Meta: Do më keni në beteja të vërteta pasi të heq kostumin e Presidentit








Presidenti Ilir Meta deklaroi se mezi pret të përfundojë mandatin e Presidentit për t’u bashkuar me popullin e 2 marsit për beteja të vërteta politike.

meta2
Gjatë një deklarate për mediat nga Korça kreu i shtetit u shpreh se ai është një njeri i betejave të vërteta dhe këtë do ta tregojë që në zgjedhjet më të para pas përfundimit të mandatit presidencial. Meta thumboi edhe fitoren e mandatit të tretë nga PS-ja, duke u shprehur se zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë një ndeshje e shitur që pa filluar.

I pyetur nëse do kthehet te socialistët pas 24 korrikut, Meta tha se atë mezi po e pret populli i dy marsit që ka nevojë për një lidership që mban fjalën dhe mbron qytetarët.

Z. Meta e mbështesni një koalicion LSI dhe Sali Berisha?

Nuk jemi këtu për të marrë me çështje që ju takojnë aktorëve politikë. Jemi këtu për të ritheksuar rëndësinë e rivendosjes së integritetit të votës së lirë në themel të gjithë institucioneve tona, sepse është tronditur rëndë. Ky është edhe një nga qëllimet e dekretit për 6 marsin dhe i inkurajoj të gjithë qytetarët e 6 bashkive të marrin pjesë në këto zgjedhje. I inkurajoj të gjithë forcat politike, aktorë të paraqesin kandidatë sa më të mirë në mënyrë që qytetarët e këtyre 6 bashkive të kenë mundësi që të zgjedhin, të kenë mundësi të besojnë dhe uroj që qytetarët të kenë më shumë respekt për votën e tyre, sepse kështu tregojnë më shumë respekt për veten e tyre. Vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje kanë të drejtë edhe të kërkojnë llogari.

Z. President, nëse Parlamenti miraton ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut, do ta dekretoni?

Nuk kam asnjë koment për çështje të cilat janë në proces.

Gjykata Kushtetuese më 1 shkurt jep vendimin e Parlamentit për shkarkimin tuaj, a do ti drejtohet Presidenti Komisionit të Venecias për një opinion më të specializuar?

Nuk kam asnjë interes se çfarë do vendosë Gjykata Kushtetuese për vendimin e Parlamentit të shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 prillit për të shkarkuar Presidentin. E dyta do vijojmë deri në 24 korrik, e thashë që mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit nga këto ç’janë këto makinat e Policisë që unë nuk i duroj dot para mbrapa. Se mezi po më pret populli i dy marsit e mezi po pres të jap më të mirën time atij populli të mrekullueshëm që ka nevojë për një lidership me karakter, me integritet që mban fjalën dhe i mbron qytetarët shqiptarë që dalin në mes të natës në mënyrë të dhunshme e arbitrare në mes të rrugës. Kështu që jini i duruar.

Do ktheheni në PS apo diku tjetër?

Unë do të kthehem fuqishëm te populli i 2 marsit, populli i dy marsit i ka të gjitha brenda.

Z. President, përpara zgjedhjeve të 25 prillit ju patët deklaruar se nëse Rama fitonte mandatin e tretë, do të jepnit dorëheqje?

Po nuk ka fituar, ka qenë ndeshje e shitur që pa filluar, ka qenë ndeshje e trukuar e shitur. Po nëse fiton Rama të 6 bashkitë, keni një premtim? S’kam asnjë premtim se unë nuk marr pjesë, as kam marrë pjesë në 25 prill as kam ndërmend të marr. Ama në zgjedhjet më të para pasi të heq këtë kostumin e Presidentit më keni në beteja të vërteta. Ilir Meta nuk është nga ata që shesin ndeshjet.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.