Mesi “mollë sherri” te Barcelona, Laporta dhe Bartomeu akuzojnë








Largimi i Lionel Mes it nga Barcelona ka shkaktuar një plagë që duket e vështirë për t’u mbyllur. Ndonëse kanë kaluar muaj nga largimi i tij, në “Camp Nou” nuk gjejnë paqe. Teksa argjentinasi po shijon jetën e tij të re në Paris, drejtues dhe ish-drejtues të klubit vazhdojnë të kacafyten mes tyre për largimin e “Pleshtit”. Natyrisht që Mesi është kthyer në një ikonë për klubin katalanas, por tashmë ai është bërë edhe një mollë sherri mes presidentit aktual Joan Laporta dhe ish-presidentit, Josep Maria Bartomeu.

laporta bartomeu

Shkak për këtë përplasje më të fundit në hierarkinë më të lartë të Barcelonës është bërë një intervistë dhënë nga ish-presidenti i Barcelonës, Bartomeu, për gazetën “Mundo Deportivo”.

Ai ka vënë gishtin në plagë, duke akuzuar pasuesin e tij, Laporta, për gabim trashanik në lënien e Mesit të largohej nga klubi. Kjo intervistë e Bartomeut nuk është pritur aspak mirë nga Laporta, që nuk ka vonuar të reagojë ashpër dhe ta akuzojë paraardhësin e tij se e ka lënë Barcelonën në një krizë financiare të paprecedentë.

AKUZAT E BARTOMEUT – Zanafilla e përplasjes së fundit mes Laportës dhe Bartomeut ka nisur pikërisht nga intervista e këtij të dytit. Ai ka folur për largimin e “Pleshtit” që në njëfarë mënyre ka ndryshuar edhe historinë e vetë klubit. Divorci mes palëve ishte epilogu i nisur nga faksi pas humbjes poshtëruese 2-8 me Bajernin në Champions në gusht 2020. Duke folur për largimin e Mesit, ish-presidenti i Barcelonës ka thënë:“Si president nuk doja që Mesi të largohej. Edhe unë kam bërë të pamundurën që ai të mos largohej nga Barça dhe e mbajta. Ndryshe nga unë, këta që erdhën pas meje mundësuan largimin e Leos. Dhe për mua ai ka qenë një vendim i gabuar kokë e këmbë”. Po ashtu Bartomeu ka polemizuar me Laportën, duke mbrojtur trajnerin Kuman.

KUNDËRPËRGJIGJJA E LAPORTËS – Pas intervistës së Bartomeut ka ardhur edhe përgjigjja e presidentit aktual të Barcelonës, Joan Laporta. Duke folur për rinovimin e Pedrit, Laporta ka thënë: “Në fakt, nuk dua ta prish këtë ditë të bukur, duke folur për një person që i ka bërë dëme kolosale Barcelonës. Mund të them vetëm kaq, se Bartomeu është një person i dëshpëruar dhe flet si i tillë”.

PREMTIMI – Më pas presidenti i Barcelonës ka folur edhe për planet e së ardhmes dhe rimëkëmbjen, duke mos harruar Mesin. “Pa dyshim që largimi i Leo Mesit ka qenë momenti më i keq si president. Ishte një trishtim i madh, por duhet të shohim përpara. Fle 4-5 orë në ditë dhe janë të mjaftueshme, mjafton që pjesën tjetër ta kem efektive për ta rikthyer Barcelonën sërish numrin një në botë. Kam shumë pak kohë për jetë private, sepse po punojmë fort për rimëkëmbjen e Barcelonës. Kjo është e gjitha”, ka thënë presidenti Joan Laporta.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *