Meta: Largimi i trurit, i mjekëve dhe infermierëve nga vendi, dramë dhe plagë e madhe, duhet ndalur sa më parë









Meta doktorriPresidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” doktorin e shquar neurokirurg Gentian Toshkëzi: “Me mirënjohje ndaj përkushtimit të tij fisnik si doktor humanist të dhënë gjatë pandemisë COVID-19 si për vendlindjen e tij: Shqipërinë, ashtu edhe për vendbanimin e tij aktual: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u vlerësua si mjeku më i mirë i vitit 2020 në shtetin e Pensilvani.

Në vlerësim të arritjeve të larta të shënuara si mjek jashtë atdheut, duke na bërë krenarë për lartësimin që i bën Shqipërisë, si dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm mjekësor dhe shkencor.”.

Në ceremoninë e veçantë të organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë edhe personalitete të shquara të mjekësisë shqiptare, Presidenti Meta u shpreh:  “Është kënaqësi të vlerësojmë një mjek të shquar shqiptar, neurokirurgun Gentian Toshkëzi.

Doktor Toshkëzi, i cili shkëlqen me profesionalizmin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punon prej 14 vitesh, në Departamentin e Neuro-Shkencës të Jefferson Torresdale Hospital.  Për punën e dalluar në këtë spital, gjatë pandemisë Covid-19, ai u vlerësua me çmimin e madh ‘Doktori më i mirë amerikan, Top neurokirurg 2020’, nga shteti i Pensilvanisë.

Me specializime dhe trajnime të shumta në Tiranë, Francë dhe Shtetet e Bashkuara, ai ka shpalosur kudo aftësitë e tij, në shërbim të pacientëve.

Doktor Toshkëzi është pjesëtar i denjë i disa akademive dhe kongreseve neurologjike si Akademia Amerikane e Kirurgëve Neurologë, Kongresi i Kirurgëve Neurologë; Shoqëria e Neurokirurgjisë në Gjuhën Franceze, etj.

Doktor Toshkëzi ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij misionit fisnik të mjekut, duke dhënë kontributin e tij mjekësor dhe shkencor, përmes pjesëmarrjes dhe organizimeve të konsultave shkencore, përmes qindra publikimeve prestigjioze dhe artikujve shkencorë, si edhe duke qenë pjesë e ekipit të profesionistëve në Institutin Vickie dhe Jack Farber për Neuroshkencën.

Doktor Toshkëzi bashkëpunon me mjekë e specialistë nga të gjitha fushat e Neuro-Shkencës, duke pasur në fokus pacientin dhe një shërbim sa më të mirë ndaj njerëzve me nevoja shëndetësore. Ai dha kontributin e tij edhe gjatë pandemisë, përmes ekraneve televizive shqiptare, shprehu opinionin dhe këshillat e tij.

Krenar për vendlindjen e tij, ai e ka ngritur Shqipërinë lart edhe përtej oqeanit, përmes punës dhe profesionalizmit të dalluar.  Doktor Toshkëzi na ka bërë të gjithëve krenarë, për lartësimin që i ka bërë vendit tonë, për arritjet e tij dhe vlerësimet e shumta, që ai merr në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mbi të gjitha për vlerësimet që merr nga pacientët, që janë edhe fokusi i punës së çdo mjeku.

Ne krenohemi me Doktor Toshkëzin, e të gjithë ata mjekë e bluza të bardha shqiptare, që shkëlqejnë me aftësitë e tyre, në vende të ndryshme në botë, ku ata punojnë e jetojnë.

Ata janë ambasadorë më të mirë të vlerave më të larta profesionale shqiptare, duke i shërbyer me përkushtim mbrojtjes së jetës dhe shëndetit. Sakrificat e tyre janë të shumta, duke u përballur me sfidat e punës së përditshme, por edhe ato globale, siç ishte edhe pandemia Covid-19, ku shumë mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë sakrifikuan edhe jetën e tyre në mbrojtje e shërbim të njerëzve.

Për fat të keq, largimi i trurit, i intelektualëve, i mjekëve dhe infermierëve nga vendi, është një dramë dhe plagë e madhe, që duhet ndalur sa më parë, duke krijuar kushte më të mira pune dhe motivimi, si dhe mundësi të shumta për zhvillimin e tyre të mëtejshëm profesional në vendin tonë.

Një shoqëri e shëndetshme është ajo, që kujdeset për njerëzit në nevojë dhe sidomos për ata, që u shërbejnë këtyre njerëzve në nevojë. Ndaj ne ju jemi mirënjohës të gjithë bluzave të bardha, që ndër vite, vazhdojnë plot përkushtim të mbrojnë shëndetin publik.

I jemi mirënjohës dhe Doktor Gentit, që e përfaqëson denjësisht vendin tonë në SHBA dhe kudo ku ai, jep kontributin e tij.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.