Mësimet e SHBA-së nga tërheqja nga Afganistani, profesori amerikan: Ne i bëmë llogaritë gabim!

Pas një lufte pothuajse 20 vjeçare dhe me një situatë kaotike në Afganistan, ekspertët amerikanë të politikës së jashtme po analizojnë pasojat e mënyrës se si u krye tërheqja dhe çdo të thotë kjo në shkallë globale. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ata thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë përgjegjësinë dhe të nxjerrin mësime.

Prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias thotë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani ishte e pashmangshme, por fakti që nuk u parashikua se si do të rridhnin ngjarjet ishte një dështim nga udhëheqja amerikane.

“Për fat të keq tani ne e gjejmë veten në një situatë ku talebanët janë në kontroll. Nuk e dimë nëse ata do të ndërmarrin një seri veprimesh hakmarrëse kundër organizatave të gazetarëve dhe grave progresiste. Kështu që duhet të përgatitemi për më të keqen”, thotë Prof. Phillips për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Ai shton se forcat e sigurisë nuk kishin vullnet për të luftuar, për shkak të mosbesimit tek shteti dhe korrupsionit.

“Ne i bëmë llogaritë gabim. Menduam se ishin gati për të mbrojtur vendin e tyre. Menduam se nëse ata ishin gati të mbroheshin, nuk kishin nevojë që ne të vazhdonim t’i mbronim. Por në fakt, ata nuk ishin gati, ata nuk ishin të motivuar, dhe pa SHBA për t’i mbështetur, ishin të paaftë për t’u përballur me talebanët dhe për t’i mundur ata. Tani e gjejmë veten përballë një katastrofe të madhe”, thotë Prof. Phillips.

Ian Bremmer, president dhe themelues i organizatës Eurasia Group, e konsideron “tragjik” faktin që administrata e Presidentit Biden bëri vlerësimin e duhur se forcat amerikane duhet të tërhiqeshin nga Afganistani, por “gaboi rëndë” në ekzekutim.

“Shtetet e Bashkuara nuk e koordinuan aspak këtë vendim me aleatët e tyre me të cilët kanë luftuar për 20 vjet – dhe ishin amerikanët ata që u kërkuan aleatëve të NATO -s të bashkoheshin me ne në këtë luftë – dhe ata pranuan të shpenzonin paratë e tyre dhe të rrezikonin jetën e tyre. Ata luftuan me shumë guxim. Dhe kur ne rishikuam politikat tona, e bëmë këtë të vetëm. Si mund ta bënim këtë? Si mund t’i linim aleatët tanë në atë situatë?”, tha zoti Bremmer në një intervistë me shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës.

Zoti Bremmer thotë se është e turpshme se si nuk kishte plane të përgatitura mirë për daljen e sigurt nga vendi të amerikanëve dhe aleatëve të tyre afganë.

“Jam shumë i trishtuar. E njoh mirë këtë kabinet dhe ata kanë përvojë, janë njerëz të aftë, njerëz të zgjuar dhe ata vërtet kanë gabuar. Dhe kjo do të dëmtojë amerikanët në arenën ndërkombëtare për një kohë të gjatë”, thotë ai.

Prof. Phillips thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u dërgojnë një sinjal të qartë Talebanëve, se do të paguajnë një çmim të shtrenjtë nëse shkojnë pas shoqërisë civile, apo sulmojnë trupat amerikane që po bëjnë të mundur largimin e civilëve.

Por Prof. Phillips thotë se nga e gjithë situata e krijuar në Afganistan, një mësim që duhet të nxirret është se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen në përpjekje për shtetformin, aty ku kanë shanse për sukses dhe ku mund të punojnë me partnerë lokalë.

“Prandaj unë them se duhet të përqëndrohemi në vendet e Ballkanit Perëndimor, Kurdët në Siri dhe Irak. Ka disa vende ku mund të ekzekutojmë një tranzicion politik. Nuk mund ta bënim një gjë të tillë në Afganistan sepse nuk kishte vullnet nga ana afgane. Ne duhet të përqendrojmë ekspertizën tonë dhe burimet tona në pjesë të tjera të botës që janë partnerë të dëshmuar si Ballkani Perëndimor dhe rajonet kurde. Nëse e bëjmë këtë, do të kemi sukses”, thotë ai.

Prof. Phillips vlerëson gjithashtu vendet që kanë pranuar të marrin afganë të rrezikuar në territorin e tyre.

“Është diçka shumë e mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshme të ndihmojnë. Është diçka që Shtetet e Bashkuara e shpresojnë nga vende mike dhe aleate. Unë i vlerësoj ato vende për ndihmën ndaj Afganëve gjatë momenteve të një nevoje të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Zoti Bremmer thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë vendi më i fuqishëm dhe të angazhohen në drejtime të tjera, por thotë se tërheqja nga Afganistani sinjalizon se ato nuk duan të jenë më “sherifi i botës”.

“Trashëgimia e 20 viteve të fundit do të jetë se kemi një SHBA shumë më tepër ngurruese për t’u përfshirë në shtetformim përmes ndërhyrjeve ushtarake kudo në botë. Kjo është ndoshta trashëgimia më domethënëse e 20 viteve të fundit”, thotë ai.

Ngjarjet në Afganistan treguan kufizimet që mund të ketë edhe ushtria më e fuqishme në botë përballë një realiteti kompleks dhe partnerëve jo shumë të besueshëm në terren. Por sipas analistëve, pasojat e një realiteti të tillë do të lënë gjurmë në historinë e tërheqjes nga lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *