Minishengeni ballkanik, Basha: Takimet e shpeshta nuk prodhojnë asgjë përveç fotove! Që lëvizja e lirë të funksionojë duhet që…








Kryedemokrati Lulzim Basha ka komentuar takimin dhe marrëveshjet e arritura gjatë Forumit Rajonal Ekonomik të liderëve politikë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë ditën e sotme.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se këto takime po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe nuk prodhojnë asgjë të re, përveç fotove.

Sipas Bashës, që lëvizja e lirë në rajon të realizohet, hapi i parë duhet të jetë njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që takimet po bëhen kaq shpesh, nuk e di se çfarë po prodhojnë, përveç fotove dhe protagonizmit të tepruar. Pozicioni është ai që ka qenë gjithmonë i imi dhe i Partisë Demokratike që lëvizja e lirë në rajon të funksionojë duhet t’i japim fund hipokrizisë dhe të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për stabilitetin në rajon, njohjen e ndërsjelltë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Lehtësimi i lëvizjes së lirë është një përparësi dhe synim i të gjitha proceseve integruese ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor, që nga procesi i integrimit europian. Që kanë dëshirë për të dalë në këto ditë të nxehta vere për të bërë fotografi nuk është një çudi e madhe për mua, por të na kursejnë përsëritjen e një filmi të parë e të stërparë, por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend të objektivave që duhet të ketë secili kryeqytet në rajon duke filluar që nga njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë.

Partia Demokratike e mbështet dialogun por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu, duhet të jetë njohja e ndërsjelltë. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë përsa i përket këtij objektivi. Dua të theksoj se asnjë takim nuk duhet të shërbejë si alibi për të ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për tu kujdesur për fatin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Fati i tyre i keq është çregjistrimi i shqiptarëve nga vendi i tyre. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse shpenzon kohë, e ka mbajtur të fshehur” – u shpreh Basha.

Më herët gjatë ditës së sotme, krerët e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë, Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç nënshkruan 3 memorandume bashkëpunimi gjatë Forumit Rajonal Ekonomik. Marrëveshja e parë e bashkëpunimit lidhet me mbrojtjet në rast katastrofash për tre vendet.

E dyta kishte të bënte me lehtësimin e import-eksporteve, për të eliminuar barrierat dhe kontribuar në ecurinë ekonomike të vendeve të përfshira. Ndërsa memorandumi i tretë kishte të bënte me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe lejimin e punësimit të lirë në Rajon si dhe lehtësimin e procedurave të përkohshme të qëndrimit. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se nuk mund të mbetemi peng i së shkuarës.

Lexoni edhe: ‘Ballkani i Hapur’/ Rama i drejtohet nga Shkupi Albin Kurtit: Çfarë të keqe do të kishte për Kosovën të bashkohej në këtë nismë? Shpirti i saj është…

Lexoni edhe: Batutat/ Vuçiç: Çfarëdo të thotë Rama e mbështes 100 për qind. Kryeministri i Shqipërisë: Ai do që unë të them njohjen e Kosovës dhe…

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *