucët në gozhdë. Sulmuesi ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit ku ka shpjeguar ecurinë e aventurës së tij të parë në Itali.

Gola dhe bashkëpunim. Si ndiheni?

Jam shumë i lumtur, siç isha edhe javën e kaluar. Zhvilluam një ndeshje pozitive dhe për mua çdo gjë shkoi mirë sepse shënova dy herë. Falënderoj Tomorin dhe Kalabrian për asistet. Mund të kishim shënuar edhe më tepër, por nuk jemi ende në 100 për qind të formës siç e vërteton edhe goli i pësuar.

Gjithsesi, nuk mund të thuhet se këto miqësore kanë shkuar keq?

Më vjen mirë që skuadra po përmirësohet çdo ditë dhe të gjithë ndihemi më mirë. Në “Milanello” punohet fort dhe kemi dëshirë të tregojmë futbollin tonë. Sigurisht mund të bëjmë më shumë, por ndihem i kënaqur që munda ta konkretizoj punën ekipore.

Si është marrëdhënia juaj me shokët e skuadrës?

Po njihemi më mirë jashtë dhe brenda në fushë. Ndihem shumë mirë me djemtë, ata më kërkojnë gjithmonë në zonë dhe po përpiqen të bashkëpunojnë me ne sulmuesit. Mund të kishim shënuar më shumë, por ishte një ndeshje pozitive për të ardhmen.

Olivier Giroud Milan celebrates after scoring a goal during AC Milan vs Panathinaikos FC, friendly football match in Trieste, Italy, August 14 2021 PUBLICATIONxINxGERxSUIxAUTxONLY Copyright: xEttorexGriffonix/xIPAx/xx 0

Me skemën 4-4-2 duket sikur ndiheni më komod?

Nuk mendoj se është një çështje lojtarësh apo sa sulmues luajnë, por ka një dëshirë nga të gjithë për të luajtur mirë së bashku dhe për të krijuar mundësi goli. E kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë në fushë dhe personalisht kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë shokët e mi të skuadrës. Secili duhet të ndihmojë të tjerët, ndaj besoj se kemi shpresa për të bërë gjëra të mëdha në të ardhmen.

Mendoni se mund të luani krah Ibrahimoviçit?

(Buzëqesh) Mendoj se është mirë që ekipi të ketë kaq shumë sulmues me karakteristika të ndryshme. I njohim cilësitë e Ibrës dhe të miat. Jemi të kënaqur për mënyrën se si po rritemi dhe mezi pres për të filluar Serinë A.

Në Milano si ndiheni?

Nuk e kam gjetur ende shtëpinë dhe mezi pres që të mund të stabilizohem. Shkollat për fëmijët gjithashtu do të fillojnë së shpejti, ndaj shpresoj ta gjej sa më shpejt.

Ndërkohë, duket se tifozët ju kanë pritur në mënyrën më të mirë apo jo?

Ndihem pjesë e familjes. Edhe sonte (të shtunën) të gjithë morëm një pritje shumë të ngrohtë nga tifozët. Kur shënova, dëgjova që thërrisnin emrin tim, është gjithmonë mirë që një sulmues të shënojë. Mezi pres të luaj në “San Siro” dhe të bëj debutimin tim në kampionat. Shpresoj të shënoj në Serinë A, ndoshta që në ndeshjen e radhës.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *