Milani në gjurmët e Berardit, tension me Sasuolon prej… Juventusit










Interesi i Milanit për Domeniko Berardin nuk ishte i pabazë. Siç raportohet nga “Sportmediaset”, kapiteni i Sasuolos thuhet të ketë kërkuar largimin, mundësisht gjatë kësaj merkatoje. Diçka e tillë nuk përbën problem për klubin që ka në dorë një kontratë deri në vitin 2024. Dëshira e 27-vjeçarit mund të realizohet, sipas drejtuesve, por me kusht që në seli të mbërrijë një ofertë prej të paktën 30 milionë eurosh.

Siç e konfirmon transferimi i Lokatelit, Sasuolo është një vitrinë e kushtueshme, megjithatë te Milani do të punojnë deri në fund të merkatos për të siguruar shërbimet e kampionit të Europës me Italinë e Roberto Mançinit.

US Sassuolo v Torino FC - Serie A

TENSION PËR OFERTËN – Klubi kuqezi mund të bëjë së shpejti një ofertë huazimi në vlerën e 5 milionë eurove duke pasur edhe mundësinë e blerjes së 27- vjeçarit për 25 milionë euro në fund të sezonit, por situata nuk pritet të jetë komode. Siç e konfirmon çështja “Lokateli”, Sasuolo nuk është një “dyqan” i lirë, ndaj për kapitenin nuk do të bëjë lëshime nëse nuk merr një ofertë prej 30 milionë eurosh dhe një garanci që operacioni të zhvillohet me detyrim blerjeje.

Ajo që shtang kuqezinjtë, përveç faktit se Sasuolo konsiderohet klubi mik (tifozëri të binjakëzuara) është këmbëngulja e zigjelbërve për të kërkuar para menjëherë ndërkohë që Juventusi do të nisë të paguajë për Lokatelin në pas dy vjetësh.

Një skuadër e Serisë A si Sasuolo që për çdo lojtar mesatar kërkon shifra stratosferike 15-20 mln euro (për Berardin i kërkon Milanit 30 mln euro) vendos që yllin e ekipit (Manuel Lokateli) ta japë falas 2 vjet në huazim te Juventusi, me detyrim blerjeje për 35 mln euro, që nis nga viti 2023 dhe që do të shlyhet deri në 2028 me 7 mln euro pagesë në sezon, pra për 5 vjet. Situata analoge në thelb, por të trajtuara me një lloj arbitrariteti që lë shumë për të dëshiruar.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *