Mesi i dëmtuar dhe Mbape me grip, Poçetino: Nejmar mund të ulet në stol








Maurisio Poçetino ka përgatitur sfidën e sotme me Lilën të programuar për në orën 21:00 në “Parc des Princes”. Shumë dhimbje koke për trajnerin argjentinas i cili do të duhet të bëjë pa Kilië Mbapenë që ka një infeksion në rrugët e frymëmarrjes dhe me Marko Verratin i cili do të qëndrojë të paktën katër javë larg fushave.

POCETINO

“PLESHTI” – Mungesave të rënda mund t’u shtohet në minutën e fundit edhe Lionel Mesi. 34-vjeçari ka pasur një shqetësim muskulor të mërkurën, çka ka bërë që dje të stërvitej në mënyrë të veçuar nga grupi. Trajneri nuk ka në plan ta rrezikojë, teksa në konferencë për shtyp ka sqaruar:

“Pas ndeshjes me Marsejën, Lioneli u stërvit shumë mirë, por ndjeu një problem muskulor dhe sot u stërvit vetëm. Do ta vlerësojmë gjendjen e tij dhe më pas do të vendosim nëse do të mund të luajë. Mesi ka një cilësi të jashtëzakonshme e mund të mbulojë çdo rol. Për mua është më i miri në botë”.

Të mos harrojmë se “Pleshti” ka luajtur katër ndeshje në kampionatin francez ku nuk ka mundur të shënojë ende golin e parë, ndërkohë që në Champions ka lënë tri herë gjurmë me fanellën e re.

NEJMAR NË STOL? – Teksa Mbape me siguri do të mungojë, në formacion mund të mos shihet as Nejmari. Këtë e konfirmon vetë Poçetino, që gjatë konferencës për shtyp shtoi: “Nejmari ka një talent të jashtëzakonshëm. Ka nevojë të jetë në formën më të mirë për të dhënë maksimumin.

Jam i kënaqur me gjithçka ka bërë deri më tani dhe shpresoj që do të përmirësohet akoma. Nuk e di nëse do të luajë. Në stol mund të përfundojë çdo lojtar i kësaj skuadre. Kam 33 futbollistë në organikë dhe secili prej tyre mendon se e meriton të luajë. Kush nuk luan është i mërzitur, por kjo situatë është e zakonshme në çdo klub të madhe me ambicie”.

KAMPIONATI – Ndeshja me Lilën është e vlefshme për javën e 12- të të kampionatit francez. PSG-ja udhëheq dhe aktualisht është 7 pikë larg Lensit, ndjekësit më të afërt. Distanca nga rivalët nuk e mban të qetë Poçetinon, që në fund të konferencës për shtyp deklaroi: “Erdha këtu për të krijuar një projekt, për të prezantuar metodën time, filozofinë time të punës, për të ndërtuar së bashku një rrugë që mund të na çojë në arritjen e objektivave të vendosur nga klubi.

Ne jemi të parët në renditje dhe në grupin e Champions-it, por e dimë se duhet të bëjmë më mirë dhe duhet të japim gjithçka për të vazhduar përmirësimin. Lila është një skuadër shumë e fortë që ka lojtarë të shkëlqyer dhe që ka fituar titullin kampion sezonin e kaluar, ndërsa ne duhet të kishim bërë më mirë. Pres një ndeshje të vështirë, por mendërisht jemi gati të bëjmë një paraqitje niveli dhe t’i mposhtim”.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *